Ndërlidhjet

Zbatimi i decentralizimit dhe formimi i komunave të reja pas 15 qershorit


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës

Procesi i decentralizimit dhe krijimi i komunave të reja në Kosovë, do të fillojë të zbatohet pas 15 qershorit, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, u tha sot në një debat në Çagllavicë.

Pjesëmarrës ishin shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, dhe përfaqësuesja politike serbe, Rada Trajkoviq. Në debat është biseduar dhe për paralajmërimet e Beogradit për t’i ngritur strukturat paralele nëpër komunat serbe në Kosovë, si dhe për paqartësitë në lidhje me misionet civile ndërkombëtare pas 15 qershorit.

Procesi i decentralizimit në Kosovë do të zbatohet siç parashihet me Pakon e Ahtisaarit, është thënë sot në një debat të zhvilluar në Çagllavicë, fshat ky i banuar me shumicën serbe.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, tha se decentralizimi i sjell shumë përfitime komunitetit serb, marrë parasysh jo vetëm zgjerimin e përgjegjësive e kompetencave për komunat, por edhe formimin e pesë komunave të reja, ku serbët do të jenë shumicë.

Feith i rikujtoi serbët se përveç institucioneve vendore, në Kosovë ka edhe një prani të madhe civile e ushtarake ndërkombëtare që garanton se nuk do të ketë vend për shqetësime në kohën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Dua ta siguroj komunitetin serb se nuk ka arsye që të shqetësohet për gjendjen e sigurisë”, tha Feith.

Ndërkaq, lidhur me decentralizimin, ai tha se ky proces nuk mund të marrë kahe tjera, përveç zbatimit të tij si e parasheh plani i Ahtisaarit. Feith u angazhua që komunat me shumicë serbe në Kosovë të respektojnë pakon e Ahtisaarit, në çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e tyre me Serbinë.

Ai tha se këto komuna mund të realizojnë këtë bashkëpunim, por vetëm duke i respektuar institucionet qendrore të Kosovës. Ndërkaq, lidhur me organet paralele serbe të dala nga zgjedhjet serbe të 11 majit, Feith tha se ato janë ilegale dhe të papranueshme.

Ndërkohë, ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati, tha se tashmë janë formuar edhe grupet punuese për decentralizimin, kurse në krye të tyre është edhe Pieter Feith.

Ministri Ferati tha se në territorin e Kosovës do të vlejnë dhe zbatohen vetëm ligjet e Kosovës dhe i cilësoi si të parealizueshme pretendimet e Beogradit që përmes komunave me shumicë serbe, të instalojë pushtetin e saj në Kosovë.

“Nuk do të ndodhë asnjëherë instalimi i institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe nuk do të ndodhë asnjëherë implementimi i ligjeve serbe në Kosovë Por, se cilët do të jenë liderët e serbëve të Kosovës, kjo do të jetë në vullnetin e serbëve që ata t’i zgjedhin. Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë ata liderë që ata i dëshirojnë dhe i meritojnë”, tha Ferati.

Në anën tjetër, hyrjen në fuqi të Kushtetutës, Rada Trajkoviq, një përfaqësuese politike e serbëve, e ka cilësuar si një data të sfidave, por edhe datë të fillimit të një ‘status quo-je’ të re në Kosovë.

Ajo tha se Kosovën e ka njohur një numër i konsiderueshëm vendesh, por njëherësh ajo rikujtoi se mbetet në fuqi edhe Rezoluta 1244. Andaj, sipas Trajkoviqit, rrëfimi për Kosovën nuk ka përfunduar ende.

“Një ‘status quo’ e re po fillon, por e cila nuk duhet të jetë e keqe, sepse kemi të bëjmë me qetësimin e të dyja palëve. Një pjesë e pranisë ndërkombëtare e ka pranuar Kosovën si shtet dhe e ka qetësuar palën shqiptare, kurse një pjesë nuk e ka pranuar dhe e mban në shpresë popullin serb”, tha Trajkoviq.

Sidoqoftë, Trajkoviq tha se nuk mund të presë askush që nga kjo gjeneratë e serbëve, dikush ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur.

Në debat, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, e ka pranuar se aktualisht ka konfuzion lidhur me mandatet civile ndërkombëtare në Kosovë.

Ai tha se të gjithë po e presin Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të fillojë qartësimin e kësaj situate, lidhur me rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe shtrirjen e misionit të EULEX-it në Kosovë pas 15 qershorit.

XS
SM
MD
LG