Ndërlidhjet

Sa mbrohen viktimat e trafikimit?



Zyrtarë të Qeverisë dhe prokurorë të Kosovës pajtohen se mund të ketë lëshime në zbatimin e ligjeve apo rregulloreve për të ndihmuar dhe përkrahur viktimat e trafikimit, por, sipas tyre, arsye e gjithë kësaj janë kushtet e vështira në sistemin e drejtësisë.

Fisnik Rexhepi, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pajtohet me vlerësimet që janë bërë në raportin e organizatës botërore për të drejtat e njeriut “Amnesty International”, por ai thotë se Qeveria e Kosovës është duke u angazhuar që të përmirësojë gjendjen në sistemin e drejtësisë, e konkretisht në fushën për mbrojtjen e viktimave të trafikimit.

“Pajtohem që situata nuk është e mirë, mirëpo është vlerësim i përbashkët që situata është duke ndryshuar për të mirë. Ne po angazhohemi më tërë potencialin. Vetëm të përkujtoj se deri më tash, në nivel nacional, autoritet përgjegjës për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, ka qenë zyra për qeverisje të mirë, pranë kryeministrit. Ndërkaq, tash përgjegjësia e koordinatorit nacional është ngritur në nivel të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thotë Rexhepi.

Tahir Rrecaj, kryeprokuror në Prokurorinë e Prishtinës, thotë se nëse shikohet funksionimi i sistemit të drejtësisë, në aspektin e përgjithshëm mund të paraqitet si i dështuar, por në qoftë se merren parasysh shkaqet, pse autoritet përkatëse kanë dështuar në këtë kuadër, atëherë shkaqet janë të natyrës objektive.

Dështimin në zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e viktimave të trafikimit, Tahiri e sheh tek numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Gjyqësia në Kosovë është një gjyqësi emergjente, e themeluar në fillim të vitit 2000, që në gjithë Kosovën, në të gjitha nivelet janë rreth 400 gjyqtarë dhe prokurorë. Dhe, është e pamundur që një gjyqtar të bëjë punën e pesë gjyqtarëve. Në disa gjykata, gjyqtarët janë të ngarkuar aq shumë, sa kanë punë për pesë vjetët e ardhshëm, edhe nëse nuk e marrin as një rast të ri”, shprehet Rrecaj.

Ndryshe, edhe përfaqësuese të organizatave joqeveritare në Kosovë shumë herë kanë kritikuar punën e deritashme të sistemit të drejtësisë, pikërisht në fushën e mbrojtjes së viktimave.

Hamije Dedolli, udhëheqëse e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, tha se viktimat e trafikimit janë shumë pak të mbrojtura në seancat gjyqësore dhe në të shumtën e rasteve, ato refuzojnë të dëshmojnë për shkak të frikës nga hakmarrja.

“Ndonjëherë edhe refuzojnë dhe është normale që frikësohen ta thonë të vërtetën, të japin dëshmi kundër kryerësve të veprës penale, ngase pasi që dalin prej gjykatës, ato absolutisht nuk kanë kurrfarë sigurie. Derisa nuk ka program për mbrojtjen e viktimave në Kosovë, sistemi i drejtësisë është i dështuar”, thotë Dedolli.

Ndryshe, në Kosovë ende nuk ekziston një ligj i veçantë për mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Viktimat e trafikimit mbrohen me anë të një rregulloreje të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë
XS
SM
MD
LG