Ndërlidhjet

FDH: Qeveria të përpiqet më shumë për pakicat


Fondi për të Drejtën Humanitare
Fondi për të Drejtën Humanitare

Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje më të mëdha, në mënyrë që të përmirësohet pozita e komuniteteve pakicë në Kosovë dhe të respektohet e drejta e tyre për punësim, përdorim të gjuhës amtare në jetën e përditshme dhe arsimim në gjuhët e pakicave.


Këto janë disa nga rekomandimet, të cilat Fondi për të Drejtën Humanitare, zyra në Prishtinë, ua ka bërë institucioneve kosovare, nga një hulumtim të cilin e ka publikuar sot.

Ardita Metaj Dika, koordinatore e projektit, vlerëson se minoritetet janë të integruara në shoqërinë kosovare, por jo në nivelin e duhur.

“Raporti në përgjithësi ka vërejtur se liria e lëvizjes e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, është në nivel të kënaqshëm. Kur flasim specifikisht për komunitetin serb, vërehet se ndikimi i moszbardhjes së disa incidenteve sporadike që ndodhën në Kosovë, ka ndikuar te ata në krijimin e një frike dhe pasigurie për të jetuar në Kosovës, edhe pse ata personalisht nuk kanë përvoja individuale, qoftë të sulmeve apo fyerjeve të ndryshme", tha zonja Metaj Dika.

Ajo shtoi se mosangazhimi i institucioneve të Kosovës në këtë drejtim ka rritur ndjenjën e pasigurisë. Në anën tjetër, zonja Metaj Dika thotë se në atë pasiguri të komunitetit serb ka ndikuar edhe presioni i Serbisë të banorët serbë të Kosovës.

"Vazhdimisht janë bërë ftesa që ata të mos jenë pjesë e institucioneve të Kosovës, sidomos pas zhvillimeve të fundit politike, që t’i lëshojnë vendet e punës. Në një mënyrë, ata gjenden në një situatë shumë të palakmueshme. Në njërën anë, kanë nevojë për të qenë të integruar dhe për të pasur një jetë normale në Kosovë dhe në anën tjetër ballafaqohen me një presion të madh", shprehet zonja Metaj Dika.

Ajo thekson se edhe shqiptarët që jetojnë në pjesët e banuara me shumicë serbe nuk e kanë lirinë e duhur të lëvizjes.

“Shqiptarët që jetojnë në komunat në veri të Kosovës dhe në ato komuna ku komuniteti serb e përbën shumicën, nuk e kanë lirinë e plotë të lëvizjes",
u shpreh koordinatorja e projektit, zonja Ardita Metaj Dika.

Osman Osmani, i cili i takon komuniteti rom, thotë se në vendet e banuara me shumicë rome siguria dhe liria e lëvizjes është e kufizuar, për shkak se ai komunitet, sipas tij, nuk i njeh mirë gjuhët zyrtare.

“Është problemi se pjesa e komunitetit rom që jeton në enklava, shumë pak e njeh gjuhën shqipe. Domethënë, mosnjohja e gjuhës shqipe është njëri prej faktorëve të lirisë së lëvizjes së tyre në vende të ndryshme të Kosovës", tha Osmani.

Sandra Olloviq, zëvendëse e drejtoreshës ekzekutive të Fondit për të Drejtën Humanitare, thotë se për një shoqëri të dalë nga lufta, marrëdhëniet ndëretnike konsiderohen si çështje që kërkojnë një trajtim të veçantë.

"Në periudhën në vijim ne do të vazhdojmë të merremi me këto tema dhe të përcjellim zbatimin e ligjit dhe të standardeve për të drejtat e pakicave në Kosovë, ngase ne besojmë se kjo temë dhe këto çështje janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës", tha zonja Olloviq.

Kurse, zëvendësdrejtori i zyrës së komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Bashkim Ibishi, konsideron se 8 vjet pas luftës mungon liria e lëvizjes. Ai thotë se Qeveria e Kosovës do të punojë në atë drejtim që siguria dhe liria e lëvizjes të përmirësohen.

“Në bashkëpunim me komunitetet do të përparohet gjendja e tyre në aspektin ekonomik, social, si dhe qasja në institucione të punësimit etj.", tha Ibishi.

Po ashtu, në raportin e publikuar sot nga Fondi për të Drejtën Humanitare jepen edhe disa rekomandime për Qeverinë e Kosovës, si krijimi i kushteve për siguri dhe integrim të të gjitha komuniteteve etnike në shoqërinë kosovare, përfshirja e pjesëtareve të pakicave në proceset vendimmarrëse, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me respektimin e të drejtave të pakicave etj.
XS
SM
MD
LG