Ndërlidhjet

Integrimi evropian dhe barrierat politike


Flamuri i BE-së
Flamuri i BE-së

Mosnjohja e Kosovës si shtet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian vështirëson ecjen e Kosovës kah integrimet evropiane, thonë zyrtarë njohës të integrimeve evropiane. Ata thonë se Kosova deri te anëtarësimi në BE duhet të kalojë shumë sfida dhe, sipas tyre, institucionet e kosovare duhet të kenë një përkushtim më të madh në këtë drejtim.


Ekspertë të integrimeve evropiane vlerësojnë se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen më shumë rreth përgatitjeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ata pohojnë se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian duhet të jetë prioritet i institucioneve të Kosovës.

Venera Hajrullahu, njohëse e integrimeve evropiane, thotë se para se të anëtarësohet, Kosova do të ballafaqohet me shumë sfida.

"Sfidat janë të shumta; për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në BE fillojnë me vetë kuptimin e procesit dhe pasojave të tij. Mendoj se kemi një mungesë të përgjithshme të kuptimit të drejtë të këtij procesi. Më tutje, duhet një angazhim dhe një përkushtim i institucioneve, që vërtet e vënë integrimin evropian si prioritet të rendit të parë. Nevojiten institucione të fuqishme dhe të qëndrueshme, kapacitet administrativ, për t'i përgatitur strategjitë dhe planet konsistence, koherente dhe të bashkërenduara", tha zonja Hajrullahu.

Ajo vlerëson se nga momenti kur një vend identifikohet si kandidat potencial për anëtarësim në BE, duhet t’i plotësojë disa kushte, që, sipas saj, janë raporti i fizibilitetit, negocimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, marrëveshja kalimtare e Stabilizim Asociimit, zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, aplikimi për anëtarësim, opinioni i Komisionit Evropian dhe negociatat për anëtarësim.

Zonja Hajrullahu thotë se Kosova vazhdon të qëndrojë në stadin e parë. Edhe pse raporti i fizibilitetit, sipas saj, ka mundësuar që Kosova të përfitojë nga pothuajse të gjitha instrumentet e procesit të Stabilizim Asociimit, kalimi në etapa të tjera vazhdon të jetë i pamundur, për arsye të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa vende anëtare të BE-së, thotë Venera Hajrullahu.

“Raporti i fizibilitetit, që është diçka si një fazë që do të na shpinte një hap përpara në kuadër të këtij procesi, definitivisht është i kondicionuar nga pranimi apo mospranimi i Kosovës nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Jemi në një fazë kur hasim në vështirësi të natyrës politike dhe Komisioni Evropian nuk mund ta marrë mandatin për avancim formal në kuadër të procesit të stabilizim-asociimit, mekanizmit përcjellës për Kosovën, pa e pasur mandatin politik", tha Zonja Hajrullahu.

Nga ana tjetër, edhe Bardhyl Hasanpapaj, ekspert i së drejtës evropiane, thotë se fillimisht institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në procesin e stabilizim-asociimit.

"Meqë jemi pjesë e Ballkanit perëndimor, duhet që së pari të fokusohemi në procesin e stabilizim-asociimit, pasi kemi qenë pjesë e tij nëpërmjet mekanizmit përcjellës te stabilizim-asociimit. Duhet që së pari të arrijmë që ta nënshkruajmë këtë marrëveshje. Pasi ta kemi kaluar me sukses këtë, duhet të shkojmë drejt strategjisë për të aplikuar dhe për të fituar statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe të jemi në hap me vendet e tjera të rajonit, si Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia", tha zoti Hasanpapaj.

Por, ai konsideron se vështirësitë më të mëdha të Kosovës drejt Bashkimit Evropian do të jenë në fushën e sundimit të ligjit.

"Po të fokusohemi më shumë aty dhe po të kemi një progres më të madh, besoj se do ta lehtësonte rrugën drejt Bashkimit Evropian. Këtu e shoh atë sfidën kryesore, sepse rendi apo sundimi i ligjit, sundimi i së drejtës në një shoqëri, është sfida që kanë pasur edhe vendet tjera që janë anëtarësuar në BE. Në mënyrë indirekte nënkupton edhe ata procesin e integrimit të minoriteteve, sepse po flasim për sundimin e ligjit”, u shpreh zoti Hasanpapaj.

Deri tani, në mungesë të statusit, ndryshe nga vendet tjera, Kosova ka qenë e përfshirë në procesin e integrimit në BE përmes Mekanizmit Përcjellës të Asociim-Stabilizmit. Por, edhe pas pavarësisë, ende nuk dihet se kur Kosova do të përfshihet në vetë Mekanizmin e Asociim-Stabilizimit.
XS
SM
MD
LG