Ndërlidhjet

logo-print

Agjencia Kosovare Informative në prag të krijimit


Mjete përgjimi

Mjete përgjimi

Fuqizimi i Kushtetutës së Kosovës i hap rrugë edhe themelimit të Agjencisë Kosovare Informative. Drejtuesit e Agjencisë do të caktohen me emërim politik. Kjo, sipas ekspertëve të sigurisë, mund të bëhet mollë sherri dhe t’i ngrejë tensionet në skenën politike kosovare.


Agjencia Kosovare Informative pritet t’i vë bazat e saj para 15 qershorit, datë kjo kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, me të cilën edhe parashihet themelimi i këtij shërbimi.

Sipas ligjit që rrjedh nga pakoja e Ahtisaarit, Agjencia Kosovare Informative duhet të jetë profesionale, apolitike, shumetnike dhe nën mbikëqyrje të Parlamentit dhe administratës civile. Megjithatë, emërimi i drejtuesve të kësaj agjencie, sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, është politik.

”Me ligj, sikurse edhe me Kushtetutën e Kosovës, është paraparë që presidenti bashkë me kryeministrin të emërojnë drejtorin e përgjithshëm, zëvendësdrejtorin dhe inspektorin e përgjithshëm të AKI-së. Kjo është procedura e paraparë dhe kështu edhe do të ndodhë. Ky është një emërim politik, nuk shkon përmes konkursit, por emërimi i tyre shkon dhe ata i përgjigjen për punën e tyre në baza ditore edhe presidentit, edhe kryeministrit”, thotë Kuçi, duke mos i bërë të ditur kandidatët potencialë që do të drejtojnë këtë shërbim.

Ai pohon se aktualisht, presidenti dhe kryeministri janë në fazën konsultative për emërimin e drejtuesve të agjencisë së parë kosovare informative.

Opozita ka kritikuar pushtetin se marrë parasysh veprimet e deritashme, nuk do të respektojë parimin që kjo agjenci të jetë apolitike.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, po ashtu shfaq druajtjen se kjo agjenci mund ta humbë karakterin kombëtar, të cilin ia siguron ligji, duke u tkurrur vetëm në një shërbim për interesa partiake. Ibishi tërheq vërejtjen së emërimet në këtë agjenci mund të bëhen mollë sherri në skenën politike kosovare.

“Dihet se ne kemi pasur shërbime kryekëput të partive politike, shërbime që do të duhej të kishin karakter nacional dhe kjo është mollë sherri, për arsye se dihen pretendimet e pozitës dhe opozitës, që pretendojnë njerëz të caktuar, që kanë qenë në krye të këtyre shërbimeve. Këtu edhe paraqitet tensionimi dhe mendoj se kjo e ka rritur atë shkallë të panevojshme të politizimit të problemit. Përndryshe, në ndonjë situatë tjetër do të ishin përfillur ato standardet çfarë edhe janë në një formë nga ana ligjore të përcaktuara, d.m.th. kush i emëron - Këshilli për Emërime të Larta Publike e bën emërimin e tyre dhe në një formë ka transparencë të duhur”, shprehet Ibishi.

Hjaredin Kuçi hedh poshtë mundësinë e politizimit të agjencisë.

”Nuk do të ketë vend as për përfaqësues të pozitës e as të opozitës, por do të ketë vend për njerëz që janë profesionistë dhe i mbrojnë interesat kombëtare dhe mbi të gjitha që e kryejnë shërbimin me nder”, thotë Kuçi.

Sidoqoftë, Nuredin Ibishi mendon se në vend të presidentit dhe kryeministrit, emërimi i drejtuesve të Agjencisë Informative të Kosovës do të duhej të bëhej nga Këshilli për Emërime të Larta Publike. Ai thotë se për shkak të situatës së ndjeshme politike në Kosovë, para emërimit do të duhej të arrihej një konsensus politik mes pozitës dhe opozitës për këtë çështje.

“Fatkeqësisht duhet sërish të lidhem me atë momentin politik, të konsensusit politik, që përkundër ekzistimit të KELP-it, sërish edhe në këtë këshill do të mund të ketë ndikim eventual nga subjektet politike. Prandaj, mendoj se për emërimin e drejtuesve të Agjencisë Informative është me rëndësi konsensusi politik”, tha Ibishi.

Ndryshe, pakoja e Ahtisaarit parasheh që Kosova të themelojë një agjenci vendore të sigurisë, për të mbikëqyrur kërcënimet ndaj sigurisë së brendshme. Agjencia, përveç se do t’u raportojë institucioneve kosovare, do të jetë nën mbikëqyrje edhe nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG