Ndërlidhjet

UNMIK-u në pritje të vendimit për rikonfigurim


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë pret që në ditët e ardhshme të marrë instruksionet nga Nju Jorku lidhur me rikonfigurimin e këtij misioni, pas datës 15 qershor, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. UNMIK-u pranon se do të ketë ndryshime dramatike pas 15 qershorit, por nuk zbulon asnjë detaj se si do të duket prania e tij pas kësaj date.


Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për rikonfigurimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandar Ivanko, pohon se janë duke pritur udhëzimet nga Nju Jorku, por ai nuk saktëson se kur do të mbërrijnë këto instruksione.

“Presim që të marrim udhëzime konkrete për rikonfigurimin e UNMIK-ut në ditët e ardhshme. Nuk mund të flas për datën e saktë, do të doja, por nuk mundem dhe sapo t’i marrim ato, ne do t’ju shpjegojmë juve në detaje se si do të duket prania e ardhshme e OKB-së në Kosovë. Këtë ju premtoj”, thotë Aleksandar Ivanko.

Kanë mbetur vetëm edhe 11 ditë para se të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, kur pritet që UNMIK-u të dorëzojë shumicën e kompetencave te institucionet vendore dhe disa edhe te Zyra Civile Ndërkombëtare dhe EULEX-i. Por, mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 ka krijuar paqartësi për praninë e ardhshme ndërkombëtare.

Zyrtarët e UNMIK-ut janë të vetëdijshëm se situata do të ndryshojë pas 15 qershorit, por ende janë në pritje të instruksioneve nga Nju Jorku.

“Ne e kuptojmë plotësisht realitetin në terren dhe e kuptojmë plotësisht se ky realitet do të ndryshojë në mënyrë dramatike më 16 qershor, pasi që Kushtetuta të hyjë në fuqi. Ne po presim që të shohim se si do të gjendet UNMIK-u në këtë situatë”, thotë Aleksandar Ivanko, duke sqaruar se misionit të OKB-së në Prishtinë, i është thënë se shumë shpejt do të marrë udhëzime për rikonfigurim.

“Tani mund të zhvillohen konsultimet e çasteve të fundit, por për këtë çështje unë nuk mund të flas, sepse është jashtë kompetencave të UNMIK-ut. Neve na është thënë se do të dëgjojmë për rikonfigurimin e UNMIK-ut shumë, shumë shpejt”, u shpreh Ivanko.

Çështja e rikonfigurimit të UNMIK-ut ka mbetur në duar të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, meqë ndasitë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit bëjnë të pamundur që çfarëdo ndryshimi në terren të bëhet në kuadër të këtij këshilli.

Është thënë se Sekretari i Përgjithshëm do të njoftojë për ndryshimet në UNMIK presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun, sikurse edhe atë të Serbisë, Boris Tadiq.

Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë letër të tillë. Sidoqoftë, Beqiri është optimist se pas 15 qershorit do të ketë qartësi të pranisë ndërkombëtare.

“Ne besojmë se shumë shpejt do të qartësohen, megjithëse ky është relacion mes Brukselit dhe Nju Jorkut. Sa i përket institucioneve të Kosovës, ato do të veprojnë në harmoni të plotë me obligimet që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Beqiri.

Edhe pse institucionet e Kosovës shprehin bindjen se kompetencat që u takojnë do t’i marrin më 15 qershor, dilema e funksionimit të misioneve ndërkombëtare, përzierja e të cilëve mund të krijojë një kaos në qeverisje, vazhdon të rritet. Problem dhe sfidë mbetet edhe shtrirja e pushtetit kosovar në veriun e kontrolluar nga strukturat paralele serbe.

“Natyrisht që ne përkrahim plotësisht institucionet e Kosovës dhe aktivitetet e tyre. E kuptojmë se veriu është problem, e kuptojmë se ky problem nuk zgjidhet nesër, por do të marrë kohë. Shpresojmë se institucionet e Kosovës dhe akterët tjerë ndërkombëtarë do të jenë shumë të matur dhe të merren me veriun”, ka thënë Aleksandar Ivanko, duke shtuar se kjo është një çështje që kërkon kohë për t’u zgjidhur.

Misioni për të cilin ai punon, nuk ka mundur për 8 apo 9 vjet t’i shuajë strukturat e qeverisura nga pushteti i Beogradit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG