Ndërlidhjet

logo-print

Mbi 50 të arrestuar për dhunën zgjedhore


Forcat e policisë para një vendvotimi në Shkup, 1 qershor 2008.

Forcat e policisë para një vendvotimi në Shkup, 1 qershor 2008.

Mbi 50 veta janë arrestuar për shkak të dyshimeve se kanë marrë pjesë në incidentet e dhunshme gjatë ditës së zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni. Për 38 prej tyre tanimë janë ngritur padi penale për pengimin e procesit zgjedhor.


Ministria e Punëve të Brendshme ka vazhduar aksionet e saj për të arrestuar personat e dyshuar që kanë qenë pjesëmarrës në parregullsitë në zgjedhjet e 1 qershorit.

Ministrja Gordana Jankullovska tha se janë arrestuar mbi 50 persona, ndërsa për 38 prej tyre tanimë janë ngritur padi penale për pengimin e procesit zgjedhor.

Në mesin e tyre është edhe Vullnet Ahmeti, kandidat për deputet i BDI-së dhe funskionari i lartë i kësaj partie, ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, si dhe Agim Krasniqi dhe grupi i tij tetë-antarësh, të cilëve tanimë u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Jankullovska ka theksuar se do të ndiqen të gjithë pjesëtarët e policisë për të cilët ekzistojnë dyshime se kanë qenë pjesëmarrës në prishjen e procesit zgjedhor.

“Deri tani, ndaj 3 pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ngritur padi penale për përfshirje në incidentet zgjedhore. MPB-ja, sikur deri më tani, insiston në përgjegjësi, pa dallim a bëhet fjalë për pjesëtarë të policisë apo bëhet fjalë për pjesëtarë të MPB-së që kanë hyrë në polici për të plotësuar parimin e përfaqësimit adekuat të bashkësive etnike. Trajtimi do të jetë i njëjtë për të gjithë”,
tha Gordana Jankullovska, ministre e Brendshme.

Policia, sot, në dy aksione në fshatrat Bukovicë dhe Rashicë të Shkupit, ka arrestuar gjithsejtë 6 persona, tek të cilët, sipas ministres, është zbuluar një sasi e konsiderueshme e armatimit.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Bashkimi Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti, reagon ashpër ndaj arrestimit të aktivistëve të kësaj partie në rajonin e Shkupit, duke pretenduar se arrestuimet bëhen për motive politike.

"Policia vazhdon të bastisë shtëpitë e aktivistëve të BDI-së. Ajo vazhdon të burgosë edhe aktivistët tanë. Mbrëmë, policia ka bastisur shtëpitë e aktivistëve tanë në disa fshatra të Dervenit të Shkupit. Pra, policia i burgos aktivistët tanë atje ku dhunuesit e PDSH-së qysh në mëngjes i mbushën kutitë e votimit; mbushje të kutive para dhe pas fillimit të procesit zgjedhor, largim me dhunë të vëzhguesve të autorizuar, mbyllje të vendvotimeve para afatit të paraparë me ligj, falsifikim të nënshkrimeve", u shpreh Bexheti

Bexheti paralajmëroni se BDI-ja, 6-vjetorin e themelimit të saj do ta shënojë me një protestë kundër parregullsive zgjedhore.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Ymer Aliu, ka thënë se partia e tij vlerëson se përgjegjës për vrasjen e një të riu në fshatin Haraçinë dhe plagosjen e disa të tjerëve në ditën e zgjedhjeve, është lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, prandaj, sipas tij, ai duhet të largohet nga politika.

"Nën direktivat e zotit Ahmeti humbi jetën një djalë i ri nga Haraçina dhe disa të tjerë u plagosën. Përgjegjës për vrasjen e këtij djali dhe plagosjen e të tjerëve është drejtpërdrejt vetë zoti Ali Ahmeti. Pyesim zotin Ahmeti se a ia vlen që të vritet dikush me qëllim që tjetri të bëhet deputet me anë të mbushjes së kutive, me paralajmërimin për protestën e nesërme për mospranimin e rezultateve? Ahmeti vazhdon ta tensionojë edhe më shumë situatën. Edhe ai vetë e di se me këtë nuk mund ta evitojë humbjen që e pësoi në këto zgjedhje”, tha Aliu.

Ndërkohë, takimi i drejtuesve të Komunës së Haraçinës me përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Shkup, BE-së dhe ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, është shtyrë për të premten, për shkak të agjendës së ngjeshur të përfaqësuesve të institucioneve të huaja në vend.
XS
SM
MD
LG