Ndërlidhjet

Prishtina synon t'i shembë strukturat paralele


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore

Presidenti Fatmir Sejdiu tha sot se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare do të tregohen të gatshme t’i shembin strukturat paralele në pjesën veriore të Kosovës. Optimist për shtrirjen e pushtetit në veri është shprehur edhe kryeministri Hashim Thaçi.


Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, udhëheqësit kosovarë besojnë se institucionet e Kosovës, në koordinim me praninë ndërkombëtare, do të shtrijnë administrimin e institucioneve vendore edhe në pjesën veriore.

Ndërsa, opozita i bën thirrje qeverisë që 15 qershorin ta presë me një plan konkret veprimi dhe të mos shpresojë se gjërat do të përmirësohen vetvetiu në pjesën veriore të Kosovës, ku Beogradi i ka nën kontroll strukturat paralele të pushtetit lokal.

Sidoqoftë, presidenti Fatmir Sejdiu tha sot se institucionet kosovare dhe ato ndërkombëtare i kanë shpallur jolegjitime organet paralele serbe dhe se së bashku, sipas tij, do të punohet në, siç u shpreh ai, shembjen e këtyre strukturave.

“Qytetarët serbë nuk mund të mbeten peng të këtyre strukturave. Prandaj, ne do të insistojmë në këtë kohë, sa është pjesë e kompetencave ndërkombëtare, të veprohet në relacion të shembjes së këtyre strukturave në mënyrën më energjike të mundshme”.

“Edhe projekti i Ahtisaarit e ka paraparë një provizion shumë eksplicit se do të angazhohen edhe institucionet ndërkombëtare për mbështetjen në implementim për shuarjen e këtyre strukturave”, tha Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha sot se Kushtetuta e Kosovës do të jetë e plotfuqishme në tërë territorin e vendit. Thaçi tha se qeveria është e gatshme që t’i marrë kompetencat shtesë që i parasheh Kushtetuta, duke shtrirë pushtetin në gjithë territorin e Kosovës.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përgatitura që t’i marrin të gjitha përgjegjësitë dhe këtë do ta bëjmë me përgjegjësi të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare, për funksionim të plotë të çdo segmenti në vend”, tha Thaçi.

Në anën tjetër, opozita i bën thirrje qeverisë që të mos presë, por të hartojë plan veprimi për të zgjidhur problemet në veri. Ahmet Isufi, nënkryetyar i AAK-së, tha se veriu, si çështje komplekse që është, kërkon një plan të shpejtë veprimi, edhe pse gjërat atje, siç tha ai, nuk mund të rregullohen brenda natës.

“Institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të krijojnë një agjendë bashkë me faktorin ndërkombëtar në Kosovë, dhe prej 15 qershorit të fillojë të funksionojë Kushtetuta në të gjithë territorin e Kosovës, e jo të presin që dikush t’u japë detyra, sepse nuk ka më kush t’u japë. Adresa e parë në Kosovë është qeveria dhe institucionet e Kosovës”, tha Isufi.

Sa afrohet data 15 qershor, mbetet dilemë dhe qartësimi i rolit të misioneve civile ndërkombetare. Kryeministri Hashim Thaçi është shprehur optimist se Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të merren vesh lidhur me misionet e tyre në Kosovë, në mënyrë që prania ndërkombëtare të mos ketë dy, por një qendër të vendimmarrjes.

“Ka disa dilema për bartjen e përgjegjësive në mes të UNMIK-ut dhe EULEX-it, që besoj se do të ndahen në mënyrë të duhur dhe Kosova do ta ketë një adresë të vendosjes ndërkombëtare dhe do të ndodhë qartësia e plotë”, theksoi Thaçi.

Lidhur me paqartësitë rreth prezencës së UNMIK-ut dhe EULEX-it, edhe presidenti Sejdiu tha se kjo çështje duhet përmbyllur me kohë, në mënyrë që të mos ketë zvarritje në procesin e tranzicionit.

“E di se ka një debat që s'është përfunduar ende për sqarimin e mandatave sa i përket edhe mënyrës së transmisionit apo të kapërcimit të kompetencave nga misioni ndërkombëtar, që ka qenë i Kombeve të Bashkuara, deri tash në institucionet e Kosovës, por edhe në EULEX. Ne dëshirojmë që kjo të bëhet shpejt, në mënyrë që kjo frymë të mos jetë në dëm për proceset në Kosovë”, u shpreh Sejdiu.

Sidoqoftë, pavarësisht pritjeve të liderëve dhe institucioneve të Kosovës se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, gjërat do të rregullohen, qoftë në planin e qartësimit të misionit ndërkombëtar, apo edhe të problemeve me strukturat paralele, përfaqësuesit e serbëve kanë paralajmëruar se në bashkëpunim me Beogradin dhe bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të Serbisë, të mbajtura më 11 maj edhe në Kosovë, do t’i ngrisin organet e tyre të pushtetit lokal, fillimisht në tri komunat në veri të Kosovës, e më pas edhe në dy komuna tjera, ku serbët jetojnë në numër të konsiderueshëm.

XS
SM
MD
LG