Ndërlidhjet

Senatorët amerikanë kërkojnë zbatim të planit të Ahtisaarit

  • RFE /RL

Senatorët Alcee L. Hastings dhe Benjamin L. Cardin.

Senatorët Alcee L. Hastings dhe Benjamin L. Cardin.

Në Komisionin e Helsinkit të SHBA-ve është mbajtur një seancë dëgjimore për gjendjen aktuale të pakicave në Kosovë. Autoritetet kosovare u përgëzuan për përkushtimin e tyre në planin e Ahtisaarit, por prej tyre u kërkua zbatim i tij i mirëfilltë.


Komisioni për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i Shteteve të Bashkuara ka mbajtur një dëgjim për sfidat përballë pakicave kombëtare në Kosovë. Komisioni, i cili ndryshe njihet edhe si Komisioni i Helsinkit, udhëhiqet nga senatorët Alcee L. Hastings dhe Benjamin L. Cardin.

Në seancën dëgjimore të mbajtur në Uashington, kryesuesi i këtij Komisioni, senatori Hastings, duke folur për pavarësinë e Kosovës dhe planin e Martti Ahtisaarit, mbi të cilin është shpallur ajo, ka thënë se "ky plan jo vetëm që ka pasqyruar vullnetin e shumicës, por ofron edhe marrëveshjen më të mirë të mundshme për pakicat".

"Kosova e ka rikonfirmuar vendimin për të zbatuar planin e Ahtisaarit me rastin e shpalljes së pavarësisë dhe Kushtetuta, e cila hyn në fuqi më 15 qershor, sikurse edhe ligjet e shumta që janë miratuar nga Parlamenti i Kosovës, pasqyrojnë të njëjtin përkushtim", ka thënë senatori Hastings.

Duke numëruar provizionet që mbrojnë të drejtat e pakicave kombëtare në Kosovë, senatori amerikan ka thënë se "nga përvoja e dimë se zotimet e bëra janë të rëndësishme dhe miratimi i ligjeve na jep shpresë".

"Megjithatë, pa zbatim të mirëfilltë, nuk mund të ketë përmirësime në jetët e njerëzve, të cilët duhet të jenë përfitues të drejtpërdrejtë. Mbetet të shihet sa janë të sinqerta zotimet e autoriteteve kosovare për të integruar dhe respektuar të drejtat e serbëve, romëve dhe komuniteteve tjera pakicë", ka thënë senatori Alcee Hastings.

Ai ka folur edhe për kundërshtimet që vijnë nga Serbia në raport me planin e zotit Ahtisaari.

"Natyrisht, zbatimi është ndërlikuar nga kundërshtimet e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, meqë plani i Ahtisaarit është zhvilluar me shpresën se Prishtina dhe Beogradi do të pajtohen mbi të. Kemi dëgjuar se Beogradi ka kërkuar nga komuniteti serb që të mos bashkëpunojë me Prishtinën, edhe pse ai komunitet do të ishte përfituesi i drejtpërdrejtë nga ky bashkëpunim", tha në fund kryesuesi i Komisionit Amerikan për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, senatori Alcee Hastings.

Bashkëkryesuesi i këtij Komisioni, senatori Cardin, ka thënë se "edhe për të gjithë ne, të cilët kemi mbështetur njohjen e pavarësisë së Kosovës, zbatimi i provizioneve të Ahtisaarit për mbrojtjen e pakicave, ka qenë pjesë e kësaj pakoje".

"Duke marrë parasysh gjendjen e mjerueshme të pakicave në Kosovë, prej vitit 1999 e deri më 2004, ka arsye për t'u shqetësuar për të ardhmen e këtyre komuniteteve në një Kosovë të pavarur. Përpjekjet e udhëheqësve të Kosovës për t'ua shtrirë dorën këtyre komuniteteve, megjithatë, japin shpresë për përmirësim. Tani çështja kryesisht është nëse statusi mund t’i zbehë përpjekjet për të vendosur mirëbesimin midis shumicës dhe pakicës në Kosovë", ka thënë senatori Benjamin L.Cardin.

"Është e vështirë të vendoset mirëbesimi midis dy komuniteteve që kanë dallime thelbësore dhe histori armiqësie midis tyre", tha senatori Cardin.

Në seancën dëgjimore, dëshmitar ka qenë Knut Vollebaek, komisionar i lartë për pakicat kombëtare në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.

Duke rikujtuar qëndrimin e tij neutral mbi statusin e Kosovës, zoti Vollebaek ka përgëzuar autoritetet për përkushtimin e tyre që t’i ndalin incidentet ndëretnike pas shpalljes së pavarësisë. Por, ai megjithatë ka nënvizuar se "nuk ka përmirësime në fushën e marrëdhënieve ndëretnike".

"Më lejoni të them se rreziku i incidenteve ndëretnike në Kosovë vazhdon të ekzistojë dhe kështu do të jetë përderisa nuk adresohen shkaktarët që nxisin tensione midis grupeve etnike".

"Shumë norma dhe mekanizma që synojnë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave në Kosovë, ekzistojnë në letër. Por, situata në realitet është shumë më ndryshe".

Sipas zotit Vollebaek, situata më e rëndë është për pakicën serbe dhe atë rome.

"Diskriminimi, mungesa e lirisë së lëvizjes, vështirësitë ekonomike dhe dhuna e mundshme janë aspekte të jetës së përditshme për disa komunitete në Kosovë", tha komisionari i lartë Vollebaek, duke numëruar këtu edhe shkaktarët e këtyre dukurive, siç është mungesa e mjeteve financiare për të zbatuar masat e nevojshme, mungesa e burimeve njerëzore për të adresuar problemet dhe, në të shumtën e rasteve, mungesa e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit midis komuniteteve.

Në këtë kuadër, zoti Vollebaek ka përmendur edhe konfuzionin që ekziston, se cili institucion është përgjegjës për zbatimin e provizioneve ligjore që mbrojnë të drejtat e pakicave.

"Aranzhimet e paqarta aktualisht institucionale kanë vështirësuar definimin e përgjegjësive të autoriteteve të caktuara, gjë që mund të shkaktojë mungesë të llogaridhënies në raport me të drejtat e pakicave kombëtare", tha zoti Vollebaek.

Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë është agjenci e themeluar nga Kongresi Shteteve të Bashkuara, i cili për synim ka të vëzhgojë dhe trimërojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut kudo në botë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG