Ndërlidhjet

Kontrabanda në veri rrit krimin e organizuar


Pamje nga djegia e pikës kufitare në Jarinë, 19 shkurt 2008.
Pamje nga djegia e pikës kufitare në Jarinë, 19 shkurt 2008.

Janë bërë më shumë se tre muaj që kur Shërbimi Doganor i Kosovës nuk kontrollon në pikat kufitare në veri të Mitrovicës dhe zyrtarë të këtij shërbimi as që kanë ndonjë informatë, se kur mund të marrin kontrollin në atë pjesë.




Naim Huruglica, drejtor i Shërbimit Doganor të Kosovës, pohon se kjo gjendje po ndikon rëndë në buxhetin dhe ekonominë e Kosovës, për shkak që, sipas tij, në atë pjesë në masë të madhe po zhvillohet kontrabanda e mallit, e posaçërisht kontrabanda me derivate të naftës.

"Në realitet, ne kemi pasur tendenca të derivateve të naftës për kontrabandim, kur është vendosur një kontroll më strikte nga ana jonë; kanë filluar të ndërrojnë metodën e punës, dhe nga transportimi në sasi të mëdha në jug të Kosovës, kanë filluar njerëzit me makina të vogla ose në forma shtesë, me 100 ose 200 litra, të shkojnë në veri dhe të furnizohen, në vendet ku njësitë tona nuk kanë pasur qasje", thotë Huruglica.

Edhe analistë të ekonomisë pohojnë se mosmenaxhimi i pikave kufitare në veri të Kosovës nga Shërbimi Doganor i Kosovës, ka krijuar një situatë të vështirë në aspektin ekonomik.

Bedri Selmani pohon se kjo gjendje buxhetit të Kosovës do t'i kushtojë humbje deri në 50 për qind. Ai, madje, thotë se në atë pjesë të Kosovës në përmasa të mëdha është zhvilluar krimi i organizuar.

"Kjo gjendje është bërë e padurueshme, është duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme. Ne e dimë fare mirë se ekonomia kosovare është e varur nga importi. Këtu thjesht është krijuar kriminaliteti i organizuar, të cilit duhet patjetër me masa ligjore t'i vihet kontrolli", thotë Selmani.

Megjithatë, Selmani pohon se pas 15 qershorit, kur edhe hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës, në radhë të parë, duhet të marrin masa në atë pjesë të Kosovës.

"Kjo gjendje nuk mund të mbahet më tutje dhe unë besoj se pas 15 qershorit, institucionet e Kosovës e kanë të drejtën e plotë legjitime që të kërkojnë respektimin e ligjit në të gjitha pikat doganore, të cilat thjesht duhet patjetër të kontrollohen", shprehet Selmani.

Por, drejtori i Shërbimit Doganor të Kosovës, Naim Huruglica, ende nuk ka informata se kur mund të mbikëqyrën pikat doganore nga punëtorët e këtij shërbimi.

"Unë nuk e kam një informatë të tillë, nuk mund të them për asnjë datë. Ne kemi pasur vazhdimisht premtime se do të jetë së shpejti; kur them premtime, në kuptimin e asaj që organet e sigurisë, policia dhe KFOR-i do të na sigurojnë stafin doganor, që të kthehemi dhe të punojmë punën tonë. Nuk ka diçka të re, që të mund të thuhet se në këtë datë apo në atë datë do të ndodhë diçka", tha Huruglica.

Ndryshe, pikat doganore në Jarinë dhe Zubin Potok, që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës, janë djegur në shenjë pakënaqësie pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, nga 48 pjesëtarë serbë të Shërbimit Doganor të Kosovës, 45 prej tyre tashmë kanë dhënë dorëheqje.
XS
SM
MD
LG