Ndërlidhjet

Serbët: Inaugurimi i komunave paralele deri më 12 qershor


Mitrovicë
Mitrovicë

Organet paralele nëpër komunat ku jetojnë serbët në Kosovë do të konstituohen deri më 12 qershor, thonë përfaqësues të këtij komuniteti. Aktualisht, në Kosovë po formohen kryesisht koalicione ndërmjet radikalëve dhe Partisë së Koshtunicës për të udhëhequr me këto organe, të cilësuara nga institucionet e Kosovës dhe nga UNMIK-u, si jo legale dhe jo legjitime.


Përfaqësuesit politikë serbë nga pjesa veriore e Kosovës thonë se organet paralele të pushtetit nëpër komunat ku ky komunitet jeton si shumicë apo në numër të konsiderueshëm, do të konstituohen më së largu deri më 12 qershor. Ndërkohë, paralajmërohet shtyrja për një kohë e vendimit për mbledhjen e një kuvendi serb të Kosovës.

Kryetari i komunave serbe, Marko Jakshiq, thotë se organet serbe do të konstituohen mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit. Ai favorizon krijimin e koalicioneve nëpër komunat ku jetojnë serbët në Kosovë, ndërmjet partive të Nikoliqit dhe Koshtunicës dhe jo atyre që njihen si pro-evropiane.

“Do të ishte me rëndësi që porosia nga Beogradi të realizohet, e që ka të bëjë me krijimin e koalicionit ndërmjet PSS-së, SPS-it dhe radikalëve”,
thotë Jakshiq.

Ndërkohë, për formimin e një kuvendi serb në nivel të Kosovës, ai thotë se ende është duke u biseduar me autoritetet e Beogradit se kur dhe si mund të merret një vendim i tillë.

“Varësisht nga ajo se si do të rrjedhin konsultimet me Beogradin, do të vendosim se a do të ngremë konstituimin e kuvendit serb për Kosovën apo do ta shtyjmë këtë për një moment tjetër”,
tha Jakshiq.

Por, ndryshe nga Jakshiq mendon kandidati për deputet në Parlamentin serb, nga Lista për Serbinë Evropiane , Oliver Ivanoviq. Ai mendon se nuk ka nevojë që serbët të formojnë një kuvend të tillë, e madje as të nguten me formimin e kuvendeve paralele komunale, pasi që vendime të tilla, sipas Ivanoviqit, mund t’i përkeqësojnë raportet e serbëve me bashkësinë ndërkombëtare, marrë parasysh se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe më 11 maj në Kosovë, është shpallur si ilegale nga ana e UNMIK-ut.

“Dyshoj se Qeveria e re e Serbisë do të vazhdojë tutje me konfrontime me UNMIK-un dhe vazhdimi i këtyre konfrontimeve politike do ta përkeqësonte edhe më shumë ekzistencën e serbëve në Kosovë”, vlerëson Ivanoviq.

Ai preferon që konstituimi i organeve paralele serbe në Kosovë të shtyhet për një kohë, të paktën përderisa të qartësohet çështja e konfigurimit të Qeverisë së re në Beograd.

Përndryshe, radikalët serbë, Partia Demokratike e Koshtunicës dhe Demokracia e Re, kanë arritur tashmë marrëveshje për formimin e qeverisë lokale në pjesën veriore të Mitrovicës. Marrëveshje të ngjashme paralajmërohen edhe për komunat tjera ku jetojnë serbët.

Në anën tjetër, institucionet e Kosovës dhe UNMIK-u në vazhdimësi thonë se nuk do t’i njohin këto organe dhe do t’i konsiderojnë si jo legale, jo legjitime dhe inekzistente.

XS
SM
MD
LG