Ndërlidhjet

AI: Të drejtat e njeriut në Kosovë

  • RFE /RL

Amnesty International

Amnesty International

Organizata botërore për të drejtat e njeriut "Amnesty International", në raportin e publikuar, tërheq vërejtjen kryesisht për dështimet në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe për mungesën e zbatimit të ligjeve në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.


Në raportin e publikuar, organizata botërore për të drejtat e njeriut, "Amnesty International", ka tërhequr vërejtjen se UNMIK-u ka dështuar në zbatimin e masave për të siguruar kompensim për ato viktima, të drejtat e të cilave shkelen nga pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, kjo organizatë i ka kushtuar një vëmendje të posaçme protestës së Lëvizjes Vetëvendosje, më 10 shkurt të vitit të kaluar, gjatë së cilës u vranë dy protestues, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, dhe u lënduan dhjetëra të tjerë.

Duke e cilësuar vrasjen e tyre si të paligjshme, organizata rikujton hetimet e departamentit të drejtësisë së administratës ndërkombëtare, të cilat konkluduan se vrasjet janë shkaktuar nga anëtarët e njësive rumune të forcave speciale, gjatë një proteste paqësore.

"Në muajin mars, autoritetet rumune tërhoqen nga Kosova 11 pjesëtarë të policisë, për të cilët besohet se kanë informacione thelbësore në lidhje me hetimet", thuhet në raport.

"Amnesty International" ka ngritur shqetësimet e veta edhe mbi ndershmërinë në procesin gjyqësor që është zhvilluar kundër udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke thënë se prokuroria ishte e politizuar dhe se procedurat që janë zhvilluar përpara një paneli ndërkombëtar të gjykatësve, kishin mungesë të pavarësisë gjyqësore.

Në kategorinë e të drejtave për pakicat kombëtare, kjo organizatë fillimisht nënvizon mospërfshirjen e pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në bisedimet për statusin e Kosovës dhe mungesën e zbatimit të ligjit kundër diskriminimit.

"Frika nga sulmet ndëretnike ka nxitur edhe lëvizjen e kufizuar të serbëve dhe romëve. Autobusë që bartnin udhëtarë serbë janë sulmuar me gurë nga disa të rinj shqiptarë", thuhet në raport, në të cilin gjithashtu përmendet edhe sulmi me granatë dore kundër një autobusi që bartte udhëtarë shqiptarë në veri të Kosovës.

Edhe kësaj radhe, "Amnesty International" ka tërhequr vërejtjen për rastet e rralla të sulmeve ndëretnike që sillen përpara drejtësisë.

"Diku prej 600 deri në 700 raste mbeten ende të pazgjidhura nga dhuna ndëretnike e marsit të vitit 2004", thuhet në raport, në të cilin gjithashtu nënvizohet mungesa e koordinimit të qeverisë për të bërë më shumë në kthimin e të zhvendosurve serbë nga trazirat e marsit.

Në kuadër të shqetësimeve për funksionimin e sistemit të drejtësisë, kjo organizatë ngrit edhe çështjen e dhunës kundër femrave, duke thënë se trafikimi dhe detyrimi i viktimave në prostitucion po vazhdon dhe se autoritetet kanë dështuar që të zbatojnë ligjet në fuqi për të ndihmuar dhe përkrahur personat e trafikuar.

"Mungesa e hetimeve të shpejta dhe efektive, mungesa e mbrojtjes së dëshmitarëve, akumulimi i rasteve të apelit dhe numri në zbritje i gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë për të shqyrtuar edhe rastet e krimeve te luftës, përfshirë këtu edhe zhdukjen e dhunshme të njerëzve, janë faktorë që kanë ndikuar që këto krime të mos dënohen", thuhet në raport.

Numri i rasteve që ende nuk janë dënuar deri më tash e që kanë të bëjnë me zhdukjen e dhunshme dhe rrëmbimet, "Amnesty International" vlerëson se ka arritur në 3.000.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG