Ndërlidhjet

"Parlamenti Evropian trajton Kosovën shtet"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Reagimet e ashpra të Serbisë për shkak të vendosjes së flamurit shtetëror të Kosovës në sallën e Parlamentit Evropian në Bruksel nuk kanë pasur sukses. Po ashtu, as përpjekjet e deputetes nga Greqia, Podimata, që në deklaratë te përbashkët të mos përmenden atribute që Kosovën e dëshmojnë si shtet, nuk patën sukses. Të enjten, në Bruksel, ka përfunduar punën takimi i parë i delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe delegacionit për marrëdhënie me Evropën Juglindore të Parlamentit Evropian. Takimi ka përfunduar, siç kishte filluar, me flamurin e Republikës së Kosovës në ballë të sallës dhe me tekstin e përbashkët, i cili Kosovën nuk e dallon prej shteteve të tjera. Argumentet që për këtë i ka paraqitur Doris Pack, përfaqësuese demokristiane nga Gjermania, që është edhe kryesuese e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, ishin se Kosova është bërë shtet sipas planit te Ahtisaarit dhe Parlamenti Evropian e kishte mbështetur këtë plan me shumicë votash në seancë plenare mbi dy të tretat. Pjesa e punës e debatit ishte kryesisht e lidhur me situatën politike në Kosovë dhe me pritjet se çfarë do të ndodhë pasi të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës...

ZËRI
Zyrtarë të OKB-së nuk kanë dhënë ndonjë detaj për përmbajtjen e bisedave që kanë zhvilluar në Nju-Jork Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hoop Skefer. Një takim që është paralajmëruar në protokollin zyrtar të të parit, është cilësuar më vonë si "takim privat" nga një zëdhënës i OKB-së. Dy drejtuesit e dy organizatave më të njohura ndërkombëtare në agjendë të bisedave kanë pasur kryesisht çështjen e Kosovës, respektivisht konfuzionin e krijuar rreth përgjegjësisë ndërkombëtare në shtetin më të ri pas 15 qershorit, dita kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Por, Ban Ki-Mun dhe Jap de Hoop Skefer duket se nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët rreth këtyre çështjeve. "Nuk kam shumë për të thënë. Po përkujtoj se OKB është në Kosovë që nga viti 1999 në bazë të Rezolutës 1244 dhe do të mbesë aty derisa Këshilli i Sigurimit të vendosë ndryshe", ka thënë zëdhënësi i OKB-së, Brendon Varma për BBC-në në gjuhen serbe. Misioni i BE-së, EULEX, është duke u përgatitur për t'i marrë përgjegjësitë në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit, por OKB është treguar "dorështrënguar" për t'u larguar nga kompetencat që i mban që nga viti 1999...

KOSOVA SOT
Përkundër deklaratave se nuk kanë filluar përgatitjet për krijimin e FSK-së, KFOR-i nuk e mohon ardhjen e ekspertëve të NATO-s që do të
merren me trajnimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndonëse ekziston një deklaratë e qartë e lëshuar më herët nga komandanti i KFOR-it, Xavier De Marnak, se aktualisht nuk ka ndonjë vendim për trajnimin e FSK-së, kjo nuk nënkupton se KFOR-i nuk e ka një plan për krijimin e kësaj force, plan ky i botuar muaj më parë në gazetën "Kosova Sot". "Me sa e di unë, komandanti ka bërë një sqarim, nuk ka kurrfarë trajnimi te FKS-së për momentin. Kjo është një çështje politike dhe për të duhen urdhra. Për momentin nuk kemi asnjë urdhër politik për të krijuar këtë force", thotë zëdhënësi i KFOR-it, Zhan Luk Kotard. Mirëpo, i pyetur nga gazeta për punësimin e rreth 50 përkthyesve të rinj, të pranuar në KFOR, përkthyes këta që do të punojnë me ekspertet e NATO-s, që do të trajnojnë FSK-në, Kotard thotë se është ndryshe të veprosh dhe ndryshe të mendosh...

EPOKA E RE
Komisari Evropian për Zgjerim, Oli Ren, ka deklaruar të enjten se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës është në duart e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me këtë ka reaguar ndaj pohimeve të disa deputetëve të Parlamentit Evropian se me ngritjen e flamurit të Kosovës së pavarur, Parlamenti i BE-së e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. "Nuk kam raport të hollësishëm për këtë ngjarje", u ka thënë fillimisht gazetarëve Ren, duke theksuar se Komisioni Evropian "punon në bazë të vendimeve të përbashkëta të Bashkimit Evropian". "Komisioni Evropian nuk ka autorizime që ta njohë ose jo cilindo shtet", ka bërë të ditur komisari evropian për zgjerim. Siç ka theksuar ai, "çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës është në duart e vendeve anëtare të BE-së. Njëzet sosh e kanë njohur Kosovën dhe njohja e cilitdo shtet është në përgjegjësitë nacionale"...

EXPRESS
Liderët e institucioneve të Kosovës dhe partitë opozitare po iu referohen dokumenteve dhe argumenteve të ndryshme kur është fjala për organizimin e zgjedhjeve, duke shkaktuar dilemë se sa zgjat mandati aktual i institucioneve. Krerët e partive të koalicionit qeverisës PDK dhe LDK thonë se çështja e organizimit të procesit të ri zgjedhor duhet të zgjidhet me Kushtetutë, e cila pritet të miratohet muajin e ardhshëm. Ata janë të bindur se zgjedhjet e fundit në vend u kanë siguruar mandat katërvjeçar. Partitë opozitare, ndërkaq, kanë kërkuar që zgjedhjet e reja të mbahen ashtu siç parashikohet në një provizion të pakos së emisarit Martti Ahtisaari, 9 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij dokumenti. Kjo është shtyrë veçmas nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Mirëpo, kjo pikë tashmë është bërë objekt interpretimesh duke lënë të pazgjidhur kohën e mbajtjeve të zgjedhjeve të reja. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, të cilit ligjërisht do t'i takojë shpallja e zgjedhjeve pas miratimit të Kushtetutës, thotë se zgjedhjet janë mbajtur. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, tha të enjten për Express se zgjedhjet e nëntorit të kaluar janë pikërisht ato që janë paraparë me pakon e Ahtisaarit...

INFOPRESS
Duke prezantuar para përfaqësuesve të Komisionit Evropian punën e Qeverisë së Kosovës gjatë muajve të kaluar, kryeministri Thaçi ka thënë se ka pasur një dinamikë të shtuar në procedimin e ligjeve që rezultojnë nga plani i Ahtisaarit dhe siç u shpreh ai, me krenari mund të thuhet se shumica e këtyre ligjeve tani janë miratuar dhe institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që këto ligje të mos mbesin teori, por të zbatohen në tërësi. "Programi i Qeverisë 2008-2011 paraqet bazën për Kosovën shtet i qytetarëve të saj, i zhvilluar në përputhshmëri me principet demokratike, me një ekonomi të qëndrueshme, mjedis shumetnik, me përkushtim të plotë kundrejt integrimit evropian dhe euroatlantik, përmes zbatimit të kritereve dhe me standardet më të larta të përgjegjësisë dhe transparencës", tha kryeministri Thaçi. Ndërkaq, shtoi se Kosova dëshiron të jetë një shembull për rajonin dhe më gjerë në përqafimin e vlerave demokratike dhe evropiane...

BOTA SOT
"Investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë dhe demokracinë në Kosovë janë të pazëvendësueshme, ndaj ne i konsiderojmë SHBA-të, së bashku me Bashkimin Evropian, partnerët tanë kryesorë", tha presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një tak-imi që pati me një delegacion të German Marshall Found of the United States, institucion jopartiak amerikan për zhvillimin e politikave që është i përkushtuar për të promovuar dhe për të nxitur bashkëpunimin në mes SHBA-ve dhe vendeve të Evropës. Presidenti Sejdiu ritheksoi qëndrimin e institucioneve të vendit tonë se Kosova do të jetë shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj, me një kujdes të veçantë për pakicat dhe integrimin e tyre të plotë. "Republika e Kosovës ballafaqohet me sfida të ndryshme dhe me trysni të vazhdueshme nga fqinji verior, Serbia, por ne jemi të përkushtuar qe me politikë të matur dhe me durim t'i tejkalojmë ato", pohoi Sejdiu...

LAJM
Raporti vjetor i "Amnesty International" ka vërtetuar ato që një vit më herët Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ) dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë paraqitur si fakte për gjendjen në Kosovë, sa i përket sistemit të drejtësisë dhe proceseve gjyqësore. Vërejtjet e kësaj organizate, sipas përfaqësueseve të organizatave joqeveritare dhe zyrtarëve institucionalë, qëndrojnë pjesërisht, përjashtuar përfshirjen e pakicave në bisedimet për statusin dhe kthimin. Bexhet Shala, drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së, tha se ky raport paraqet të njëjtat shqetësime që i ka paraqitur organizata e tij më herët. "Kemi një përforcim faktesh. Liria e lëvizjes së qytetarëve në Kosovë nuk është e cenuar, përveç pjesës së banorëve shqiptarë në veri të vendit, të cilët e kanë të kufizuar lëvizjen. Sa i përket kthimit, nëse ka mangësi, ato janë të UNMIK-ut dhe Beogradit. Ne kemi thënë se UNMIK-u ka dhënë urdhër për vrasjen e dy protestuesve dhe nuk ka mundur ta dënojë vetveten", tha Shala. Sipas tij, mosmbrojtja e dëshmitarëve dhe dështimi i procesit gjyqësorë janë gjëra që UNMIK-u i ka bërë me qëllim...

XS
SM
MD
LG