Ndërlidhjet

Serbët themeluan Komunën e Mitrovicës


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore

Duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve serbe të 11 majit, të mbajtura edhe në Kosovë, përfaqësuesit e komunitetit serb kanë formuar sot Kuvendin Komunal të Mitrovicës, për pjesën veriore.



Në pjesën veriore të Mitrovicës, përfaqësuesit serbë kanë marrë sot vendimin për themelimin e kuvendit të përkohshëm serb për Kosovën. Ndërkohë, janë konstituuar edhe kuvendet paralele komunale serbe në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në tri komunat në veri të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, për serbët nga sot do të jetë Nenad Topliqeviq. Strukturat e reja serbe, të cilat filluan të konstituohen sot në shumë komuna të Kosovës, vijnë kryesisht nga radhët e radikalëve.

Këto organe mbështeten në rezultatin e zgjedhjeve të Serbisë më 11 maj, të mbajtura edhe në Kosovë, të cilat administrata e Kombeve të Bashkuara i ka shpallur të pavlefshme.

Radikali Lubomir Kragoviq thotë se tash, pas konstituimit të komunave, pason formimi i kuvendit serb për Kosovën, i cili, sipas tij, është kundërpërgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Para së gjithash, duam që të formojmë këtë kuvend si përgjigje të popullit serb ndaj shpalljes së pavarësisë, kur dihet se më 15 qershor do të hyjë në fuqi edhe Kushtetuta e Kosovës dhe ne duam që të kundërpërgjigjemi me formimin e këtij kuvendi”, thotë kryetari i radikalëve për Kosovën, Lubomir Kragoviq.

Kuvendi serb, sipas tij, do të ketë 45 delegatë, prej tyre edhe dy vende për pakicat, një për boshnjakët dhe një për romët.

Në anën tjetër, administrata e UNMIK-ut, si autoriteti ende numër një në Kosovë, vazhdon t’i konsiderojë institucionet paralele serbe të dala nga zgjedhjet lokale të 11 majit, si ilegale.

Zëdhënësi Aleksander Ivanko thotë se të vetmit përfaqësues legalë serbë janë ata, të cilët shefi i UNMIK-ut i ka emëruar dhe të cilëve do t’u skadojë mandati më 18 qershor.

Por, Ivanko thotë po ashtu se pavarësisht faktit që organet paralele serbe po i shfrytëzojnë objektet e institucioneve publike të Kosovës, megjithatë, ata nuk do të detyrohen me forcë që t’i lirojnë këto objekte.

“Mendoj se kjo nuk është diçka që ne do të përdorim forcën për të parandaluar shfrytëzimin e objekteve publike, por ne nuk do të bashkëpunojmë me këto institucione”, thotë Ivanko.

Ndërkaq, për Qeverinë e Kosovës, formimi i organeve paralele në veri është vetëm pretendim për të krijuar institucione paralele dhe se këto pretendime nuk do të kenë sukses.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se në Kosovë do të funksionojë vetëm rendi kushtetues dhe atë në gjithë territorin e saj.

“Në Kosovë do të funksionojë rendi dhe ligji; vetëm rendi dhe ligji i përcaktuar me rendin kushtetues të Kosovës, me ligjet që nxirren në Kuvend dhe tjetër rend e ligj nuk ka, e as vend për organe tjera nuk ka. Ka iluzione nga dikush, por ato iluzione shumë shpejt do të ndeshen me realitetin”, tha Kuçi.

Përderisa në pjesën veriore të Kosovës serbët shfrytëzojnë edhe infrastrukturën komunale për të formuar institucionet paralele, në kushte dhe rrethana tjera, sot është kumtuar po ashtu se konstituimi i organeve paralele komunale është bërë edhe nëpër komunat tjera, si në Pejë, Istog, Gjakovë e komuna të tjera.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se çfarë efektesh do të prodhojë formimi i institucioneve paralele, ndërkohë që UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës thonë se do t’i injorojnë këto organe, duke i cilësuar jo vetëm ilegale, por edhe inekzistente.
XS
SM
MD
LG