Ndërlidhjet

Buja: Vendorët e ndërkombëtarët ta kthejnë normalitetin në veri


Ramë Buja

Ramë Buja

"Vendorët e ndërkombëtarët të bëjnë veprime më konkrete, më të arsyeshme, më të vendosura, që ta vëmë kontrollin në tërë tërësinë territoriale të Kosovës", thotë Ramë Buja, nga Partia Demokratike e Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Buja, aktualisht po zhvillohet një aktivitet i ngjeshur diplomatik për të përcaktuar rolin e UNMIK-ut dhe fillimin e misionit të EULEX-it në Kosovë pas 15 qershorit. Andaj, sa konsideroni se këto paqartësi do të kenë edhe efekte politike dhe ndikime të tjera në proceset aktuale në Kosovë?

RAMË BUJA
Gjithsesi mendoj se tërë kjo rrjedhë që herë na pëlqen e herë jo ne kosovarëve, do të ketë një ndikim politik në zhvillimet që do të duhej të ishin më dinamike në Kosovë dhe besoj se do të jetë edhe diçka me ndikim akoma më të keq në sfondin ekonomik, sepse ne presim një konferencë donatorësh.Dhe, donatorët që mund të jenë potencialë për të ardhur në Kosovë, mund të jenë në dilemë kur gjërat e këtij niveli dhe të këtyre përmasave janë të paqartësuara.

Unë mendoj se do të ishte mirë që edhe këmbëngulësia e njerëzve tanë të jetë më e madhe, që të sqarohen përfundimisht këto gjëra.

UNMIK-u, me gjithë respektin për punën, angazhimin dhe aktivitetin që ka zhvilluar në Kosovë, do të duhej që më 15 qershor ta përfundonte misionin e vet, sepse nuk ka asnjë kuptim që të kemi dubël apo trefish misione ndërkombëtare, sepse unë konsideroj se kështu do të jenë edhe ata të paefektshëm, edhe ne gjithsesi do të dalim të pasuksesshëm në krejt veprimet tona.

Mendoj se diplomacia ndërkombëtare do të mendojë esull për këtë gjë dhe në kohën optimale do të japë përgjigjen e duhur.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa do të ishte e pranueshme për institucionet e Kosovës, në këtë rast për Kuvendin, ideja që eventualisht UNMIK-u të mbetet në pjesën veriore të Kosovës dhe në pikat doganore?

RAMË BUJA

Unë besoj se arsyeja më racionale e mundshme do të thoshte që UNMIK-u e ka kryer misionin e vet, ka përfunduar detyrën e vet dhe me falënderimet kulmore për veprimet e mira që ka bërë në Kosovë, të shkonte nga Kosova, sepse unë besoj se nuk do të ketë asnjë rezultat, asnjë sukses, po të mbetej kudo, në çfarëdo cepi të Kosovës.

Prandaj, do të ishte mirë që të mendohet, të analizohet, të peshohet mirë kjo gjë dhe UNMIK-u të shkojë nga Kosova para 15 qershorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në pjesën veriore të Kosovës tani paralajmërohet formimi i komunave serbe që pasojnë zgjedhjet e 11 majit, të shpallura si ilegale. Sa shihet kjo nga institucionet e Kosovës, nga deputetët kosovarë, si përpjekje për të krijuar gjendje faktike atje dhe gjendje të ndarjes së asaj pjese nga Kosova?

RAMË BUJA
Nga të gjitha instancat pushtetore në Kosovë shihet me shqetësim të madh, padyshim. E themi me keqardhje që kjo gjendje aktuale është refleksion i pavendosmërisë vepruese të UNMIK-ut në Kosovë.

Prandaj, kjo gjë do të prodhojë negativitet, do të prodhojë gjëra të rënda dhe nuk kemi alternativë që ne vendorët, së bashku me ndërkombëtarët që do të vijnë tashmë, të bëjmë veprime më konkrete, më të arsyeshme, më racionale, më të vendosura, që ta vëmë kontrollin në tërë tërësinë territoriale të Kosovës.

