Ndërlidhjet

Si duhet të menaxhohen mjetet e Konferencës së donatorëve?



Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se mjetet e fituara nga Konferenca e donatorëve duhet të shfrytëzohen në mënyrën më efikase të mundshme dhe nga ato mjete të financohen drejtpërdrejt projektet e përgatitura nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare.

Ndryshe, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës tashmë kanë deklaruar se qeveria do të bëjë përpjekje që forma e ndihmës të jetë kryesisht në përkrahje të buxhetit të Kosovës.

Edmond Hajrizi, udhëheqës i Universitetit për Biznes dhe Teknologji, pohon se donacionet duhet të jenë me qëllim të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe gjëja më e mirë, sipas tij, duhet të jetë financimi direkt i projekteve nga donatorët.

“Nëse Qeveria e Kosovës mendon se paratë njëherë duhet të barten në buxhetin e qeverisë dhe pastaj në mënyrë efikase t’i zbatojnë në projektet praktike, të cilat do të ngritin infrastrukturën, do të rrisin ambientin që biznesi të zhvillohet, si dhe të ngritën çështjet sociale, atëherë nuk ka problem. Por, gjithherë në fokus nuk është që të ketë një lloj mbikëqyrjeje të plotë të donacioneve, edhe në fund të mos ketë benificion për zhvillimin ekonomik”, thotë Hajrizi.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, pohon se është gabim i madh nëse mjetet e fituara nga Konferenca e donatorëve grumbullohen në buxhetin e Kosovës. Ai thotë se për shkak të transparencës, qeveria duhet të jetë vetëm në rolin monitorues.

“Mendoj se më transparente do të ishte që të financonte më tepër në projektet konkrete dhe të jetë monitoruese së bashku me donatorët. Kjo nuk do të zbehë aspak rolin dhe fuqinë e qeverisë. Përkundrazi, kjo do të tregojë se në Kosovë ka kompani që dinë t’i menaxhojnë paratë e fituara nga donatorët dhe dinë të investojnë atje ku rritet zhvillimi ekonomik i Kosovës”, tha Shahini.

Shahini pohon se nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë ekzistojnë mundësitë për keqpërdorim të mjeteve të fituara nga kjo konferencë.

“Ashtu si buxheti i konsoliduar i Kosovës, ashtu edhe shumë fonde mund të lënë hapësirë nëse nuk ka transparencë dhe përgjegjësi që këto mund të keqmenaxhohen, siç janë keqmenaxhuar shumë para publike në të kaluarën”, tha Shahini.

Ndryshe, Konferenca e donatorëve për Kosovë do të mbahet më 11 korrik, në Bruksel. Zyrtarë të qeverisë tashmë kanë deklaruar se kanë identifikuar mirë prioritet se në cilat fusha do të ketë më tepër investime. Sipas tyre, janë 6 prioritete që kanë nevojë urgjente për investime, në mesin e të cilave janë infrastruktura rrugore, energjia, arsimi, sundimi i rendit dhe i ligjit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG