Ndërlidhjet

Një i vrarë dhe disa të plagosur në Maqedoni


Shkupi

Shkupi

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni janë përcjellë me disa incidente, të cilat lanë të vrarë një person dhe disa të tjerë të plagosur. BDI thotë se i vrari është mbështetës i kësaj partie. Incidentet kanë ndodhur në Shkup, Tetovë e Gostivar.


Një i vrarë, shumë persona të plagosur, mbushje të kutive dhe ndërprerje të procesit votues është bilanci i procesit të sotëm zgjedhor në Maqedoni.

Në Haraçinë të Shkupit, nga plagët e marra nga armët e zjarrit, ka vdekur një shqiptar, Naser Ajvazi ,40 vjeç, kurse disa të tjerë janë plagosur në përleshjet me policinë.

Incidente të rënda kanë ndodhur edhe në Çair, ku gjithashtu ka pasur të plagosur. Të gjitha këto incidente janë konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Dy incidentet më të mëdha kanë ndodhur në rajonin e Shkupit, njëri prej të cilëve në Haraçinë, ku policia ka shkuar pas ftesës së organeve policore në këtë fshat, për të ndaluar gjashtë persona, të cilët kishin shkuar në një fshat për të protestuar, për shkak se një personi të grupit nuk iu lejua të votojë për tërë familjen”.

“Ky grup më pas i ka zënë pritën policisë dhe në përleshjet me policinë, njëri prej tyre edhe ka vdekur nga plagët e marra, ndërsa policia ka arrestuar 9 persona. Sa i përket rastit të Çairit, bëhet fjalë për sulm të një grupi të armatosur ndaj policisë, ku gjithashtu pati të plagosur edhe kalimtarë të rastit apo persona që prisnin për të votuar”, tha zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski.

Incidenti në Haraçinë bëri që Komisioni Shtetëror Zgjedhor të marrë vendim për anulimin e votimit në këtë zonë, ndërkohë që për shkak të incidenteve, votimet janë ndërprerë edhe në disa vendvotime tjera në Shkup, Tetovë e Gostivar. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 13, në votime kanë dalë rreth 28 për qind e trupit votues, që numëron rreth 1 milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Bashkimi Demokratik për Integrim për të gjitha incidentet ka akuzuar policinë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se në shënjestër të policisë ka qenë edhe selia e kësaj partie në Shkup.

“Gjendja në Shkup është shumë alarmante, sikurse edhe në qytetin e Tetovës, në Komunën e Bogovinës. Të shoqëruar edhe nga njësiti policor, Alfat - grupe kriminale -, po terrorizojnë popullatën. Në Shkup është sulmuar selia e Bashkimit Demokratik për Integrim, me ç’rast ka edhe të plagosur. Në Komunën e Haraçinës gjithashtu ka të plagosur dhe gjendja vërtetë është alarmante”.

“Po përpiqemi të menaxhojmë situatën, mirëpo po përballemi me struktura paralele që ushtrojnë dhunë edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Situata është aq e ngarkuar, saqë është e vështirë të përshkruhen të gjitha veprimet vandale që po ndodhin në disa vendvotime”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, duke bërë për gjithçka fajtor PDSH-në dhe policinë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PDSH-së, Ernad Fejzullahu, hodhi poshtë pretendimet e BDI-së.

“BDI-ja e realizoi atë që e paralajmëroi për incidente brenda shqiptarëve. Ne kemi regjistruar disa incidente në Shkup, ku bandat e Ali Ahmetit sulmuan policinë dhe aktivistët e PDSH-së me armë të rënda. Kjo është një nervozë shumë e madhe që i shkakton dëm jo vetëm demokracisë, por edhe imazhit të shqiptarëve. Ne po bëjmë përpjekje maksimale për qetësimin e situatës, por e gjithë kjo mendoj se bëhet për shkak të epërsisë së madhe të PDSH-së dhe kjo shkakton nervozizëm tek zoti Ahmeti”, tha Ernad Fejzullahu.

Ndërkohë, për incidentet që kanë ndodhur në Komunën e Çairit flasin edhe disa banorë shqiptarë, të cilët ishin dëshmitarë të incidenteve.

“Krisën pistoletat dhe pushkët automatike. Ne ishim brenda dhe kur dolëm pamë policët. Na thoshin ‘mbyllni derën’. Ja duket edhe plumbi në mur, kjo është mizërie”, thotë një banor shqiptar, ndërsa një tjetër thekson: ”E mora shoqen për të dalë për të votuar, por rrugës më thanë mos dilni se policia po vret njerëz edhe gruan e ktheva. Unë dua të votoj, por me polici nuk votohet, jam shumë i brengosur”, tha banori shqiptar i Çairit.

Rreth incidenteve është prononcuar edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë, Branko Cërvenkovski.

“Për fat të keq, që nga mëngjesi kemi informacione për incidente serioze, në të cilat ka pasur dhunë dhe përdorim te armëve, shumë vendvotime të mbyllura. Me vjen keq për gjithë këtë dhe mbetem me shpresë që e tërë kjo do të përfundojë dhe ta mbyllim ditën ashti siç duhet”, tha presidenti Cërvenkovski, duke shtuar se me rëndësi të madhe është që zgjedhjet të zhvillohen në atmosferë demokratike.

Zgjedhjet po vëzhgohen nga rreth 6 mijë vëzhgues të vendit dhe të huaj. Përfaqësuesit ndërkombëtarë në vazhdimësi kanë apeluar për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke thënë se mbarëvajtja e tyre është kushti kryesor për integrimin e vendit në NATO dhe BE.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG