Ndërlidhjet

"Veriu do të qeveriset nga radikalët?"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Institucionet e Kosovës kanë kapacitete dhe janë të përkushtuara për thellimin e reformave në drejtësi dhe arritjen e standardeve ndërkombëtare, edhe pse procesi do të jetë mjaft sfidues. Këto komente i ka bërë të martën në Prishtinë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, gjatë debatit me temën 'Drejtësia në tranzicion', që u organizua nga instituti kosovar për gazetari dhe komunikim (KIJAC). Përveç kryeministrit Thaçi, në këtë debat ishte i pranishëm edhe komisionari i lartë i OSBE-së për pakica, Knut Vollebaek, i cili vlerësoi se pajtimi ndëretnik në Kosovë është proces i vështirë. Duke folur për sundimin e ligjshmërisë dhe barazinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës para ligjit, kryeministri Thaçi ka vlerësuar se këto janë dy standarde kryesore që mundësojnë një sistem demokratik të drejtësisë. "Realizmi i tranzicionit edhe në drejtësi është proces me shumë sfida, por edhe premtues", theksoi kryeministri Thaçi. Ndërkohë, sipas tij, për të arritur instalimin e sistemit të drejtësisë në bazë të standardeve perëndimore mbetet edhe shumë punë për t'u bërë...

KOHA DITORE
Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë, paralajmërohet konstituimi i organeve serbe në veri. Në Mitrovicë do të qeverisin radikalët dhe koalicioni DSS-NS. Kryeradikali për Kosovë, Lubomir Kragoviq, i cituar nga Radio Kontakt Plus, në veri të Mitrovicës, ka thënë të martën, se është arritur marrëveshje parimore që në Mitrovicë të qeverisin radikalët dhe koalicioni DSS-NS. Përfaqësuesit serbë, të dalë nga zgjedhjet e ll majit, një proces ky zgjedhor i cilësuar si ilegal nga ana e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, pritet që t'i konstituojnë organet e reja komunale fillimisht në tri komunat veriore të Kosovës. Krragoviq ka thënë se bisedimet për formimin e qeverive lokale në Kosovë të dala në zgjedhjet e Serbisë janë në zhvillim e sipër. Sipas Komisionit Zgjedhor të Serbisë, në zgjedhjet lokale në Kosovë, më së shumti vende të këshilltarëve ka fituar Partia Radikale Serbe, duke fituar në 16 komuna...

EXPRESS

Autoritetet kosovare shprehen të vendosura për të lëvizur me planin e tyre të instalimit të rendit të ri kushtetues prej 15 qershorit, që u jep atyre përgjegjësitë bartëse shtetërore, pavarësisht çfarë ndodh me diskutimet për statusin e prezencës ndërkombëtare. Reagimet në Prishtinë vijnë pasi takimet e dy ditëve të kaluara ne Bruksel të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhanë indikacione se diplomatët po punojnë për një periudhë disa mujore bashkëjetese mes UNMIK-ut dhe EULEX-it. Sipas planeve të derivonshme, të cilat u bllokuan me kundërshtimin e vazhdueshëm të Rusisë dhe Serbisë, UNMIK-u do të ishte dashur që deri në mes të qershorit të largohej, duke u lënë përgjegjësitë autoriteteve kosovare, ndërsa roli udhëheqës ndërkombëtar pranisë së BE-së. Në bazë të rregullimeve aktuale ligjore, UNMIK-u është autoriteti më i lartë në territorin e Kosovës. Por, a mundet që me mbetjen e tij të futet në fuqi tërë legjislacioni i paraparë më 15 qershor? Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se pas 15 qershorit duhet të ketë qartësi të plotë në prezencën ndërkombëtare në vend...

LAJM
Tani kur kanë kaluar 100 ditë nga shpallja e pavarësisë dhe Republikën e Kosovës e kanë njohur vetëm 41 shtete, udhëheqësit e Qeverisë mburren se njohja po ecën me ritme të kënaqshme dhe të pritshme. Njohja kualitative, e promovuar deri më tani, thuajse ka përfunduar. Tani kryeministri Hashim Thaçi i ka nisur nëpër botë përfaqësuesit e institucioneve për të kërkuar njohjen "numerike" të pavarësisë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha të marten për "Lajm" se njohja e pavarësisë nuk duhet të kuptohet si ngecje. Sipas tij, shtetet më me ndikim tanimë e kanë përfunduar procesin e njohjes, kurse shtetet tjera janë duke e shqyrtuar në vazhdimësi këtë çështje. "Përveç kontakteve direkte që ka kryeministri dhe presidenti, edhe aktorët tjerë janë të kyçur në procesin e lobimit. Po punohet shumë nga institucionet për lobim dhe nëse merret parasysh vetëm dita e sotme (e martë), ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ishte në Vjenë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi në Bruksel dhe zëvendëskryeministri Ramë Manaj është nisur gjithashtu për Bruksel. Dhe, si rezultat i këtyre lobimeve, shumë shpejt do të ndodhin njohje të reja"...

EPOKA E RE
Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar të martën se askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk po i bën presion Malit të Zi për ta njohur pavarësinë e Kosovës. "Mali i Zi është partner serioz i bashkësisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimi ynë bazohet në parimet e respektit të ndërsjellë, dhe jo në presione e kushtëzime", u ka thënë Gjukanoviq mediave malazeze. Gjukanoviq ka thënë se sa i përket kësaj çështjeje,Podgorica është orientuar që t'i ndjekë interesat e saj nacionale, ndërsa anëtarësimi në BE dhe në NATO, sipas tij, janë definuar si synime strategjike...

KOSOVA SOT
“15 qershori është një datë kur duhet të ndërpriten ato ngurrime që janë krijuar këto vitet e pasluftës, ngurrime për të krijuar një Kosovë unike, e cila edhe me Rezolutën 1244 ishte përcaktuar si e tillë", thotë ministri Arsim Bajrami, ekspert i çështjeve kushtetuese. Më pak se 20 ditë Kosovën e ndajnë nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, një ngjarje që do të shënohet në një seancë të veçantë të Kuvendit, i cili do ta zyrtarizojë aktin më të lartë të vendit. Burime tona kanë rikonfirmuar se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës do të zhvillohet një ceremoni e zakonshme, por nuk do të mbahet ndonjë manifestim madhështor, siç është menduar më herët, pasi ai do të bëhet më vonë...

BOTA SOT
Nekibe Kelmendi, ministre në Ministrinë e Drejtësisë, u takua të martën me një delegacion prej 25 grash të përfshira në jetën politike në Republikën e Shqipërisë. Qëllimi i kësaj vizite ishte shkëmbimi i përvojave lidhur me rolin e grave në proceset vendimmarrëse. Ministrja Kelmendi tha se angazhimet e grave në politikë, vlerësimi i punës së tyre nga shoqëria dhe si mund të jenë ato pjesë e vendimmarrjes, ishin tema për të cilat u interesuan mysafiret nga Shqipëria gjatë takimit. "Kemi potencial grash që mund të jenë pjesë edhe e qeverisë, edhe e parlamentit, edhe e institucioneve lë tjera vendimmarrëse...", tha Kelmendi. Ndërkaq, Elfide Zefi, kryetare në Komunën e Korçës, tha se Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e rëndësishme e procesit global të zhviliimit. Ky proces kërkon politika të orientuara mirë...

ZËRI

Ban Ki-Mun, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, kah mesi i javës së ardhshme, pritet t'ia prezantojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së propozimin e tij final se si ai e sheh rikonfigurimin e UNMIK-ut pas 15 qershorit, kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Siç ka marrë vesh "Zëri" nga burimet diplomatike perëndimore, njëshi i OKB-së nuk duhet të marrë farë pëlqim të veçantë prej instancës më të lartë te sigurisë botërore për mënyrën se si do ta riorganizojë Administratën Ndërkombëtare në Kosovë, sepse një gjë e tillë nuk është kërkuar as në rastet e mëparshme, kur UNMIK ka bërë ndryshimet në organizimin e tij. Dihet që UNMIK, ne këtë kontekst, ka hequr dorë prej dy nga Katër Shtyllat e tij (UNHCR, Shtylla e Parë, dhe Rendi dhe Ligji, Shtylla e Dytë), për të mbetur tani në dy shtylla (Misioni i OSBE-së, Shtylla e Tretë, dhe Bashkimi Evropian, Shtylla e Katërt). Po ashtu, dihet që vetë BE-ja ka bërë me dije që deri në fund të muajit qershor, Shtylla e Katërt do të pushojë së ekzistuari. Ban Ki-Mun, pritet që në paraqitjen e tij para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ta bëjë një lloj rekapitulimi të historisë së procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, e cila ka nisur me "dritën jeshile" që kësaj ndërmarrjeje ndërkombëtare i ka dhënë Kai Aide, ambasadori i Norvegjisë në Paktin NATO dhe raportuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (Kofi Ananit)...

XS
SM
MD
LG