Ndërlidhjet

MacShane: Populli i Kosovës të evitojë çdo provokim


Denis MacShane

Denis MacShane

“Kosova ka një periudhë të vështirë përpara, por me rëndësi është që populli i saj të mos bie pre e provokimeve dhe ta evitojë dhunën”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri britanik për Evropën, Denis MacShane.



Radio Evropa e Lirë
Zoti MacShane, Kosova tani është e pavarur, por ka shumë sfida përpara, sidomos pas 15 qershorit, meqenëse nuk ka ende qartësi rreth pranisë së UNMIK-ut dhe të EULEX-it. Ju, si e shihni këtë situatë?

Denis MacShane

Qartazi, është e rëndësishme se 41 shtete nga tërë bota dhe shtetet më të rëndësishme e kanë njohur të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si shtet. Kosova para vetes ka një periudhë të vështirë, pas deklarimit të shtetësisë dhe tani duhet ta ndërtojë shtetin. Ajo që duam tani - duam të shohim Qeverinë e Kosovës me më shumë autoritet, duam të shohim sundimin e ligjit të vendosur nga EULEX-i.

Unë mendoj se UNMIK-u duhet që seriozisht të shqyrtojë, nëse duhet të zvogëlojë operimet dhe praninë e tij këtu, sepse përballë krejt logjikës dhe arsyeshmërisë, serbët dhe rusët insistojnë që Kosova mbetet pjesë e Serbisë, që teknikisht theksohet në Rezolutën 12 44. Por, realiteti në terren është ngjashëm si është rasti me Malin i Zi, i cili është i pavarur, si Kroacia, Sllovenia, që janë të pavarura.

Tash edhe Kosova është e pavarur. Por, populli i Kosovës duhet të evitojë çfarëdo provokimi, sepse unë mendoj se do të ketë provokime që do të përpiqen t’i mërzisin kosovarët, por ata duhet të mos bien pre, meqë e kaluara e tyre ka qenë gjithmonë paqësore dhe jo e dhunshme.

Radio Evropa e Lirë
Ka zëra që thonë se ende ka rrezik për dështim në krijimin e shtetit funksional të Kosovës. Ekziston ky rrezik?

Denis MacShane
Nuk mendoj se kjo është e drejtë, sepse unë e vizitova Kosovën pas 2 apo 3 vjetësh dhe pashë një ekonomi më të fuqishme në Prishtinë, pashë shtëpi të reja, pashë të rinj që ndjehen krenarë se janë kosovarë.

Po, është e vërtetë se nuk ka aq para sa ndonjë shtet në Evropë, por mendoj se ka mundësi të mëdha për Kosovën si një shtet i vogël në Ballkan dhe është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar ta kuptojë këtë, ndërsa Kosova duhet ta demonstrojë këtë duke respektuar sundimin e ligjit, të heqë dorë nga korrupsioni, të evitojë dhunën dhe ta bëjë Kosovën më të pastër dhe të qartë.

Ky është një shtet krenar, që ka besim ne vete dhe ka njerëzit që do ta ndërtojnë një të ardhme të ndritshme për të.

Radio Evropa e Lirë
Në një ligjëratë thatë se keni kërkuar nga Serbia që ‘ta lejojë Kosovën të jetë Kosovë’. Kur mendoni se do të ndodhë kjo?’

Denis MacShane
Për shumë serbë, si pasojë e dezinformimit, Kosova, një pjesë e saj, është e mbushur me tradita kulturore serbe. Kështu që është vështirë të ketë një përgjigje, sepse kemi shtete evropiane, të cilat dje, 20 vjet më parë, apo 40, 50 vjet më parë, kanë jetuar duke u kontrolluar nga të tjerët dhe tash janë shtete të pavarura.

Merr kohë, duhet të kalojnë breza e breza, por Kosova dhe Serbia kanë zgjidhjen - të lënë prapa të kaluarën dhe të ecin përpara. Nëse Serbia ende pretendon se Kosova nuk mund të jetë shtet, kjo dëshpërueshëm nënkupton se Serbia po shikon në të kaluarën. Pikëpamja ime është se Kosova duhet të shikojë kah e ardhmja.

Mësimi që duhet mësuar nga e kaluara, veçanërisht nga i ndjeri presidenti Rugova, është se duhet evituar çfarëdo lloj dhune, të mos ketë imazh të armiqësisë në botë, edhe pse nganjëherë do të ketë provokime dhe vështirësi – disa elemente në shtetet fqinje do të mundohen që të shkaktojnë telashe, trazira në Kosovë.


XS
SM
MD
LG