Në të kundërtën, do të vazhdojë agonia jo vetëm politike, por edhe ajo ekonomike e zhvillimore e Kosovës. Të gjithë do të duhej ta kishin në mendje këtë gjë, të vepronin për ta qartësuar këtë situatë. Pushtetet lokale serbe të komunave serbe në Kosovë nënkuptojnë vetëm gjëra të zeza, të këqija, që nuk flasin për stabilitet, që është shumë i pritur dhe shumë i dëshiruar në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kuvendi i Kosovës bashkë me Qeverinë dhe të gjitha instancat tjera kanë investuar shumë në zbatimin e pakos së Ahtisaarit. Ndërkohë, ku mbetet ky mund, ky investim, në rast se nuk përfillet nga pjesa e komunitetit serb, duke pasur parasysh se plani i Ahtisaarit në pjesën më të madhe u dedikohet atyre?

RAMË BUJA

Në fakt, marrëveshjet janë të kuptimshme dhe kanë peshën e vet atëherë kur bëhen nga të dyja palët. Ne këtu kemi tri palë, kemi palën negociuese, kemi palën vendore që do të duhej ta implementonte këtë gjë dhe në fakt nëse pakoja e Ahtisaarit që është bërë ekskluzivisht për pakicën serbe ose në shumicë për pakicën serbe, nuk pranohet, atëherë nga vetë ata po shpallet e paqenë dhe e pavlefshme.

Kuvendi i Kosovës e ka bërë me shumë kujdes këtë gjë, por e ka bërë edhe me shumë përkushtim dhe liri veprimi, të vetëdijshëm se po bëjnë diçka që po i kapërcen të gjithë kufijtë e mundshëm të lirive të pakicave të përcaktuara nga normat ndërkombëtare.

Madje, unë inorizova me miqtë tanë evropianë, u thash se ‘po të dëgjojnë pakicat në shtetet e juaja, do të kërkojnë që të harmonizohen ligjet e Evropës me të Kosovës, sepse në fakt po ndodh diçka që është më shumë sesa tek ligjet e Evropës’.

Por, megjithatë, është një pozicion i mirë që ne japim të drejta për të tjerët dhe nuk jemi hiç mohues të kësaj, nuk jemi pishman i kësaj gjëje. Por, nëse ata nuk i pranojnë këto të drejta që po ua japim, ne nuk kemi çka të bëjmë. Dhe, kjo po ndodh aktualisht dhe fatkeqësisht.

Andaj, edhe hapi i bërjes së një veçantie të komunave serbe të Kosovës flet për diçka të tillë që ata nuk duan t’i respektojnë këto rregulla, këto ligje, këtë pako të Ahtisaarit, që flet shumëçka për ta.

Unë besoj se këto të drejta që do t’i gëzonin në Kosovë, do të jenë të drejtat më të avancuara mbase edhe në shtetin e tyre amë. Edhe në aspektin zhvillimor ekonomik do të jenë shumë të kuptimshme dhe gjithsesi të avancuara. Por, ata deri më tani nuk duan t’i respektojnë dhe kjo është më keq për ta, por gjithsesi edhe për ne.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë në Kuvendin e Kosovës kishte një debat për Ligjin për festat në Kosovë. Sa në fund ligji i miratuar i përmbushi kërkesat e juaja si deputetë, të parashtruara në seancën e parë?

RAMË BUJA
Kur procesi i caktuar hyn në biseda ose negociata, gjithsesi se nga ato negociata dilet me një marrëveshje që domethënë lëshim pe nga të dyja palët. Prandaj, Ligji për festat shkoi në këtë rrjedhë.

Kërkesa e deputetëve në shumicë absolute të tyre ishte që festat e karakterit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë të futen në kalendarin e festave dhe ato ishin Festa e Flamurit Kombëtar, Festa e Çlirimit dhe Festa e Dëshmorëve.

Këta emra u modifikuan, nuk u futen në një nen të veçantë, por megjithatë u futen në ligj, edhe aprovimi me aq vota ndodhi në Kuvendin e Kosovës, duke qenë rezultat i një kompromisi që u bë.

Meqë këto festa u futen në ligj dhe është obligim i Qeverisë që ato t’i realizojë ashtu siç do të duhej, besoj se është realizuar në shumicë kjo kërkesë e jona.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG