Ndërlidhjet

Sfidat përballë qeverisë së ardhshme në Maqedoni


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë

Analistët mendojnë se qeveria e ardhshme maqedonase duhet të fokusohet në integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Ata, megjithatë, tërheqin vërejtjen për drojën që ekziston nga radikalizimi i mëtejmë i raporteve midis partive politike shqiptare.


Qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, por në suksesin e këtij synimi të lidershipit të vendit do të ndikojë dukshëm stabilizimi i situatës në vend - theksojnë analistët politikë, duke nënvizuar se druajnë se zgjedhja nga ana e mandatarit të ri, Nikolla Gruevski, të një partie nga blloku politik shqiptar, do të radikalizojë partinë tjetër shqiptare.

"Që të kalohet kjo krizë e thellë që ka kapluar partitë politike shqiptare do të duhej të kishte një bashkëqeverisje të të dyja partive politike shqiptare, BDI-së dhe PDSH-së, në Qeverinë e Gruevskit. Ose, mund të luajë një rol të rëndësishëm në uljen e tensioneve ndërmjetësimi i Tiranës dhe Prishtinës zyrtare",
thotë Ylber Sela, ligjërues për integrime evropiane në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Me qëndrim të ngjashëm është ish-ministri i Punëve të Jashtme, Sllobodan Çashule. Ai thotë se zgjidhjen për shtensionimin e gjendjes e sheh tek formimi i një koalicioni të gjerë.

"Bëhet fjalë për një moment historik. Andaj, Gruevski, pavarësisht se ka shumicën parlamentare, duhet t`i bëjë ftesë LSDM-së, PDSH-së dhe BDI-së, ashtu siç bëri Bullgaria, e më parë edhe Austria dhe Izraeli, për të përshpejtuar procesin e integrimit”,
vlerëson Sllobodan Çashule, ish-diplomat.

Ndërkohë, Ylber Sela thekson se zgjedhjet në Maqedoni paraqesin një fillim të një krize të re, sa i përket realizimit të kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë.

"Sigurisht, një konfrontim i mëtutjeshëm i dy partive politike shqiptare është në interes të mandatarit, tani të kryeministrit Gruevski, i cili në një pozicion grindës të dy partive politike shqiptare nuk do t`i marrë parasysh kërkesat e tyre, kërkesa këto të shqiptarëve që nga viti 1990. Kështu, shqiptarët me siguri do të humbin edhe një katërvjeçar për mosrealizimin e pikave kyçe që parashihen edhe në Marrëveshjen e Ohrit", theksoi Sela.
XS
SM
MD
LG