Ndërlidhjet

"Rikonfigurimi mund të sjellë krizë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, sipas të cilit çdo votë që do të jepet për një parti politike do të konsiderohet po ashtu votë edhe për liderin e saj, është një kthim prapa për demokracinë në Kosovë. Ligji, i cili betonon dominimin e liderëve partiakë, është miratuar të mërkurën, edhe pse është kundërshtuar nga një pjesë e opozitës dhe shoqëria civile. Me këtë vendim, liderët e partive politike do të përjashtohen nga garat zgjedhore, duke përfituar kështu vetëm pushtetin që do t'ua sigurojë partia. Ibrahim Makolli, kryetar i Grupit Parlamentar të AKR-së, e konsideron rrënuese për demokracinë Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Sipas tij, ky ligj është kthim prapa në demokraci, sepse i vë në pozita të pabarabarta kandidatët me liderët e partive. "Nuk e besoj se ka ndonjë vend tjetër në botën demokratike ku lideri i partisë nuk i nënshtrohet vullnetit të elektoratit dhe zgjidhet në pako me partinë". Deputeti Makolli thotë se ky vendim do ta ngufasë edhe demokracinë e brendshme të partive dhe, sipas tij, në vend që ato të jenë parti të anëtarësisë, do të shndërrohen në parti të liderëve, të kontrolluara tërësisht prej tyre...

KOHA DITORE
Autoritetet kosovare nuk e kanë ndërmend ta ndajnë pushtetin me Beogradin e as Kombet e Bashkuara, pas 15 qershorit. Klasa politike në Prishtinë, përveç institucioneve vendore, është e mendimit se po u thye marrëveshja me ndërkombëtarët për planin Ahtisaari, atëherë autoritetet kosovare nuk duhet t'i përmbahen këtij plani. Plani i rikonfigurimit të pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë, sipas paralajmërimeve të fundit nga OKB-ja, do te bënte që pushteti pas 15 qershori të duhej të ndahej në katër pjesë jo të barabarta, ku në njërën anë do të qeveriste Prishtina me BE-në, ndërsa në veri dhe enklavat e tjera problematike Beogradi bashkë me OKB-në. Por, Presidenca e Kosovës nuk është e pajtimit për një ndarje të tillë. Xhavit Beqiri, këshilltar i presidentit të Republikës, nuk përmend mikpritjen për OKB-në pas 15 qershorit, e madje as për Beogradin zyrtar. "Më 15 hyn në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe institucionet e Kosovës ekskluzivisht do t'u përmbahen obligimeve që dalin nga ajo kushtetutë. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës e kanë shprehur mirëpritjen e tyre për EULEX-in dhe besojnë që ai shumë shpejt do të shtrihet në tërë territorin e vendit. Çfarëdo eksperimentimi tjetër me dualizëm pushtetesh, është i paracaktuar të dështojë, sepse nuk mund të ketë qeverisje të mirë në një vend që ka shumë zot shtëpie," ka thënë ai...

KOSOVA SOT
Zgjedhjet duhet të mbahen, pasi pakoja e Ahtisaarit nuk është babadimër. Ky ka qenë reagimi i ardhur të enjten nga nënkryetari i AAK-së, Bajram Kosumi, pas deklaratës së ditës më parë të bërë nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili ka theksuar se kjo qeverisje ka një mandat katërvjeçar. Zgjedhjet e vitit të kaluar, që pasuan me krijimin e koalicionit qeverisës PDK-LDK, nën dirigjimin e dyshes Thaçi-Sejdiu, pasuan me deklaratën e dy subjekteve, sipas të cilëve mandati qeverisës do të bazohet në Kushtetutë. Mirëpo, në gjykimin e forcës opozitare, AAK, zgjedhjet duhet mbajtur sipas pakos së Ahtisaarit që parasheh zhvillimin e këtij procesi 9 muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, duke pretenduar kështu të kontestojë qëndrimin e koalicionit qeverisës. "Marrëveshjet duhet të respektohen. Pakoja e Ahtisaarit është marrëveshje midis Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare që ka ndihmuar Kosovën deri këtu. Nuk është pakoja e Ahtisaarit tash një babadimër që mund të zgjedhësh e dua këtë apo s'e dua atë", tha Kosumi...

ZËRI
Kanë mbetur edhe fare pak ditë deri më 15 qershor, kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Gjithçka duhet të qartësohet para 15 qershorit, sepse, në të kundërtën, do të hyhet në një "terren" shumë problematik politik dhe ligjor. Kundërshtimi i Rusisë për ta mbështetur Letrën udhërrëfyese të Ban Ki-Munit për rikonfigurimin e UNMIK-ut, e cila duhet t'iu dërgohet së shpejti 15 ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas burimeve diplomatike perëndimore, ka rishfaqur shqetësimet në Zyrën e Ban Ki-Munit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Sipas këtyre burimeve, të martën e ardhshme, më 10 qershor pra, është dashur të mbahet mbledhja e KS të OKB-së, në të cilën shtetet anëtare të tij pritej të diskutonin për këtë letër të Ban Ki-Munit. Plani ka qenë që Ban Ki-Mun së pari t'i dërgojë letrat tek kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ai i Serbisë, Boris Tadiq, e pastaj të mbahet ky sesion i KS. Megjithatë, tani shumëçka është vënë nën pikëpyetje dhe nuk dihet se si do të procedohet nga Ban Ki-Mun. Një diplomat perëndimor i tha gazetës "Zëri" që këtu pritet një nismë e re e Brukselit zyrtar, i cili ka një rol të dorës së parë në Kosovë dhe që do të duhej të këmbëngulte që Ban Ki-Mun t'i mbetet besnik versionit të fundit të Letrës së tij, e cila, me gjithë dykuptimet e njohura për dokumentet e këtij lloji, mundëson që të ecet para me procesin e konkludimit të misionit të UNMIK-ut dhe me fillimin e misionit te EULEX-it...

EPOKA E RE
Për shkak të trajtimit të Kosovës si shtet i pavarur, ministri serb ka braktisur një konferencë ndërkombëtare në Norvegji. Ministri serb i Arsimit, Zoran Llonçar, ka braktisur të enjten konferencën joformale të ministrave të arsimit të vendeve evropiane në Oslo, për shkak të mënyrës së prezantimit të delegacionit te Kosovës. Sipas medieve serbe, në Ministrinë e Arsimit të Serbisë kanë thënë se delegacioni i Kosovës është prezantuar si delegacion i shtetit të pavarur të Kosovës, ndonëse gjoja ishte paralajmëruar se para delegacionit do të shkruante "UNMIK -Kosovo". Ministaria serbe e Arsimit i ka paralajmëruar një notë proteste organizatorit...

EXPRESS
Diplomati i shquar dhe pinjolli i një familjeje fisnike austriake, Albert Rohan, në një intervistë për BBC-në, ka rrëfyer lidhjet e tij me Ballkanin, Familjen Mbretërore Shqiptare dhe kontaktet e para të tij me liderët shqiptarë. Ish-zëvendësi i të dërguarit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, në këtë intervistë ka thënë se kontakti i parë i tij me Ballkanin ka qenë Beogradi. Vizita e tij në Beograd kishte ndodhur gjatë periudhës së ndritshme të Jugosllavisë së Titos. Por, puna e tij në Ballkan kishte filluar në të vërtetë gjatë periudhës së errët të diktatorit Millosheviq. "Kishim përshtypjen dhe secili e besonte se Jugosllavia do të mbetej ashtu siç ishte, përpara se Millosheviq të fillonte aktivitetet e tij", kujton Rohan. Por, së shpejti kjo përshtypje ishte thyer. Albert Rohan ishte kthyer në Ballkan, tash në Kosovë, ndërkohë që mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme austriake në vitin 1990. "Ideja ishte që ta alarmonim bashkësinë ndërkombëtare me atë se çfarë po ndodhte në Kosovë", tregon ai arsyet e kësaj vizite. Njeriun e parë në Prishtinë që kishte takuar Albert Rohan ishte Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së...

BOTA SOT
Kosova do të jetë njëra ndër temat në turneun në Evropë, të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush, nga 10 deri më 16 qershor. "Ata gjithashtu do të angazhohen për të inkurajuar një Serbi demokratike në lëvizjen drejt rrugës evropiane, si dhe do të shqyrtojnë mbështetjen për Kosovën e pavarur, shumetnike dhe demokratike", tha këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Stephen Hadley. Fillimisht, presidenti Bush do të qëndrojë në Slloveni ku do të marrë' pjesë në samitin vjetor Shtete të Bashkuara - Bashkim Evropian, e pastaj do të vizitojë edhe Gjermaninë, Italinë, Vatikanin, Francën, Britaninë dhe Irlandën Veriore...

INFOPRESS
Kufiri Kosovë-Serbi, në veri të vendit, disa ditë pas 17 shkurtit, nga momenti kur u demoluan dhe dogjën pikat doganore, është bërë porta kryesore e kontrabandimit të mallrave. Ekspertë të ekonomisë thonë se dëmi që do t'i shkaktohet buxhetit të varfër të vendit nga kjo situatë, nuk do të jetë fare i vogël. Ndërsa, kur kihet parasysh se pjesa dërrmuese e buxhetit të Kosovës mbushet nga të hyrat doganore, atëherë shqetësimi është më se i arsyeshëm. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, këto ditë kërkoi që derisa pikat doganore në atë pjesë të vihen në funksion, ato duhen mbyllur dhe nuk duhet lejuar që asnjë mall të futet nga aty. Ideja e kryetarit Rexhepi duhet marrë shumë seriozisht, që sa më shpejt të gjendet forma për ndërprerjen e kësaj kontrabande, që përveçse po varfëron buxhetin e vendit, po u jep mundësi pasurimi njerëzve të rrezikshëm. Ngase, shumë mirë dihet se tregjet ilegale nga cila pjesë e shoqërisë kontrollohen. Ata me siguri janë kriminelë. Al Kapone të vegjël, qe nëse nuk u ndërpritet hovi, shumë shpejt do të rriten, duke u bërë te fuqishëm, e që atëherë shumë vështirë futen nën kontroll...


XS
SM
MD
LG