Ndërlidhjet

logo-print

Pozita dhe opozita për njohjen e shtetit


Flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Republikës së Kosovës

Opozita kosovare i hedh një pjesë të madhe të fajit qeverisë, për numrin e vendeve që kanë njohur Kosovën. Sipas opozitës, pritej të ketë një numër shumë më të madh të vendeve që do ta njihnin Kosovën e pavarur.




Qeveria dhe opozita në Prishtinë ndajnë vlerësime të ndryshme në lidhje me lobimin që është bërë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Përderisa kryeministri dhe Qeveria e Kosovës konsiderojnë së është bërë një punë e madhe në njohjen e Kosovës si shtet, opozita konsideron se lobimi është keqpërdorur dhe keqinterpretuar nga ana e qeverisë. Madje opozita ia mvesh një pjesë të fajit për një njohje të ngadalshme pikërisht kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës dhe disa deklaratave të bëra.

Por, kryeministri Hashim Thaçi, në anën tjetër, thotë se institucionet dhe qeveria kanë bërë një punë shumë të madhe në çështjen e njohjes së Kosovës, ku, sipas tij, po angazhohen dhe personalitete të rëndësishme të politikës botërore.

“Dua të potencoj se i gjithë arsenali diplomatik është në lëvizje për njohjen e shtetit të pavarur, sovran e demokratik të Kosovës nga komuniteti i mbetur për të njohur Kosovën shtet dhe gjithë miqtë, partnerët, gjithë personalitetet e fuqishme botërore janë të aktivizuara në mbështetje të këtij aktiviteti”, thotë Thaçi.

Ndërkohë, Aleanca Kosova e Re, sipas zëdhënësit Arbër Geci, konsideron se qeveria ka mundur të bëjë shumë më tepër në aspektin e njohjes. Sipas Gecit, vet ndërtimi i Ministrisë së Jashtme ishte një prej treguesve se sa me joseriozitet e ka marrë qeveria çështjen e njohjes.

“Ka mundur të bëhet shumë më tepër në këtë aspekt. Qeveria e Kosovës ka dështuar në disa elemente të rëndësishme rreth procesit të njohjes dhe ndërkombëtarizimit të kësaj çështjeje rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke filluar nga rëndësia dhe serioziteti me të cilën është themeluar Ministria e Jashtme e deri te disa probleme tjera, rreth disa prononcimeve jo shumë të duhura si të kryeministrit, ashtu edhe qeveritarëve tjerë”,
tha Geci.

Ndërkaq, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, thotë se ka qenë në interes të Kosovës që të ketë një numër shumë më të madh të vendeve që do ta kishin njohur Kosovën, në mënyrë që në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në tetor të këtij viti, Kosova të konkurronte për anëtarësim.

Edhe AAK, thekson Tahiri, konsideron se njohja do të ishte në favor edhe të anëtarësimit të Kosovës në institucionet monetare ndërkombëtare. Lobimi si edhe shumë çështje të tjera, sipas Tahirit, nuk janë analizuar sa duhet dhe me kohë.

“Pranimi i Kosovës si shtet i pavarur nga një numër më i madh shtetesh ndikon drejtpërdrejtë në investime të kapitaleve dhe në pranimin e Kosovës në institucionet monetare ndërkombëtare, si në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Si Kosovë jemi marrë kryesisht se si do të duket ‘dita 1’, do të thotë e shpalljes, dhe jo me një evidentim të një plani të çështjeve themelore, si njohja, çështja e veriut e tjera”, tha Tahiri.

Opozita kritikon qeverinë edhe për faktin se e ka ndarë njohjen e Kosovës si shtet në njohje kualitative dhe kuantitative. Sipas opozitës, qeveria është dashur të jetë mirënjohëse ndaj të gjitha vendeve që kanë njohur Kosovën, pavarësisht se për cilat vende bëhet fjalë, pasi që ndarja në njohje kualitative dhe numerike, sipas opozitës, i ka shtyrë disa vende që ta shqyrtojnë pozicionin e tyre për njohjen e Kosovës.

Ndryshe, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur deri më tash 42 vende.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG