Ndërlidhjet

Sell: Komuniteti ndërkombëtar të sigurojë kufijtë e Kosovës


Louis Sell

Louis Sell

"Komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë që kufijtë janë të hapur vetëm për trafikun legjitim dhe se vetëm institucionet e Kosovës janë ato që funksionojnë në veri", thotë Louis Sell, ish-diplomat amerikan, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sell, më shumë se tre muaj që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, ajo ende përballet me shumë sfida, në mesin e të cilave veriu duket të jetë sfida më e rëndë. Si e shihni ju të ardhmen e kësaj pjese dhe përpjekjet që janë bërë deri më tash në këtë drejtim?

LOUIS SELL
Padyshim pajtohem me ju në kuptimin se çfarë të bëhet me veriun; është një prej sfidave më të mëdha me të cilën përballet Kosova në këtë periudhë të asaj që unë e quaj pavarësi të kushtëzuar. Deri më tash, nuk është punuar mjaftueshëm për ta integruar veriun në pjesën tjetër të Kosovës.

Por, çështja më e rëndësishme është se strukturat paralele të sigurisë dhe strukturat paralele të qeverisjes, të cilave për një kohë të gjatë u është lejuar të ekzistojnë në veri, duhet të shpërbëhen. Nëse kjo nuk ndodh, do të jetë vështirë të ruhet koncepti i tërësisë territoriale të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A ekziston rreziku që kjo pjesë të shndërrohet në "konflikt të ngrirë" sikur që kanë thënë disa?

LOUIS SELL
Mendoj se rreziku për diçka të këtillë është real, në rast se nuk ndërmerren veprime për të vendosur kontrollin e institucioneve të Kosovës në veri. Kjo nënkupton se veprimet duhet të ndërmerren kryesisht nga komuniteti ndërkombëtar, për të siguruar që kufijtë janë të hapur vetëm për trafikun legjitim dhe për të siguruar se vetëm institucionet e Kosovës janë ato që funksionojnë në veri.

Nëse një gjë e këtillë nuk ndodh dhe situata çfarë është sot, vazhdon të jetë e këtillë për një kohë të gjatë, atëherë po, mund të duket sikur veriu është një konflikt i ngrirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, a mendoni se ekziston rreziku i ndarjes?

LOUIS SELL
Mua më duket sikur opsioni i ndarjes është ai me të cilin Beogradi qartësisht po manovron përreth. Veçanërisht pas dështimit që ka pësuar për të bllokuar pavarësinë, opsioni i parë është që Beogradi të bëjë çmos për të penguar domethënien e vërtetë të pavarësisë.

Dhe, nëse kjo nuk funksionon, ideja e ndarjes 'de facto' është padyshim një prej synimeve të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Vazhdimësia e rolit të Kombeve të Bashkuara ka ngritur disa shqetësime mbi dyfishimin që mund të ketë me misionin evropian. A shihni ju një rrezik të këtillë, të një dualizmi misionesh, siç e kanë quajtur disa?

LOUIS SELL
Më duhet të them se nuk jam edhe aq i njoftuar me të gjitha manovrimet komplekse ligjore dhe politike që po zhvillohen rreth vazhdimësisë së pranisë së komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.

Por, do të thosha tani se pikësynimet aktuale në Kosovë nuk do të duhej të ishin për të shtuar nivelin e pranisë ndërkombëtare. Do të duhej të ishte e kundërta, që kosovarëve t'u lejohet të marrin kontrollin mbi qeverinë e tyre dhe në fund të fundit mbi jetët e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sell, këto paqartësi janë krijuar kryesisht nga kundërshtimi i Moskës në raport me pavarësinë e Kosovës. Çfarë domethënieje ka Kosova për Rusinë?

LOUIS SELL
Mendoj se për Rusinë, Kosova ka qenë vetëm një mjet, një objekt. Nuk mendoj se Rusia ka interesa thelbësore në Kosovë, por po e shfrytëzon atë si mënyrë për të fuqizuar praninë e saj në komunitetin ndërkombëtar; për t'i dëshmuar komunitetit ndërkombëtar, e në veçanti Shteteve të Bashkuara, se zëri i Rusisë nuk mund të injorohet.

Gjithashtu, mendoj se ajo synon që të shfrytëzojë shembullin e Kosovës për të sforcuar përpjekjet e Rusisë që të vendosë ndikimin e saj dhe kontroll mbi ish-Bashkimin Sovjetik.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa jeni të kënaqur me njohjen e deritashme ndërkombëtare të shtetit më të ri?

LOUIS SELL
Natyrisht, sikurse në rastin e cilitdo mik të Kosovës, edhe unë do të preferoja të shoh më shumë shtete që e kanë njohur Kosovën. Mua më duket se në fillim ka pasur një hov të njohjes, në të cilin janë përfshirë akterët kryesorë ndërkombëtarë, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Bashkimit Evropian.

Por, tani duket sikur dinamika e njohjes është ngadalësuar. Unë mendoj se autoritetet në Kosovë, Qeveria e Kosovës, duhet t'i kushtojë më shumë vëmendje rritjes së numrit të shteteve që do ta njohin atë, duhet të punojë më shumë.

Kjo mund të nënkuptojë dërgimin e njerëzve në misione të ndryshme, mobilizimin e burimeve që Kosova ka në mesin e miqve të saj, të realizohen vizita në pjesë të ndryshme të botës, në kryeqytete dhe qendra të rëndësishme rajonale, duke lobizuar për pavarësinë.

E gjithë kjo do të marrë kohë, por është shumë e rëndësishme që Kosova të zhvillojë një plan dhe pastaj ta zbatojë atë.

RADIO EVROPA E LIRË

Në fillim të bisedës sonë, ju përmendët pavarësinë e kushtëzuar. Kur mendoni se ajo do të mund të bëhet e plotë?

LOUIS SELL

Për sa më përket mua, sa më shpejt, aq më mirë. Me fuqizimin e Kushtëtutës më 15 qershor, do të shënohet një kthesë e rëndësishme në këtë drejtim. Megjithatë, ende do të ekzistojë një periudhë tranzitore dhe ajo duhet të jetë, sipas mendimit tim, sa më e shkurtër që të jetë e mundshme.

Kosovës duhet t'i jepen të gjitha mjetet dhe Kosova duhet të ketë në duart e saj të gjitha mjetet e nevojshme për të zbatuar sovranitetin e plotë në mbarë territorin e saj.
  • 16x9 Image

    Arbana Vidishiqi

    Arbana Vidishiqi është Drejtore e Shërbimit për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

XS
SM
MD
LG