Ndërlidhjet

Dy javë para se të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, qeveria është e sigurt se më 15 qershor do t’i marrë plotësisht kompetencat që i takojnë me Kushtetutë. Por, një siguri e tillë nuk vërehet te misionet ndërkombëtare në Kosovë.


Qeveria e Kosovës është e sigurt se fill pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, do të marrë kompetencat që i takojnë. Por, përgjegjësitë që pas 15 qershorit, UNMIK-u do të duhej t’ia bartte misionit të BE-së, i sheh si çështje për të cilën duhet merret vesh Brukseli me Nju Jorkun. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk ka dilema për përgjegjësitë që do t’i marrin më 15 qershor institucionet e Kosovës.

“Kushtetuta e Kosovës parasheh kompetenca të veçanta për institucionet vendore dhe një mbikëqyrje të veçantë për ato ndërkombëtare. Kompetencat, sa i përket institucioneve vendore, më 15 qershor në orën 00:00, do të barten të gjitha në institucionet e Republikës së Kosovës dhe Kushtetuta do të respektohet në tërësi, jo një nen, apo 90 për qind, por qind për qind”, thotë Kuçi.

Përveç fushës së mbrojtjes, ku edhe më tej fjalën kryesore e thonë forcat paqeruajtëse të NATO-s, në fushat tjera, sipas Hajredin Kuçit, kosovarët do të jenë ata që do të qeverisin. Misioni i ri evropian, sipas tij, do të ketë vetëm rol mbikëqyrës, por assesi qeverisës.

“Pjesa mbikëqyrëse do të mbetet ashtu siç është paraparë edhe me Kushtetutë, por në kuptimin e vendimmarrjes, në organizim, të gjitha kompetencat do të barten te institucionet dhe Kosova do të funksionojë si shtet sovran, i pavarur dhe demokratik.
Ndërkombëtarët do të kenë bashkëpunim me vendorët, por assesi qeverisje”,
shprehet Kuçi.

Kushtetuta e Kosovës ka për bazë pakon e Ahtisaarit, pako kjo që parasheh një mbikëqyrje të drejtësisë, doganave dhe policisë nga ana e EULEX-it edhe për një periudhë kohore. Por, zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, nuk është i sigurt nëse më 15 qershor, UNMIK-u do t’i transferojë kompetencat te misioni i ri evropian.

“Nuk mund të flasim për kompetenca që tani, por ajo që mund të themi është se diskutimet për këtë çështje janë duke u zhvilluar në mes të Nju Jorkut dhe Brukselit, si dhe akterëve të tjerë. Kur të kemi instruksione nga Nju Jorku, nga selia qendrore, vetëm atëherë mund të flasim për bartje kompetencash”, thotë Geekie.

Të pasigurt se do të vendosen në Kosovë mbesin zyrtarët e EULEX-it, sepse për një gjë të tillë duhet arritur një marrëveshje mes Nju Jorkut dhe Brukselit. Rezoluta 1244 pengon vendosjen e misionit të ri evropian, përderisa janë hedhur ide që UNMIK-u dhe EULEX-i të bashkëveprojnë. Sidoqoftë, e sigurt se do nisë plotësisht punën më 15 qershor është Zyra Civile Ndërkombëtare, detyra e së cilës është monitorimi i zbatimit të pakos së Ahtisaarit.

“Pas 15 qershorit, Zyra Civile Ndërkombëtare do t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë me pakon e Ahtisaarit. Jemi të sigurt për këtë, sepse Qeveria e Kosovës na ka ftuar këtu për t’u marrë me këtë punë. Kosova është e pavarur duke marrë për bazë këtë pako. Unë mund të flas për zyrën tonë dhe ne jemi gati. Ekipi ynë i planifikimit ka qenë këtu për disa vite dhe zyrat tona po funksionojnë. Sa na përket neve, ne do ecim përpara”, tha Andy McGuffie, zëdhënës në Zyrën Civile Ndërkombëtare.

Sidoqoftë, edhe pse institucionet e Kosovës shprehin bindjen se kompetencat që u takojnë do t’i marrin më 15 qershor, analistët shtrojnë dilemën e funksionimit të misioneve ndërkombëtare, përzierja e të cilëve mund të krijojë një kaos në qeverisje. Sipas tyre, shtrirja e pushtetit në veriun e kontrolluar nga strukturat paralele serbe, mbetet një sfidë tjetër si për qeverinë, ashtu edhe për misionet civile ndërkombëtare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG