Ndërlidhjet

BE: Angazhim për kalimin e pengesave rreth EULEX-it


Bruksel
Bruksel

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së diskutuan rreth misionit EULEX dhe vendosjes së tij në Kosovë. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, tha se po punohet për kapërcimin e pengesave dhe paralajmëroi bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.


Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel, ka thënë sot në Bruksel, ku ai kryeson takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, se misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, do të fillojë pak a shumë me kohë, sapo të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, ka thënë se është duke u punuar për të hequr pengesat lidhur me vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë dhe se për këtë ai ka paralajmëruar se do të bisedojë, këtë javë, me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.

Disa shtete të BE-së, si Spanja dhe disa të tjera, insistojnë që para transferimit të misioneve, të ketë një vendim të qartë të Kombeve të Bashkuara për këtë.

Kryesuesi i radhës i Këshillit të Ministrave të BE-së, Dimitrij Rupel, ka thënë se gjithë angazhimi i BE-së po shkon në drejtim të vendosjes së misionit në tërë territorin e Kosovës dhe mosvendosja eventuale në tërë territorin do të ishte në kundërshtim me vendimet e BE-së.

Rupel e tha këtë duke u përgjigjur në një pyetje se a mund të ndodhë që në Kosovë EULEX-i të vendoset vetëm në disa pjesë, ndërsa në pjesë tjera të mbetet UNMIK-u.

Edhe ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, ka thënë se nuk do të ketë misione gjeografikisht të ndara në Kosovë, sepse, sipas tij, veriu dhe jugu nuk mund të menaxhohen në mënyra të ndryshme.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë se për një kohë UNMIK-u dhe EULEX-i të veprojnë bashkërisht në Kosovë. Këtë mundësi e ka përmendur sot në Bruksel edhe Javier Solana, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka thënë sot në Bruksel se Serbia vazhdon të kundërshtojë çdo mision ndërkombëtar në Kosovë, i cili nuk do të jetë i lejuar me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Por, në BE mendojnë se rezoluta e tashme e OKB-së 1244, si dhe pajtimi i autoriteteve të Kosovës, mjaftojnë si baza ligjore për misionet e BE-së në Kosovë.

Ndërkohë, sot, për Ballkanin është diskutuar edhe në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të BE-së.

Në këtë takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin e NATO-s dhe BE-së në Kosovë dhe është thënë se edhe pse ky bashkëpunim ka qenë i mirë, në të ardhmen duhet të jetë edhe më i madh, pasi që misioni i EULEX-it do të duhej të koordinohet edhe me misionin e KFOR-it në Kosovë.

Për Ballkanin në Bruksel është duke u diskutuar edhe në Parlamentin Evropian, në prani të kryetarëve të parlamenteve nga vendet e rajonit të Ballkanit.

Në këtë takim merr pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
XS
SM
MD
LG