Ndërlidhjet

logo-print

Konferenca ndërkombëtare për krizën e ushqimit

  • RFE /RL

Ban Ki-moon në Samitin e Romës

Ban Ki-moon në Samitin e Romës

Kreu i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, hapi konferencën ndërkombëtare mbi krizën aktuale të ushqimeve, duke theksuar se në pyetje ishin gjëra tejet të rëndësishme për njerëzimin.


“Përpara kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, mbi 850 milionë njerëz ne botë përballeshin me mungesën e ushqimit. Banka Botërore parasheh se kjo shifër mund të rritet edhe me 400 milionë të tjerë. Më të varfrit e të varfërve shpenzojnë dy të tretat e të ardhurave të tyre për ushqim. Ky grupim do të goditet më rëndë nga të gjithë”, thotë Ban.

Për ta bërë më konkrete gjendjen e rëndë, kreu i Kombeve të Bashkuara solli një numër rastesh.

“E kam parë këtë varfëri nga afër. Në Liberi, së fundi, takova njerëz që më parë e blinin orizin me çanta, e tani e blejnë me gota”, tha Ban.

Ai shtoi se rritja e çmimit të ushqimeve ashtu siç edhe ka ndodhur në disa vende do të çojë në protesta dhe trazira sociale. E nëse protestat marrin përmasa të mëdha, atëherë vihet në pikëpyetje qëndrueshmëria e vendeve, të cilat kanë ekonominë më të dobët. Kjo do ta përkeqësonte edhe më tej krizën ushqimore.

Kreu i Kombeve të Bashkuara i bëri këto vlerësime para mbi një mijë pjesëmarrësve, mes të cilëve ka kryetarë shtetesh, kryetarë qeverish, zyrtarë të organizatës botërore dhe drejtues të sektorit privat.

Të gjithë janë mbledhur në Romë me ftesë të Kombeve të Bashkuara, me shpresën e bashkërendimit dhe gjetjes së rrugëve për të ndihmuar më të varfrit e botës të përballojnë rritjen e çmimit të ushqimeve, si dhe të shihen mundësitë për uljen e çmimeve në të ardhmen.

Por, askush nga pjesëmarrësit nuk e nënvleftëson vështirësinë në gjetjen e gjuhës së përbashkët. Kjo lidhet me arsyet që kanë çuar në rritjen e çmimeve.

Arsyet janë nga më të larmishmet, duke filluar nga të korrat e këqija, rritja e çmimit të karburanteve apo spekulimet në tregun financiar ndërkombëtar; këtyre t’u shtojmë edhe programet kundërthënëse të bioenergjisë.

“Bujqësia duhet të përballet me sfida të paprecedente. Çmimet e ushqimeve janë në nivelin më të lartë në 30 vjetët e fundit. Ndryshimet klimatike do të ndryshojnë mënyrën se si ne prodhojmë në kohën kur ka rritje të kërkesës për bioenergji. Në këtë mënyrë, nëse duam të zgjidhim problemin e njerëzve të uritur në botë, duhet të mbledhim se bashku ata që merren me sigurinë ushqimore, të zgjidhim problemin e çmimeve të larta dhe sfidat e ndryshimeve klimatike dhe të bioenergjisë”, tha për mediat Aleksander Muller, organizatori kryesor i konferencës, te Agjencia Botërore e Ushqimit.

Për të arritur një marrëveshje, udhëheqësit botërorë duhet të lënë mënjanë shumë mosmarrëveshje, që kanë dalë në pah edhe më parë, kur ata kanë diskutuar për krizën e ushqimeve. Një tjetër pengesë është edhe tundimi i udhëheqësve botërorë që të mos merren në të njëjtën kohë me tema që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me krizën ushqimore.

Ky tundim për tema të tjera është shfaqur me praninë e dy udhëheqësve kundërthënës, presidentit të Iranit, Ahmadinejad, dhe atij të Zimbabvesë, Mugabe.

Me të parin, bashkësia ndërkombëtare ka probleme lidhur me programet bërthamore, derisa kundërshtojnë mënyrën se si Mugabe ka kequdhëhequr vendin e tij.
XS
SM
MD
LG