Ndërlidhjet

Vonesa e vendosjes së EULEX-it dobëson shtetin e Kosovës


Analistë politikë dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese thonë se vonesa në vendosjen e EULEX-it në Kosovë, si dhe mundësia e veprimit të përbashkët të UNMIK-ut e EULEX-it, do shkaktojë probleme pas 15 qershorit.


Mundësia që vendosja e EUELX-it të shtyhet deri në muajin shtator apo tetor, ide kjo e dalë nga takimi i djeshëm i ministrave të Jashtëm të BE-së, është pritur me skepticizëm në Kosovë.

Po ashtu, mundësia e bashkëveprimit të UNMIK-ut me EULEX-in, pas 15 qershorit kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, është parë si një minimizim i rolit të institucioneve të Kosovës.

Eksperti i së drejtës kushtetuese, Avdullah Robaj, thotë se mosvendosja më 15 qershor e EULEX-it paraqet një neglizhencë të pajustifikueshme të BE-së. Ai thotë se këto paqartësi do të vështirësojnë funksionimin e Kosovës si shtet.

“Kjo paqartësi i jep dy mesazhe të këqija; e para ia zgjat Beogradit mandatin që sërish të involvohet në Kosovë, duke parë një qëndrim joserioz dhe qëndrim jo të qartë; dhe, e dyta, institucionet e Kosovës e ndjejnë veten si të hendikepuara dhe me një mosvendosje në tërë territorin e Kosovës në afatin e paraparë. Kjo, me një fjalë, e dobëson funksionalitetin e shtetësisë së Kosovës”, tha Robaj.

Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, ka deklaruar se EULEX-i mund të shtyhet deri pas verës, për shkak të mospajtimeve diplomatike.

Analisti politik, Driton Lajçi, thotë se do të ketë vështirësi për vendosjen e EULEX-it, për shkak të pengesave që dalin nga Këshilli i Sigurimit. Lajçi shpreh shqetësimin se nëse vazhdohet me këtë paqartësi, mund të vihet në mëdyshje edhe vetë shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Kjo do ta vështirësojë implementimin e akteve, ligjeve të pakos së Ahtisaarit. Gjithashtu do ta bëjë të paqartë rolin dhe fuqizimin, ekzekutimin e kompetencave ekzekutive të Qeverisë së Kosovës. Në njëfarë mënyre, do ta vë në mëdyshje edhe shpalljen e pavarësisë dhe shtrirjen e autoritetit të Kosovës në gjithë territorin e Kosovës. Gjithashtu do ta vë në mëdyshje zbatimin e kushtetutës së Kosovës”, tha Lajçi.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kundërshtojnë vendosjen e EULEX-it pa bekimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Njëri nga liderët politikë të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, ka thënë se për shkak të vendimit të përshpejtuar të BE-së që të formojë dhe dërgojë misionin e tij në Kosovë, të gjithë qytetarët e Kosovës mund të rrezikohen.

“Gjendja është shumë e vështirë, sepse UNMIK-u ka kohë që ka filluar të zvogëlojë personelin; kjo vlen dhe për policinë e UNMIK-ut. EULEX-i nuk do të jetë në gjendje që në muajt e ardhshëm të funksionalizohet dhe do të krijohet vakuum në siguri .Më brengos më së shumti pozicioni i serbëve, sepse në një situatë të tillë serbët janë më së shumti të rrezikuar”,
tha Oliver Ivanoviq.

Por, mbetja e UNMIK-ut në Kosovë, sipas Avdullah Robajt, është ajo që do të rrezikojë funksionimin e ligjit në Kosovë. Ai konsideron se i mbetet qeverisë që të jetë më këmbëngulëse dhe të kërkojë në mënyrë decidive largimin e UNMIK-ut nga Kosova pas datës 15 qershor.

“UNMIK-u dhe EULEX-i nuk duhet të qëndrojnë; duhet të jetë ose njëra, ose tjetra. Nëse nisemi nga fakti se UNMIK-u është vendosur në Kosovë sipas Rezolutës 1244 dhe kjo rezolutë ka ardhur pikërisht për zgjidhjen e statusit final të Kosovës, ky status tashmë është i zgjidhur dhe konsideroj se UNMIK-u tashmë duhet të tërhiqet dhe Rezoluta 1244 duhet të shfuqizohet”.

“Dy misione paralele, kur ua shtojmë edhe funksionalitetin e qeverisë, konsiderojmë se kemi përzierje pushtetesh, që e dobëson funksionimin e institucioneve të Kosovës. Konsideroj se UNMIK-u duhet të shkojë patjetër, përndryshe Kosova futet në një qorrsokak juridik”, tha Robaj.

Ndryshe, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, ka thënë se është duke u punuar për kapërcimin e pengesave, duke paralajmëruar bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG