Ndërlidhjet

Kermabon: EULEX-i do shtrihet në tërë Kosovën


Yves de Kermabon

Yves de Kermabon

EULEX-i gjendet në fazën e shtrirjes në tërë territorin e Kosovës, tha shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon. Ai ka vizituar fshatin Dobratin, të banuar me serbë, për të mësuar se çfarë pret ky komunitet nga misioni i ri evropian.


Për të mësuar se çfarë presin nga misioni i ri evropian komunitetet në Kosovë, shefi i EULEX- it, Yves de Kermabon, bashkë me ministrin për Punë dhe Çështje Sociale, Nenad Rashiq, kanë vizituar fshatin serb Dobratin, të Komunës së Lipjanit, në të cilin banojnë rreth 2 mijë serbë.

Kermabon ka shfaqur besimin se EULEX-i do të jetë i pranishëm në tërë Kosovën, po ashtu edhe në veri, ku serbët vazhdojnë të kundërshtojë misionin evropian.

“Pres që misioni sa më parë të fillojë punën në tërë territorin e Kosovës. Gjendemi në fazën e shtrirjes dhe fakti se jemi këtu, në këtë mjedis serb, paraqet hapin e parë. Ne po vazhdojmë të punojmë për të përshpejtuar procesin”, tha Kermabon.

Ai ka shtuar se misioni teknik i EULEX-it dhe vendosja e tij nënkupton përkrahje dhe ofrim të ndihmës për institucionet e Kosovës.

“EULEX-i u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës. Unë kam biseduar me ta për të parë se cilat janë pritjet e popullit, në mënyrë që misioni i EULEX-it t’u shërbejë në mënyrën më të mirë interesave si të shqiptarëve, ashtu edhe të serbëve, boshnjakëve, turqve dhe të tjerëve”, tha Kermabon.

Ministri për Punë dhe Çështje Sociale i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se problemet konkrete të jetesës së banorëve serbë, janë prioritet në punën e tij si ministër. Disa thonë se plani i Ahtisaarit paraqet formën më të mirë për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve. Rashiq konsideron se për këtë duhet të përgjigjen ata që planifikojnë ta implementojnë atë plan.

“Për ne, përfaqësuesit e serbëve, mbetja e serbëve në Kosovë nuk ka alternativë dhe për këtë do të bëjmë çfarëdo që është e mundur, në mënyrë që t’i mbrojmë të drejtat e serbëve dhe t’u mundësojmë atyre një jetë më të mirë në Kosovë. Natyrisht, jo në dëm të komuniteteve tjera që jetojnë këtu”, tha Rashiq.

Banorëve lokalë serbë të Dobratinit u kanë pëlqyer fjalët e shefit të EULEX-it. Por, ata presin edhe jetësim të premtimeve. Nesha Stojanoviq është punëtor i Elektro-distribucionit serb, që vepron si strukturë paralele serbe në mjediset serbe. Ai jeton me katër anëtarë të familjes në Dobratin, ku edhe ka ndërtuar shtëpinë e re. Ai pret ndihmë nga EUELX-i.

“Pres ndihmë. Mendoj se do të na ndihmojnë, sepse e dinë se ku kanë ardhur. Këtu, secila shtëpi ka nga katër ose pesë fëmijë; ne jemi të shumtë këtu. Edhe fshatrat fqinje kanë të njëjtën gjendje - Gushterica e Epërme, ajo e Ulëta, Livagji e deri te Graçanica”, thotë Stojanoviq.

Që serbët të kenë jetë më të mirë, misioni i BE-së duhet të jetë më i mirë sesa misioni i deritashëm i UNMIK-ut, thotë një tjetër banor i Dobratinit.

“As UNMIK-u e as të tjerët nuk kanë ofruar siguri të mjaftueshme për komunitetin serb këtu. Nuk ndjehemi shumë të sigurt. Të shohim se si do të jetë”, tha Goran Marinkoviq.

Para pak kohësh është bërë e ditur se vendosja e EULEX-it në Kosovë do të vonohet për 6 deri në 8 javë, pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Në këtë datë, institucionet e Kosovës do të marrin pothuajse të gjitha përgjegjësitë nga UNMIK-u.

Në të njëjtën kohë do të duhej të fillojë punën Zyra Civile Ndërkombëtare, që mbikëqyr zbatimin e planit të Ahtisaarit, dhe EULEX-i, i cili do të mbikëqyrë policinë, gjyqësinë dhe doganat.

Megjithatë, mbetet i paqartë pozicioni i UNMIK-ut, edhe pse është thënë se misioni i OKB-së do t’i përshtatet rrethanave të reja të krijuara pas shpalljes së pavarësisë. Kermabon ka theksuar se qartësia e pranisë ndërkombëtare në Kosovë pas 15 qershorit, është duke u diskutuar në nivele të larta politike.

“Përgjegjësia ime është që të udhëheq misionin, për të cilin janë pajtuar 27 vendet anëtare të BE-së dhe për këtë nuk ka dyshim. Për mundësinë e rikonfigurimit të pranisë ndërkombëtare po mbahen bisedime mes OKB-së dhe BE-së”, thotë Kermabon, duke shtuar se këtu bëhet fjalë për çështje politike, përderisa puna e tij është që të vizitojë terrenin dhe të njihet me nevojat dhe pritjet e banorëve.

XS
SM
MD
LG