Ndërlidhjet

Konfuzion edhe për praninë e KFOR-it pas 15 qershorit


Paqeruajtësit e KFOR-it

Paqeruajtësit e KFOR-it

Paqartësia rreth pranisë së UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë pas 15 qershorit, po bartet edhe të misioni i paqeruajtësve. Zyrtarë të KFOR-it nuk dinë se ç'do ndodhë me ta, meqenëse zgjidhja nuk është gjetur ende as në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel.


Nga takimi i nesërm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, me sekretarin e NATO-s, Jap de Hoop Scheffer, shpresohet se do të dalë ndonjë zgjidhje për praninë e KFOR-it në Kosovë pas 15 qershorit.

Hyrja në fuqi e Kushtetutës më 15 qershor, sipas juristëve, do të krijojë një rend të ri juridik në Kosovë, rrjedhimisht do të duhej të ndryshohej edhe natyra e misioneve ndërkombëtare, të cilat deri tani kanë vepruar duke marrë për bazë Rezolutën 1244.

Zëdhënësi i KFOR-it, Jean Luc Cotard, thotë se të paktën deri më 15 qershor, veprimi i tyre do bazohet në këtë rezolutë.

“Deri në njoftimin e ardhshëm për të kryer misionin tonë, ne do të bazohemi në Rezolutën 1244 dhe, siç e dini, nesër do të takohen Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së. Do të presim se çka do të dalë nga ai takim. Por, natyrisht, nuk mund të them para takimit se cili do të jetë rezultati”.

“Edhe pse e dimë se do të ketë përpjekje për të gjetur zgjidhje dhe të qartësohet situata, siç presin shumë njerëz në Kosovë, por duhet të presim”, tha Cotard.

Si autoritet kryesor në Kosovë, deri më tani ka qenë shefi i UNMIK-ut, urdhrave dhe kërkesave të të cilit i janë bindur edhe paqeruajtësit e KFOR-it. Por, pas 15 qershorit nuk dihet nëse KFOR-i do t’u bindet kërkesave të qeverisë, apo të përfaqësuesit civil ndërkombëtar.

“Aktualisht, në rast të ndonjë emergjence, natyrisht që ne lejohemi të veprojmë dhe të ofrojmë siguri për të gjithë njerëzit. Por, çfarë do të bëhet pas 15 qershorit? Duket se deri në njoftimin e ardhshëm nuk kam përgjigje për këtë pyetje. Tash jemi nën mandatin e Rezolutës 1244, do t’i bindemi asaj. Pas 15 qershorit, presim instruksionet”, tha Cotard.

Instruksione janë duke pritur edhe zyrtarët e UNMIK-ut, të cilët pohojnë se janë duke planifikuar rikonfigurimin e këtij misioni pas datës 15 qershor, por nuk zbulojnë detaje të këtij veprimi.

“Nuk është se nuk kemi ide se çka do të ndodhë; është e qartë se ne po planifikojmë, por nuk do t’i zbulojmë detajet tash. Ne, për një kohë të gjatë, jemi duke planifikuar me kujdes dhe kur t’i kemi udhëzuesit e saktë nga Nju Jorku, atëherë mund të zbatojmë dhe veprojmë”.

“Ajo që dihet, është se në Kosovë do të ketë mision (ndërkombëtar) edhe pas 15 qershorit. Nuk jam i sigurt se kush do të jetë, por do të ketë autoritet pas kësaj date, siç ka pasur UNMIK-u”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Pakoja e Ahtisaarit sqaron rolin e misionit ndërkombëtar në Kosovën e pas statusit, por meqenëse dy anëtaret e Këshillit të Sigurimit (Rusia dhe Kina) kundërshtojnë këtë plan dhe pavarësinë e Kosovës me Rezolutën 1244 ende në fuqi, konfuzioni se çfarë do të bëhet pas fuqizimit të Kushtetutës, po shkon duke u rritur.

Në këtë kuadër, edhe pse parashihet me pakon e Ahtisaarit, NATO-ja ende nuk ka marrë vendimin për trajnimin dhe ngritjen e Forcave të Sigurisë.

“Nuk ka ende vendim për trajnimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Kjo është çështje politike dhe ne do të presim”, thotë koloneli Cotard, i cili, megjithatë, pohon se planifikimet për këtë çështje janë duke u bërë, por nuk do të ketë veprime para se të merret ndonjë vendim politik në selinë e NATO-s në Bruksel.

Me pakon e Ahtisaarit, edhe për një periudhë kohore, Kosova do të sigurohet nga misioni ndërkombëtar ushtarak, përderisa policia, drejtësia dhe doganat do të mbikëqyren nga misioni i BE-së, i koduar me emrin EULEX.

Por, edhe ky mision, ndryshe nga ç’ishte paraparë, duket se nuk do vendoset në Kosovë më 15 qershor, por në muajin shtator apo tetor. Këto paqartësi, sipas analistëve politikë, do t’i kushtojnë shumë Kosovës, madje do të vënë në mëdyshje edhe vetë shpalljen e pavarësisë së saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG