Ndërlidhjet

"OKB e gatshme të lëshojë pe?"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Kj-moon, ka gjasa se do t'i ofrojë Serbisë kompromis rreth prezencës ndërkombëtare në Kosovë, pas 15 qershorit, e cila do t'i sigurojë Qeverisë në Beograd rolin e partnerit me misionin e OKB-së në Kosovë. Burime të besueshme i kanë thënë "Kohës Ditore" se një letër që Ban Ki-moon pritet t'ia dërgojë këto ditë presidentit serb, Boris Tadiq, do të mundësojë përafërsisht atë që Qeveria serbe tashmë e kishte kërkuar nga UNMIK-u, përmes ministrit të vet për Kosovë, Slobodan Samarxhiq, e që është partneritet mes autoriteteve të Serbisë dhe UNMIK-ut në disa sfera të administrimit në Kosovë, kur bëhet fjalë për komunitetin serb. "Ban Ki-moon pritet t'i ofrojë Tadiqit atë që realisht mund të quhet pajtim me një plan të prezantuar nga Samarxhiqi, kohë më parë", ka thënë burimi për gazetën, duke u pajtuar se një gjë e tillë efektivisht do ta ndante komunitetin serb të Kosovës nga komuniteti shumicë...

ZËRI

Rusia është e gatshme që në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mbështesë zgjidhjen për vazhdimin e aktivitetit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, që do të kishte përkrahjen e Prishtinës dhe të Beogradit, citojnë mediet e Beogradit shefin e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, t'i ketë thënë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, gjatë një bisede telefonike me të, me ç'rast pohohet se ia ka kujtuar atij se edhe më tutje është aktual propozimi rus, "mbi përtëritjen e negociatave Beograd - Prishtinë rreth statusit të Kosovës". Lavrov, dje, në bisedën telefonike ka kërkuar nga Ban Ki-moon që në aktivitetet e tij të mbetet në bazën e fuqishme të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të KB, që të mos largohet nga parimet dhe vendimet që janë përcaktuar me Rezolutën 1244 dhe të vazhdojë kontaktet me të gjitha palët e interesuara, me rastin e kërkimit të rrugëdaljes së pranuar reciprokisht nga situata e krijuar, ka njoftuar Ministria e Jashtme ruse...

LAJM
Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga kryeadministratori Joachim Ruecker qe deri më 15 qershor ta zgjidhë problemin e pesë komunave me shumicë serbe, pasi mandati i tyre, i zgjatur për gjashtë muaj nga ai, skadon më 18 qershor. Qeveria, gjithashtu, i ka dhënë ultimatum shefit të UNMIK-ut, Ruecker, që deri në ditën kur hyn në fuqi Kushtetuta, të marrë një vendim që ndalon konstituimin e kuvendeve paralele në Kosovë, në të kundërtën, pas kësaj date, ajo vetë do të vendosë se çfarë do të bëjë dhe si do të reagojë në lidhje me këtë çështje. "Parimisht Rueckeri do të duhej t'ua vazhdonte mandatin kryetarëve të komunave me shumicë serbe, por nëse kjo nuk ndodh deri më 15 qershor, atëherë institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe në harmoni me Kushtetutën, do të vendosin se si do të veprojnë. Normalisht, atyre u duhet vazhduar mandati", tha për "Lajm", të martën zëvendëskryeministri i Republikës, Ramë Manaj...

INFOPRESS
Fitorja e thellë në zgjedhjet e parakohshme të 1 qershorit, duket t’i ketë krijuar frymëmarrje të lirshme politike kryeministrit të deritashëm dhe të ardhshëm të Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Me 64 deputetë në përbërjen e re të Parlamentit, ai do të ketë dorë të lirë për të manovruar politikisht në raportet e brendshme, e në raste të caktuara edhe në ato të jashtme. Gruevski këtë s’ka mundur ta fshehë vetëm një ditë pas publikimit të rezultatit zgjedhor. Deklarimi i tij se Maqedonia nuk ka caktuar kurrfarë afati për njohjen e Kosovës dhe një vendim i tillë nuk do të merret nën kurrfarë presionesh, ka lënë të kuptohet i ai tanimë s’ia ka frikën asnjërës prej partive shqiptare, të cilat, pavarësisht se kush do të jetë pjesë e qeverisë, nuk do të kenë mundësi t’i bëjnë presione përmes largimit nga qeveria...

EXPRESS
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thyer heshtjen e deritashme të drejtuesve të PDK-së ndaj akuzave të Ramush Haradinajt për Shërbimin Informativ të Kosovës, SHIK. Në një intervistë për Express, Krasniqi ka përmendur me emër dhe mbiemër drejtuesit e kësaj organizate, ashtu sikurse ka folur edhe për veprimtarinë e saj ndër vite. Reagimi i Jakup Krasniqit vjen pas akuzave direkte që bëri lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ndaj kësaj organizate dhe udhëheqësit të saj, Kadri Veselit. Haradinaj akuzoi SHIK-un për një sërë veprimesh antiligjore që nga viti 1999, përfshirë edhe propagandë kundër tij sa ka qenë në Tribunalin e Hagës duke u mbrojtur, ndërkohë që bëri përgjegjës udhëheqësit e Qeverisë se Kosovës për rënie nën diktatin e drejtuesve të SHIK-ut. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e ka cilësuar të martën Ramush Haradinajn një njeri të frustruar, ndërkohë që akuzat e liderit të AAK-së se SHIK-u është organizatë kriminale dhe ilegale i quan të pabaza...

BOTA SOT
Kur kanë mbetur edhe 12 ditë para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, kryeministri Hashim Thaçi u shpreh i bindur se institucionet e vendit janë të përgatitura që t'i marrin të gjitha kompetencat pas kësaj date. Ai beson se do të tejkalohen edhe dilemat rreth kompetencave UNMIK-EULEX dhe me këtë Kosova do ta ketë vetëm një qendër vendimmarrëse ndërkombëtare. "I tërë legjislacioni, si dhe të gjitha institucionet, do të veprojnë sipas dispozitave të kësaj kushtetute. Përkushtimi ynë do të jetë në përputhshmëri të plotë me rikonfigurimin aktiv të misionit civil ndërkombëtar në Kosovë dhe prezencën e NATO-s. Institucionet e Kosovës janë të përgatitura të marrin të gjitha përgjegjësitë dhe këtë do ta bëjmë me për-gjegjësi të plotë, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet ndërkombëtare në Kosovë për funksionim të plotë të çdo segmenti në vend", tha Thaçi...

KOSOVA SOT
Të dhënat që jep raporti i Agjencisë Antikorrupsion janë dëshpëruese për efikasitetin që ka sistemi gjyqësor në Republikën e Kosovës. Debati i djeshëm parlamentar ka hedhur për herë të parë në këtë legjislaturë akuza të ashpra ndaj drejtësisë, duke paralajmëruar kështu një konfrontim mes dy pushteteve. Është e qartë se një betejë verbale nuk do të sjellë asgjë, por vetëm reforma në drejtësi mund të prodhojë përmirësim të situatës, ngritje të kapaciteteve njerëzore në gjykatat e Kosovës, më shumë siguri, të ardhura dhe natyrisht një përgjegjësi më të lartë ndaj respektimit të ligjit. Kur jemi të çështja e korrupsionit, ka evidenca të mjaftueshme, qoftë nga stafi i Hasan Pretenit, qoftë nga studime të ndryshme të organizatave serioze, që dëshmojnë se drejtësia ka dështuar në ndjekjen e rasteve dhe penalizmin e zyrtarëve të korruptuar. Duhet ta ritheksojmë se vendi ynë nuk i ka dhjetëra-milionë banorë, por vetëm dy milionë dhe nuk ka ndonjë pengesë në vënien para drejtësisë të atyre që abuzojnë me ligjin, me fondet publike, me shërbimet publike, në dëm të shoqërisë...

EPOKA E RE
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, duke diskutuar për zhvillimet në rajon, veçanërisht për Kosovën, kanë thënë se Serbia duhet ta kuptojë realitetin e ri të Kosovës së pavarur. Gjatë një takimi të martën në Tiranë, Berisha dhe Jandrokoviq kanë shprehur vlerësimin e lartë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, të Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e vlerësuar si një "moment historik". Ministri i Jashtëm i Kroacisë ka vlerësuar se kjo vizitë e tij në Tiranë është një hap tjetër përpara në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve. Kryeministri Berisha është shprehur se ndihma e Kroacisë në procesin e integrimit evropian është shumë e rëndësishme...

XS
SM
MD
LG