Ndërlidhjet

Gjendja sociale rrezikon stabilitetin


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Papunësia dhe varfëria paraqsin kërcënimin kryesor të stabilitetit në Kosovë, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe sociale. Sipas tyre, çështjet politike më nuk i brengosin qytetarët; ata dëshirojnë kushte më të mira për jetë.


Mungesa e një ekonomie të qëndrueshme, shkalla e lartë e varfërisë dhe e papunësisë, janë kërcenim kryesor i stabilitetit në Kosovë, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe sociale.

Fadil Maloku, profesor në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, pohon se për shkak të gjendjes së rëndë sociale, tashmë ekziston rreziku nga nxitja e trazirave sociale.

Një gjë e tillë deri më tani, sipas tij, është frenuar për shkak të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, ndërkaq pas shpalljes se pavarësisë, Maloku pohon se qytetarët kërkojnë përmirësim të mirëqenies së tyre dhe kushte më të mira për jetë.

“Me vetë faktin se Kosova është ndër vendet më të politizuara në Ballkan, që ka një arsyeshmëri të veten, me vetë faktin që kemi pasur probleme rreth definimit të statusit politik, mendoj se tash e tutje duhet t’i kthemi problemeve të përditshme dhe ekzistenciale, të cilat kërcënojnë të gjithë atë që e kemi bërë”, thotë Maloku.

Sociologu Maloku pohon se duke marrë parasysh se papunësia në Kosovë arrin afër 70 për qind, ndërkaq varfëria ekstreme ka arritur mbi 20 për qind, reagimet e qytetarëve kosovarë janë të kundërta me reagimet që janë normale në vendet ku ekziston demokracia.

“Ky është një paradoks i llojit të vet në Kosovë, ku qytetarët qëndrojnë, i bëjnë ballë sfidës dhe problemeve ekzistenciale. Unë jam i bindur se askund në perëndim nuk do të mund të duronin këtë situatë. Edhe paradoksi qëndron tek arsyeshmëria, e cila e ka arsyen e vet, për shkak se ne nuk e kemi pranuar si të pakënaqur aspektin social dhe ekonomik, se kemi dashur të arrijmë cakun e definimit të statusit”, u shpreh Maloku.

Ndryshe, edhe ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se çështjet politike më nuk brengosin njerëzit; ata tashmë shqetësohen për jetën e tyre të përditshme.

Musa Limani, udhëheqës i Institutit Ekonomik në Prishtinë, thotë se njerëzit janë lodhur nga varfëria, kështu që, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet më shumë t’i kushtojë rëndësi zhvillimit ekonomik, në mënyrë që të krijojë më tepër vende të reja të punës.

“Duhet marrë masa preventive. Qeveria duhet të ketë një program rreth zgjidhjes së problemit social, i cili tash për tash është prioritar ndaj problemeve tjera, sidomos pas 15 qershorit kur edhe fillon të zbatohet edhe Kushtetuta dhe pavarësia në mënyrë të plotë”, thotë Limani.

Edhe Fadil Maloku pohon se situata ekonomike dhe sociale duhet urgjentisht të jetë prioritet në agjendën e Qeverisë së Kosovës, në të kundërtën, thotë ai, mundësia për nxitjen e trazirave sociale ekziston.

“Unë kujtoj se programet rreth zhvillimeve ekonomik të Kosovës, qeveria aktuale duhet urgjentisht t’i forcojë më shumë dhe në agjendën e vet t’i fusë si prioritete kryesore”, theksoi Maloku.

Edhe në raportin e fundit të UNDP- së thuhet se 70 për qind e kosovarëve të anketuar shohin çështjet ekonomike apo sociale si problemin e tyre të parë. Kështu që, sipas tyre, thuhet në raport, papunësia dhe varfëria konsiderohet si kërcënim kryesor i stabilitetit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG