Ndërlidhjet

Si të forcohet shtetësia e Kosovës?



Ekspertë juridikë kosovarë dhe diplomatë nga Shqipëria thonë se tri shtyllat kryesore të Kosovës, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria, duhet të punojnë më shumë në forcimin e ligjeve, në mënyrë që të ngritën kapacitetet e shtet-formimit.

Muhamet Kelmendi, jurist, thotë se nuk është e mjaftueshme që vetëm të miratohen ligjet. Por, sipas tij, ato edhe duhet të zbatohen.

“Kapaciteti duhet të shkojë kah ndërtimi i fushës së legjislacionit, sepse qëllimi nuk është vetëm përkthimi i ligjeve të tilla në mënyrën origjinale, në gjuhen shqipe, por duhet të jetë edhe përshtatja e rrethanave shoqërore, ekonomike, politike, juridike, të kombeve, të kombësive që jetojnë në Kosovë. Pra, është një punë jashtëzakonisht e gjerë dhe nuk është vetëm përkthimi, e pastaj ngritja e dorës në Kuvend, por duhet përshtatur, në mënyrë që ai të jetë i zbatueshëm", tha Kelmendi.

Për zotin Kelmendi, çështje tjetër në të cilën duhet të punohet më shumë në forcimin e shtetit, është edhe forcimi i sistemit gjyqësorit.

“Një ndër kapacitetet tjera është gjyqësia. Ne kemi një gjyqësi, e cila e dimë se si është trashëguar, çfarë pozicioni ka. Vështirësitë janë shumë të mëdha dhe krijimi i këtyre kapaciteteve, kur të ndërtohet një shtet juridik, kur të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe shtetit, me të vërtetë është një punë jashtëzakonisht e madhe", tha Kelmendi.

Edhe Lisen Bashkurti, ish-ambasador i Shqipërisë në Nju Jork, konsideron se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, komuniteti ndërkombëtar nuk e ka vëmendjen në Kosovë ashtu siç e kishte para shpalljes së saj. Zoti Bashkurti thotë se tash institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë për ta forcuar shtetin.

“Unë mendoj se në këtë proces të ngritjes së institucioneve të Kosovës, dy janë prioritete strategjike për Qeverinë e Kosovës. E para, ngritja e ministrisë së punëve të jashtme dhe shërbimit diplomatik të Kosovës dhe sfida e integrimit në organizatat universale dhe rajonale, duke filluar nga Kombet e Bashkuara deri te Unioni Evropian dhe në NATO. Unë mendoj se Qeveria e Kosovës këtu është para një sfide serioze për ndërtimin e ministrisë së punëve të jashtme dhe kapaciteteve diplomatike", tha Bashkurti.

Këto komente janë bërë sot në një konferencë të organizuar nga Universiteti Mbretëror Iliria në Prishtinë, që si përfundim doli se institucionet e Kosovës duhet ë angazhohen më shumë për të lobuar rreth njohjes se pavarësisë dhe forcimit të saj në aspektin ligjor.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG