Ndërlidhjet

Makolli: Pas 15 qershorit, UNMIK-u pa mandat


Ibrahim Makolli
Ibrahim Makolli

"Sipas Kushtetutës së Kosovës, më 16 qershor, në Kosovë nuk ka mandat UNMIK-u dhe të gjitha kompetencat duhet të zhvendosen te institucionet kosovare", thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ibrahim Makolli, nga Aleanca Kosova e Re.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Makolli, paralajmërohet mundësia e shtyrjes së vendosjes së misionit të EULEX-it, ndërkohë që Rezoluta 1244 mund ta mbajë edhe UNMIK-un në Kosovë. Andaj, sa mund të shihet si pengesë dhe sa mund të interferojë në funksionimin e institucioneve të Kosovës dyfishimi i misioneve ndërkombëtare?

IBRAHIM MAKOLLI
Vetë fakti që misioni i EULEX-it nuk po mund të vendoset në Kosovë në afatin e paraparë dhe po ashtu për shkak të pamundësisë për të nxjerrë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit, me të cilën do të ndërpritej mandati i UNMIK-ut dhe do t’i lirohej rruga vendosjes së misionit evropian në Kosovë, gjithsesi se do të shkaktojë një paqartësi në dritën e zhvillimit të ngjarjeve të reja në Kosovë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton qartazi rolin, përgjegjësitë dhe obligimet e institucioneve kosovare, sikurse që parasheh qartazi rolin që ka misioni evropian në Kosovë dhe brenda kësaj kushtetute nuk parashihet ndonjë mision, qoftë UNMIK-u apo ndonjë mision tjetër i Kombeve të Bashkuara.

Prandaj, sipas kësaj kushtetute, më datën 16 qershor, në Kosovë nuk ka mandat UNMIK-u dhe të gjitha kompetencat nga UNMIK-u duhet të zhvendosen tek institucionet kosovare.

Natyrisht, kjo do të shkaktojë përplasje dhe paqartësi sa u përket misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Ndërkaq, fillimi i zbatimit të Kushtetutës së Kosovës u mundëson institucioneve të Kosovës që t’i kryejnë obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore konform kësaj kushtetute.

Gjithsesi, kujtoj që pavarësisht shtyrjeve që mund të ketë vendosja e misionit të EULEX-it në Kosovë, institucionet e Kosovës duhet t’i kryejnë obligimet dhe përgjegjësitë e veta në raport me Kushtetutën e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej pengesave tjera për EULEX-in është edhe shtrirja në veri të Kosovës, për shkak të kundërshtimeve serbe. Ndërkohë, atje paralajmërohet se deri më 4 qershor do të konstituohen organet paralele, të dala nga zgjedhjet e Serbisë. Çfarë mund të bëjnë këtu institucionet vendore dhe ndërkombëtare, për të kthyer rendin dhe ligjin në këtë pjesë të Kosovës?

IBRAHIM MAKOLLI
E para që duhet të bëjnë institucionet e Kosovës, menjëherë pas datës 15 qershor, edhe pse këtë është dashur ta bëjnë edhe tash, është që ta shtrijnë sovranitetin e vet në çdo pjesë të Kosovës.

Edhe në mbështetje të Rezolutës 1244, e cila do të jetë valide edhe më tutje, edhe në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të vetmet autoritete në Kosovë janë institucionet kosovare dhe misioni evropian në Kosovë.

Çdo përpjekje për të instaluar çfarëdo pushteti tjetër në Kosovë, është e papranueshme.
Çdo vazhdim i mëtutjeshëm i një gjendjeje të tillë çfarë e kemi sot, rrezikon seriozisht jo vetëm të tashmen e Kosovës, por edhe të ardhmen e Kosovës.

Prandaj, ajo që duhet të bëjnë këto dy institucione, është që me përgjegjësi të plotë, me kompetenca të plota, të ushtrojnë pushtetin, të cilin e njeh edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Duhet të kihet parasysh se një shtet i ka mekanizmat e vet dhe duhet t’i fusë në zbatim mekanizmat e vet, për të parandaluar shtrirjen e pushtetit të ndonjë vendi tjetër brenda territorit të vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse mund t’i kthehemi edhe një çështjeje tjetër që ishte aktuale këto ditë, përkatësisht Ligjit për festat. Sa i ka plotësuar kërkesat e prezantuara fillimisht nga deputetët versioni i miratuar në Kuvend, të premten e kaluar?

IBRAHIM MAKOLLI
Duhet të pranoj se ka qenë një kompromis i arritur me vështirësi shumë të mëdha. Fillimisht ka qenë një këmbëngulje mjaft e ashpër e faktorit ndërkombëtar që ky ligj të mos preket, ndërkaq që në anën tjetër kanë qenë kërkesat e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, që brenda ligjit të përfshihet edhe një numër i festave zyrtare, e në veçanti 28 Nëntori.

Gjithsesi, duhet të kuptohet si një kompromis i arritur, me gjithë faktin se kjo nuk kënaq kërkesat që kanë qenë edhe nga ne, edhe nga deputetët tjerë. Është një zgjidhje e pjesshme, e ndërmjetme, por jo ajo që është kërkuar. Megjithatë, është një zgjidhje kompromisi, sepse në këtë fazë është arritur ajo që mund të arrihej, pavarësisht pakënaqësive tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Partitë politike kanë rënë dakord edhe në lidhje me Ligjin për zgjedhjet. Sa i kënaq tash ky version i harmonizuar kërkesat e subjekteve politike dhe kur mendoni se duhet të organizohen zgjedhjet në nivelin qendror, vitin tjetër apo pas tre vjetësh, siç e preferojnë partitë në pushtet?

IBRAHIM MAKOLLI
Jam tërësisht i zhgënjyer dhe i befasuar me një pajtim të tillë që ka ndodhur para disa ditësh në mes të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, sa i përket Ligjit për zgjedhjet në Kosovë.

Me këtë pajtim, kemi kthim mbrapa për disa vite. Duke qenë Kosova një zonë e vetme, gjithsesi se e bën jo të barabartë votën e qytetarëve të Kosovës.

Se kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet, ju po e shtroni në atë se partitë në pozitë kërkojnë pas tre vjetësh. Kuvendi i Kosovës ka miratuar pakon e Ahtisaarit, qoftë edhe nën supozimin se do të pranohet nga Kombet e Bashkuara. Dhe, nëse ky institucion më i lartë e ka pranuar një dokument të tillë, atëherë konsideroj se askush prej nesh nuk ka të drejtë që të luajë me vendimet e Kuvendit të Kosovës.

Çështja e zgjedhjeve nuk duhet të jetë çështje e vullnetit, qoftë e pozitës, qoftë e opozitës. Këtu nuk do të duhej të kishte dilema. Duhet të përgatitemi edhe në aspektin ligjor, edhe në aspektin teknik, që këto zgjedhje të para në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, të pranuar ndërkombëtarisht, të jenë vërtet zgjedhje të lira, të drejta, ku qytetarët e Kosovës do të mund të përcaktojnë të ardhmen e tyre përmes institucioneve të zgjedhura me vullnetin e tyre.
XS
SM
MD
LG