Ndërlidhjet

logo-print

Milovanoviq: Maqedonia të përmirësojë imazhin


Xhillian Milovanoviq

Xhillian Milovanoviq

Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Xhillian Milovanoviq, tha se është e rëndësishme që të përmirësohet imazhi i shtetit dhe të rritet besimi i qytetarëve se votat e tyre do jenë të lira. Ndërkohë, KSHZ-ja po shqyrton ankesat e partive politike në zgjedhjet e së dielës.


Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vazhdon t’i shqyrtojë ankesat e partive politike për procesin zgjedhor të së dielës, ku u shënuan shumë parregullsi.

“KSHZ-ja, në bazë të ankesave të partive politike, vendosi anulimin e votimeve në të paktën 170 vendvotime në njësinë e parë, të dytë dhe të gjashtë”, bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Zoran Tanevski.

Ndërkohë, Sadulla Izairi, përfaqësues i Partisë Demokratike Shqiptare, ka akuzuar KSHZ-në se është duke punuar në bazë të listave që ka dërguar Ambasada Amerikane për prishjen e zgjedhjeve dhe për këtë shkak ai bashkë me anëtarin e Komisionit Zgjedhor të emëruar nga PDSH-ja, Iljaz Ibishin, braktisën mbledhjen e KSHZ-së, ku shqyrtoheshin vërejtjet e partive politike.

Ne orët e pasditës këtë informacion në një komunikatë me shkrim e ka përgënjeshtruar Partia Demokratike Shqiptare.
“Njoftojmë opinionin e gjerë se këto janë spekulime dhe se nuk ka asgjë të vërtetë në to”, thuhet në reagimin e përfaqësuesit të PDSH-së në KSHZ, Sadulla Izairi.

Nga ana tjetër, ambasadorja e SHBA-ve, Xhilien Millovanoviq, i ka quajtur të gabuara deklaratat e zyrtarëve të PDSH-së, se KSHZ-ja gjatë shqyrtimit të ankesave është duke punuar në bazë të listave të marra nga Ambasada Amerikane, se në cilat vendvotime duhet pasur rivotime.

“Dëgjova për këto akuza, janë absolutisht të gabueshme. Ne nuk ndikojmë në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Ajo që thamë është se në çdo vend ku dyshohet se janë bërë parregullsi gjatë zgjedhjeve, duhet të ketë rivotim. Duhet të ketë një numër më të madh të rivotimit, sepse kjo është mënyra e vetme që të garantohet se qytetarët do të kenë shanse të votojnë”.

“Është e rëndësishme të përmirësohet imazhi i shtetit ndërkombëtarisht, por më kryesore është se qytetarët duhet të kenë besim, besim se kur do të shkojnë të votojnë, do të jenë të lirë dhe se votat e tyre që do të mbarojnë në kuti, do të numërohen”,
thotë ambasadorja e SHBA-ve, Xhilien Millovanoviq.

Ajo ka theksuar se tani Maqedonia duhet ta përmirësojë imazhin e saj, duhet të ketë rivotim në shumë vendvotime ku kishte parregullsi, pasi që më 1 qershor janë vjedhur votat e dhjetëra mijëra qytetarëve. Ambasadorja amerikane edhe njëherë ka përsëritur se përgjegjësia për parregullsitë bie mbi qeverinë, e jo mbi një pjesë të popullatës që jeton në këtë vend.

“Njerëzit nuk mund të shëtisin dhe të kërcënohen dhe në të njëjtën kohë Qeveria të mos jetë përgjegjëse. Unë nuk them se Qeveria nuk ka provuar dhe mendoj se shumë gjëra të mira janë kryer dhe shumë punë është bërë, por është e qartë se nuk ishte e mjaftueshme në disa rajone dhe kjo duhet të përmirësohet”.

“Nuk është puna a bëhet fjalë për shqiptarët ose maqedonasit; puna është për qytetarët e shtetit. Nëse doni të keni një shtet, atëherë problemi nuk është se në çfarë kombësie ose në çfarë vendi ka ndodhur; çështja është se u vodhën vota nga qytetarët dhe kjo është diçka që Qeveria duhet ta ndalojë”, deklaroi ambasadorja e SHBA-ve, Xhillian Milovanoviq.
XS
SM
MD
LG