Ndërlidhjet

SHBA dhe BE kërkojnë hetime për dhunën në Maqedoni


Forcat e policisë para një vendvotimi në Shkup
Forcat e policisë para një vendvotimi në Shkup

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Maqedonisë të përsërisë zgjedhjet në zonat ku pati probleme dhe të hetojë përgjegjësit për pengesat në votime.


Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Maqedonisë të përsërisë zgjedhjet në zonat ku pati probleme dhe të hetojë përgjegjësit për pengesat në votime.

"Në disa zona ishte e pranishme dhuna. Është e qartë se ka pasur disa probleme serioze", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormack. Ai tha se nëse Maqedonia ndërmerr hapa për të përmirësuar problemet me zgjedhjet, atëherë kjo çështje nuk do të dëmtojë aspiratat e vendit për anëtarësim në NATO.

Presidenca e rradhës e Bashkimit Evropian, Sllovenia, ka kërkuar zhvillimin e hetimeve në incidentet e dhunshme të cilat janë raportuar gjatë zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni.

Sllovenia ka nënvizuar se është e njoftuar me rezultatet e zgjedhjeve, por presidenca e rradhës e Bashkimit Evropian pajtohet me vëzhguesit e shumtë, të cilët kanë pohuar se në disa pjesë të Maqedonisë, zgjedhjet janë përcjellë me dhunë dhe keqtrajtim.

Bashkimi Evropian mbështet nismën e kryeministrit maqedon, Nikolla Gruevski dhe të liderëve tjerë politikë për përsëritjen e zgjedhjeve në disa lokacione, për të siguruar legjitimitetin zgjedhor.

Presidenca e Bashkimit Evropian ka ftuar liderët maqedonë që të punojnë edhe më shumë mbi zbatimin e reformave pasi të ketë përfunduar procesi zgjedhor dhe pasi të jenë sanksionuar ashtu siç duhet të gjitha parregullsitë.

“Hapat e mëtejmë në procesin për integrimin evropian të Maqedonisë do të jenë të mundshëm gjatë këtij viti, nëse vendi është i gatshëm të përmbushë kushtet e domosdoshme dhe pikësynimet për Partneritetit për Anëtarësim”, thuhet në komunikatën e presidencës së Bashkimit Evropian.

Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se zgjedhjet nuk arritën t'i plotësojnë standardet ndërkombëtare.

OSBE-ja tha se "përpjekjet e organizuara për pengim të procesit në ditën e zgjedhjeve, ua pamundësuan votuesve në shumë vendvotime të shprehin lirshëm vullnetin e tyre".

XS
SM
MD
LG