Ndërlidhjet

Shala: Kosova ka më shumë nevojë për para, sesa për këshilla


Ahmet Shala

Ahmet Shala

"Kosova ka më shumë nevojë për para konkrete, sesa për këshilla dhe studime projektesh, të cilat në disa segmente janë mbase edhe të tepruara", thotë për Radion Evropa e Lirë, Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, është thënë se pas zgjidhjes së statusit do të ketë edhe përmirësim të gjendjes ekonomike. Statusi është zgjidhur tashmë, por përmirësimet ende nuk janë të dukshme. Kur saktësisht mund të pritet ndonjë ndryshim i gjendjes ekonomike?

AHMET SHALA
Çështja e rimëkëmbjes ekonomike është një proces. Konsideroj se disa nga trendet e para janë shpresëdhënëse, sidomos në termat makroekonomikë.

Qeveria e Kosovës i ka identifikuar prioritetet e veta për t'i zgjidhur konform mundësive dhe kapaciteteve buxhetore që ka dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë do të përpiqemi të përshpejtojmë zgjidhjen e disa segmenteve, të cilat deri më tani ose kanë qenë të lëna anash, ose në një mënyrë apo tjetër, nuk janë adresuar mbase në mënyrën më të mirë.

Besoj se efektet e tyre tanimë po shihen. Unë kam besim të plotë që në 3 vjetët e ardhshëm rezultatet do të jenë mjaft të prekshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë ato efekte që po shihen sipas jush?

AHMET SHALA
Efektet e para konsideroj se janë fillimi me intensitet i infrastrukturës rrugore, ndryshimit ose qasjes për zgjidhjen e problemeve infrastrukturore në përgjithësi, siç është në energji e arsim; po ashtu, edhe në bujqësi – identifikimi i disa projekteve që do të sjellin përmirësim gradual në rritjen e produktivitetit dhe në rritjen e efikasitetit të sektorit të bujqësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Më 11 korrik do të mbahet Konferenca e donatorëve. Sa jeni të përgatitur për këtë konferencë dhe në cilat fusha saktësisht pritet të bëhen investimet?

AHMET SHALA
Ne po përpiqemi ta bindim komunitetin ndërkombëtar, mbase edhe vetë partnerët tanë vendorë, biznesin, shoqërinë civile, që i kemi identifikuar mirë prioritetet. Konsideroj se ato janë të konsoliduara edhe konform nevojës për shpejtësinë e zgjidhjes së tyre - infrastruktura rrugore, energjia, arsimi, shëndetësia, bujqësia, sundimi i ligjit dhe rendit. Pra, janë 5-6 prioritete që vërtet kanë nevojë urgjente të zgjidhen.

Natyrisht, krahas tyre kemi edhe plot probleme sociale, të cilat janë një nga shqetësimet tona kryesore dhe në Konferencën e donatorëve do të përpiqemi që të gjitha në mënyrë të integruar, në një paketë nëse mund të them, t'i adresojmë.

Rritja ekonomike është qasja jonë. Nëse ne së bashku me partnerët ndërkombëtarë sigurojmë një rritje mbi 5-6 për qind në 5-7 vjetët e ardhshëm, unë besoj se shumica nga këto probleme që i ceka dhe të tjera që janë prezente në Kosovë, do të zgjidhen në mënyrë rapide.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të shfrytëzohen këto mjete dhe si do të menaxhohen?

AHMET SHALA
Unë nuk dua të spekuloj. Sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm dhe seriozë me partnerët ndërkombëtarë, që t'i paraqesim kërkesat tona reale konform mundësive tona për t'i shpenzuar në të njëjtën kohë.

Ju e dini që vitet e kaluara, Kosova, përkatësisht Qeveria e Kosovës, është ballafaquar me problemet mbi pamundësinë e shpenzimit, pamundësinë e ekzekutimit të buxhetit të planifikuar sidomos në shpenzimet kapitale dhe kjo do të jetë një sfidë edhe për ne.

Ne kemi marrë disa nga masat e nevojshme që kanë filluar t'i japin efektet e veta, por ende është një shqetësim dhe një proces, për të cilin në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë, jemi duke i identifikuar mekanizmat, që disa kanë filluar t'i japin efektet e veta. Andaj, kërkesa jonë do të jetë shumë reale dhe besoj se do të gjejmë përkrahje.

Një element që është i rëndësishëm të theksohet, është se ne do të bëjmë përpjekje që forma e ndihmës të jetë e prekshme, që struktura e ndihmës të jetë kryesisht në përkrahjen e buxhetit të Kosovës, që nuk ka qenë deri më tani, të paktën jo sa duhet.

Forma e dytë që do të duhej të ishte, është financimi i projekteve të caktuara dhe të argumentojmë se Kosova ka më shumë nevojë për para konkrete, sesa për këshilla dhe studime projektesh, të cilat në disa nga segmentet janë mbase edhe të tepruara.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej mundësive që do të mund të nxiste zhvillimin e ekonomik është edhe ajo e kredive ndërkombëtare. A prisni që Kosova gjatë këtij viti të jetë në gjendje të bëjë diçka të tillë nëpërmjet anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare monetare?

AHMET SHALA
Konsideroj se ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, në mënyrë që Kosova në momentin e duhur të bëhet pjesë e këtyre dy institucioneve me renome ndërkombëtare dhe rol shumë krucial për zhvillimet e sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë pra edhe mundësinë e marrjes së kredive ndërkombëtare.

Ne jemi të vetëdijshëm edhe për përgjegjësitë që dalin pas, që Kosova të jetë anëtare e këtyre dy institucioneve dhe të tjerave, dhe me përkushtim jemi duke punuar bashkë që paralel bisedimeve, qofshin formale apo joformale, për anëtarësim, të përgatisim edhe korniza të tjera legale dhe institucionale administrative, por edhe mundësi fiskale për të absorbuar dhe për të shlyer borxhe të mundshme nga kreditë që do të vijnë.

Jam shumë optimist që ne gjatë këtij viti do të jemi anëtarë të këtyre institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare dhe besoj se çdo ditë e më shumë shtetet janë duke kuptuar jo vetëm rëndësinë politike të këtyre institucioneve, por më shumë rëndësinë ekonomike.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG