Ndërlidhjet

Rryma: Mjetet e vjetruara, keqmenaxhimi...


Termocentrali 'Kosova A'
Termocentrali 'Kosova A'

Korporata Energjetike e Kosovës, që nëntë vjet me radhë, nuk ka arritur të furnizojë me rregull konsumatorët me energji elektrike. Ekspertët e ekonomisë mendojnë se pasojë e gjithë e kësaj është mungesa e përgjegjësive dhe keqmenaxhimi, përderisa zyrtarë të KEK-ut thonë se termocentralet janë shumë të vjetra dhe nuk garantojnë 24 orë energji elektrike.


Që nëntë vjet me radhë Kosova ballafaqohet me reduktime të gjata të energjisë, reduktime këto që po vazhdojnë edhe ditëve të fundit. Ndërkaq, që nga viti 2002 edhe kur u formuan institucionet e Kosovës, çdo qeveri ka premtuar furnizim me energji 24 orë pandërprerë, edhe pse një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së përgjegjësive dhe kompetencave të përziera që kanë pasur në KEK ndërkombëtarët dhe vendorët.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se menaxhimi i Korporatës Energjetike të Kosovës është shndërruar, siç thotë ai, në një lojë ping-pongu. Kështu që, sipas tij, nuk dihet se kush është përgjegjës për këtë korporatë.

"Sot, KEK-u është një lojë ping-pongu, që nuk dihet kush kujt i raporton. Vetë fakti i bashkëpunimit Qeveri - Ministri e Energjetikës, AKM dhe KEK, është një formë katastrofale dhe kjo dëshmon mjerimin më të madh. Si pasojë e një mungese të komunikimit të tillë, ndodh kjo që ndodh. Do të thotë, Kosova ballafaqohet me terr dhe KEK-u në vend që të prodhojë rrymë elektrike, prodhon terr", thotë Gërxhaliu.

Ai, ndërkaq, pohon se problemet e vazhdueshme me energji elektrike janë edhe pasojë e mungesës së përgjegjësisë dhe keqmenaxhimit në KEK. Sipas Gërxhaliut, edhe pas nëntë vjetësh, askush deri më tani nuk jep përgjegjësi për mungesë të energjisë dhe problemeve të shpeshta, që janë paraqitur në këtë korporatë.

Gërxhaliu thotë se kjo korporatë më tepër është shfrytëzuar për premtime të partive politike gjatë fushatave zgjedhore.

"Nëse shihet se sa ka keqmenaxhim dhe nuk jep përgjegjësi askush që nëntë vjet, atëherë është realiteti më i hidhur i Kosovës. Por, është më shqetësues fakti se, si duket, KEK-u shërben për partitë politike për një kampanjë zgjedhore, për premtimet se do të bëjnë diçka më tepër. Si të kalojë kampanja zgjedhore, avazi i vjetër vazhdon dhe ne këtë e shijojmë çdo ditë e më tepër", u shpreh Gërxhaliu.

Por, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës nuk pajtohen me vlerësime të tilla. Nezir Sinani, zëdhënës në këtë korporatë, thotë se problemet nuk paraqiten për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësive. Por, sipas tij, arsye janë termocentralet shumë të vjetra të Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilat nuk mundësojnë kapacitet të madh të prodhimit.

"Duhet të kemi parasysh se problemet teknologjike me të cilat po ballafaqohemi ditëve të fundit, do të mund të paraqiten edhe në të ardhmen, meqenëse blloqet nuk janë të jetueshme, për shkak të vjetërsisë dhe moskujdesit që i është bërë këtyre blloqeve në vitet e '90-ta. Problemet teknike në këto blloqe do të paraqiten dhe do të shkaktojnë vështirësi kohë pas kohe në furnizim me energji elektrike", thotë Sinani.

Sipas tij, termocentralet e KEK-ut nuk janë në pozitë të garantojnë 24 orë energji elektrike.

"Me këto termocentrale, kështu siç është gjendja tani, nuk ka mundësi teknike që të ketë furnizim 24 orë, pa pasur mbulim nga jashtë",
thekson Sinani.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, arsye tjetër e situatës së rendë energjetike është mospagesa e rrymës së shpenzuar. Sipas tyre, mbi 320 milionë euro është shuma që konsumatorët i kanë borxh Korporatës Energjetikes të Kosovës, që prej përfundimit të luftës. Ndërkaq, mbi 22 për qind e energjisë së prodhuar shfrytëzohet në mënyrë ilegale.
XS
SM
MD
LG