Ndërlidhjet

Tetovë: Situata e qetë pas incidenteve të djeshme


Situata në Tetovë sot është më e qetë pas incidenteve që ndodhën mbrëmë vonë në mes të aktivistëve të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare, në të cilat, sipas partisë së Ali Ahmetit, ishin involvuar edhe pjesëtarët e njësitit policor "ALFA", me qëllim të provokimit të situatës.

BDI-ja bëri të ditur për rrahjen dhe arrestimin e disa anëtarëve të saj para dhe pas mitingut të fundit të kësaj partie në Tetovë.

Zëdhënësja Ermira Mehmeti tha se në ndjekjen e aktivistëve të BDI-së është përfshirë edhe djali i kryetarit të Këshillit Gjyqësor Republikan, Beqir Iseni, i cili me kondakun e pushkës ka rrahur dy fshatarë, ndërsa ka kërcënuar të tjerët për të mos shkuar në miting.

Policia ka konfirmuar incidentin, por nuk ka dhënë detaje tjera. Policia gjithashtu tha se pjesëtarët e saj kanë qenë në ndjekje të një anëtari të BDI-së, për të cilin thuhej se ka sulmuar një person të komunitetit maqedonas.
XS
SM
MD
LG