Ndërlidhjet

Prishtina thërret për ulje tensionesh në Maqedoni


Prishtinë, ndërtesa e Qeverisë
Prishtinë, ndërtesa e Qeverisë

Prishtina zyrtare shpreh keqardhje për zhvillimet në Maqedoni. Ndërsa u bëhet thirrje institucioneve e partive politike shqiptare që t'i ulin tensionet, liderët kosovarë thonë se konstituimi i institucioneve të reja duhet të respektojë votën e lirë të qytetarëve.


Zgjedhjet e djeshme në Maqedoni dhe incidentet e shënuara janë kthim prapa në zhvillimin demokratik të këtij vendi, vlerësojnë udhëheqës dhe deputetë kosovarë. Presidenti Fatmir Sejdiu i ka bërë thirrje spektrit politik dhe elektoratit në Maqedoni, si atij shqiptar, ashtu edhe atij maqedonas, që të tregohen të arsyeshëm dhe të ndërtojnë institucionet mbi bazën e votës së lirë të qytetarëve.

“Ndërtimi i institucioneve duhet të bëhet mbi bazën e votës së lirë të qytetarëve. Prandaj, do të jetë shumë e dëmshme edhe për ata vetë dhe mendoj edhe me reflektime të tjera, po qe se do të zë vend grindja, po qe se do të zë vend një konkurrencë jo lokale e kësaj forme dhe po ashtu do të jetë e dëmshme edhe për imazhin e përgjithshëm të proceseve të ndërtuara deri më tani”, tha Sejdiu.

Ndërkohë, edhe Qeveria e Kosovës shprehet se me keqardhje i ka përcjellë zhvillimet në Maqedoni. Deputeti dhe ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se janë për keqardhje incidentet, ndërkohë që Qeveria e Kosovës, shton ai, mbështet proceset demokratike në këtë vend dhe konstituimin e institucioneve mbi bazën e vullnetit të shprehur të qytetarëve përmes votës së tyre.

“Ne dëshirojmë që atje të implementohet vërtet vullneti i popullit dhe i votuesve në Maqedoni. Janë për keqardhje ekseset dhe rastet tragjike që u kanë qitur një hije jo të mirë gjithë atyre zgjedhjeve. Do të dëshironin që këto tensione të zbresin dhe që atje i gjithë sistemi zgjedhor të futet në një kanal të zgjedhjeve të rregullta dhe të implementimit të vullnetit të popullit që e ka shprehur përmes votës së lirë”, thekson Ferati.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Bajram Kosumi, thotë se zhvillimi i shtetit të Maqedonisë po has në vështirësi shumë substanciale në rrugën e saj drejt demokracisë. Në këtë proces, sipas tij, një pikëpyetje të madhe kanë para vetes edhe partitë shqiptare në këtë vend, të cilat ende nuk kanë arritur të zhvillohen si parti moderne politike.

“Ende janë në pikëpyetje shumë prej parimeve themelore të demokracisë dhe të prosperitetit të Maqedonisë; e në veçanti, para këtyre pikëpyetjeve janë edhe partitë politike shqiptare atje. Ajo që ka ndodhur, është edhe një rast për një thirrje për partitë politike shqiptare në Maqedoni, që të shikojnë përpara, të ecin përpara dhe t’i prijnë popullit shqiptar në Maqedoni drejt prosperitetit, drejt zhvillimit dhe të dalin prej kornizave të inateve të ngushta dhe interesave të ngushta partiake e grupore”, thotë Kosumi.

Zgjedhjet e fundit konsiderohen si kthim prapa për Maqedoninë dhe proceset e atjeshme demokratike edhe nga deputeti i AKR-së, Ibrahim Makolli. Ai thotë se një pjesë të madhe të fajit e kanë vetë institucionet e këtij vendi.

“Padyshim që ngjarjet e djeshme në Republikën e Maqedonisë paraqesin një dështim të plotë të institucioneve dhe një përgjakje të një procesi që do të duhej të ishte ndër më demokratikët në gjithë zhvillimin e jetës politike. Gjithsesi që këto veprime do të ndikojnë dukshëm në raport me pretendimet e shtetit maqedonas për integrim në strukturat evropiane dhe në NATO dhe gjithsesi paraqet një njollë të zezë jo vetëm për zhvillimet e ngjarjeve në Maqedoni, por për gjithë rajonin”, vlerëson Makolli.

Në anën tjetër, Besa Gaxherri, nga LDD-ja, vlerëson se incidentet duhet të shërbejnë edhe si mësim që tani të tejkalohet situata dhe të mos vazhdohet me tensione të reja.

“Janë krejtësisht të papranueshme incidentet edhe më të thjeshta se ato që ndodhën në Maqedoni. Vërtet dëshirojmë që ky proces të përmbyllet mbi të gjitha këto pozitivisht dhe të marrin mësim të gjithë nga incidentet e tilla, edhe pse vërtet te komunitetet shqiptare gjithkund në regjion, ka shumë faktorë që ndikojnë jo gjithmonë për të pasur incidente të tilla”, tha Gaxherri.

Në përgjithësi, udhëheqës dhe përfaqësues politikë kosovarë, si nga pozita, ashtu edhe ata nga opozita, i bëjnë thirrje shtetit maqedonas që të shënojë përparime në ndërtimin e demokracisë, si një vend që mëton të ketë perspektivë në integrimet euroatlantike. Kurse, në veçanti, u bëjnë thirrje partive politike shqiptare që të respektojnë vullnetin e elektoratit dhe të angazhohen për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të komunitetit shqiptar në këtë vend.

XS
SM
MD
LG