Ndërlidhjet

Ahmeti: Kosova, terren i përshtatshëm për trafikantët


"Shkaqet kryesore që çojnë në trafikimin e qenieve njerëzore në Kosovë janë kushtet e rënda ekonomike dhe mungesa e legjislacionit të duhur për luftimin e kësaj dukurie", thotë për Radion Evropa e Lirë, Ramadan Ahmeti, shef i Sektorit Anti-trafikim të SHPK-së.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, në raportin e fundit të Departamentit amerikan të shtetit për trafikimin në botë, Kosova është identifikuar si vend burimi, vend transiti dhe vend destinimi për trafikimin e qenieve njerëzore. A është në rënie apo në rritje kjo dukuri në Kosovë?

RAMADAN AHMETI
Marrë për bazë statistikat që ne i posedojmë, dukuria e trafikimit me njerëz në Kosovë, krahasuar me vitet e pasluftës e deri më tani, është në rënie. Mirëpo, nga viti në vit, ato ndryshojnë me një rritje ose ulje të vogël, por në tërësi numri i viktimave të trafikimit është në rënie, krahasuar me vitin 2001 që ka qenë 172, vitin e kaluar ka qenë 33, këtë vit janë rreth 19 viktima.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë gjashtëmujorin e parë?

RAMADAN AHMETI
Faktikisht, nuk është plotësisht gjashtëmujori i parë, por deri më tani kemi 19 viktima të identifikuara, prej të cilave 15 kanë marrë asistencën e duhur nga partnerët që asistojnë me viktimat e trafikimit, që nuk janë veç policia, por edhe ministritë tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
A i keni identifikuar ju si SHPK shkaqet që çojnë në rritjen e trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë?

RAMADAN AHMETI
Janë disa shkaqe, por ndër kryesoret është gjendja e varfër ekonomike në përgjithësi e qytetarëve të Kosovës, pastaj është mosshkollimi i njerëzve, njëkohësisht edhe kontrollet kufitare që deri tani janë bërë nga polici të ndryshme, legjislacioni për të huaj, pastaj Ligji për Punë, i cili ligj, në njëfarë mënyre, ka njerëz shumë që punojnë, edhe nuk janë të trafikuar, por punojnë pa kurrfarë dokumenti, ose e kanë shumë lehtë të vijnë deri te një kontratë e punës, si dhe qëndrimi i të huajve që mund të vijnë në Kosovë është jashtëzakonisht i lehtë.

Kështu që e kemi të vështirësuar dhe është një lloj terreni i përshtatshëm për kriminelët që të përfitojnë prej kësaj dukurie.

RADIO EVROPA E LIRË
Këta që po i quani kriminelë janë kosovarë apo vijnë nga punët tjera?

RAMADAN AHMETI
Faktikisht, në terminologji, kriminalitet është kur përfitohet një dobi pasurore përmes shkeljes së ligjit dhe quhet krim. Ne, si polici i cilësojmë si të dyshimtë dhe këta të dyshimtë janë shumica nga Kosova, por kemi edhe të dyshimtë të tjerë që janë nga shtete të ndryshme, prej nga vijnë edhe viktimat e trafikimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin e Departamentit amerikan të shtetit është vënë në pah mungesa e dënimit të mjaftueshëm për personat që merren me trafikimin. Çfarë thotë SHPK-ja për këtë çështje?

RAMADAN AHMETI
SHPK-ja për këtë çështje mund të thotë se nuk është e kënaqur me dënimet që shqiptohen, gjë që nuk janë të kënaqur as prokurorët, me të cilët kam kontakte. Mirëpo, e tëra kjo është një proces i drejtësisë që duhet të vendoset prej policisë, prokurorisë dhe në fund gjykata të vendosë për faktet që ka para vetes.

Megjithëse, dënimet mesatare tani, sa unë kam njohuri, janë diku 4 vjet, 5 vjet për person, mirëpo diku është më shumë e diku më pak.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa është i madh numri i fëmijëve të trafikuar, meqenëse në raportin e Departamentit amerikan të shtetit pohohet se prindërit po i nxisin fëmijët e tyre që të kërkojnë lëmoshë nëpër rrugë, gjë kjo që mundëson trafikimin më të lehtë të fëmijëve?

RAMADAN AHMETI
Është duke ndodhur, jemi dëshmitarë të kohës, jemi duke e parë se si kërkojnë lëmoshë. Ne jemi munduar si hetues anti-trafikim që të vërejmë lidhjen e shfrytëzimit të këtyre fëmijëve nga dikush, mirëpo fatkeqësisht janë kryesisht familjet, prindërit, që nuk janë edhe të vetëdijshëm ndoshta, që i nxisin fëmijët që të kërkojnë lëmoshë, që të përfitojnë një shumë parash.

Atyre u duket e mirë në suaza ditore ose mujore, por mund të ndodhë që fëmijët janë të trafikuar, kur e dimë se këtë vit, prej 19 viktimave të identifikuara, rreth 10 prej tyre dalin nën moshën 18 vjeçare.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë të gjithë të gjinisë femërore?

RAMADAN AHMETI
Po, të gjinisë femërore janë të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët më herët kontrollimin e kufijve si një nga shkaqet që ndoshta mund të nxisë trafikimin. Sa ka kuadro SHPK-ja apo nëse është duke shkolluar kuadro të mjaftueshme që mund ta ndalin trafikimin dhe janë të duhur për këtë punë?

RAMADAN AHMETI
Kjo është një pyetje pak më shumë për menaxhmentin e lartë të SHPK-së, por për sektorin anti-trafikim janë të trajnuar policët për ta identifikuar viktimën, njëkohësisht janë të trajnuar edhe policë të policisë kufitare, të hetimeve të policisë kufitare.

Ka kuadro, vetëm se ato duhet të shfrytëzohen në mënyrë adekuate. Njeriu që është trajnuar, që ka përvojë në këtë fushë, të punojë në atë vend, sepse ka lëvizje brendapërbrenda strukturave, për shkaqe ndoshta më të mëdha të politikave të policisë.
XS
SM
MD
LG