Ndërlidhjet

Irani - temë e fushatës presidenciale


Barack Obama dhe John Mccain
Barack Obama dhe John Mccain

Çështja e Iranit pritet të jetë ndër mosmarrëveshjet kryesore rreth politikës së jashtme, në kohën e fushatës për president të Shteteve të Bashkuara.


Kandidati demokrat, Barack Obama, dhe ai republikan, John McCain, për president të Shteteve të Bashkuara, janë ndeshur rreth urtësisë së negociatave me Iranin.

Politika e Iranit po zë hapësirën kryesore në kohën e nisjes së fushatës së përgjithshme elektorale në Shtetet e Bashkuara.

I nominuari demokrat, Barack Obama, i cili e deklaron veten si kandidat i ndryshimeve me qasje të reja në çështjet e politikës së jashtme, argumenton se për Shtetet e Bashkuara ka kuptim që të negociojnë me fuqitë armiqësore, përfshirë Iranin.

Senatori republikan, John McCain, ish-oficer dhe i burgosur i luftës, që veten e deklaron realist, e cilëson një qasje të tillë të rrezikshme dhe naive.

Duke folur në Komitetin Amerikano-Izraelit për Çështje Publike, vetëm disa orë pas nominimit, Obama përsëriti vullnetin për të biseduar me presidentin iranian, Mahmoud Ahmadinejad.

Obama tha se do ishte i hapur për "diplomaci të ashpër dhe parimore" me liderët iranianë, nëse si president arrin në konkluzionin se bisedimet janë në interes të sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

"Si president i Shteteve të Bashkuara unë do të kem vullnet të udhëheq diplomaci të ashpër e parimore dhe liderët e duhur iranianë në kohën dhe vendin që e zgjedh, vetëm e vetëm nëse kjo do të avanconte interesat e Shteteve të Bashkuara. Ky është pozicioni im. Dua që kjo të jetë plotësisht e qartë", tha Obama.

Për herë të parë, Obama shprehu vullnetin për të folur me Ahmadinejadin, si përgjigje në një pyetje në debatin ndërmjet kandidatëve demokratë për president, korrikun e kaluar.

Ai u kritikua ashpër nga republikanët dhe nga kundër-kandidatja kryesore, Hillary Clinton.

Tani, Mccain sërish kritkoi qëndrimin e Obamas.

"Senatori Obama dëshiron të ulet pa asnjë parakusht në tavolinë dhe të negociojë me këtë njeri. Miqtë e mi, kjo nuk është e drejtë, është naive dhe tregon mungesë përvoje e gjykimi", tha McCain.

Sipas tij, një samit me Ahmadinejadin vetëm sa do t'i mundësonte audiencë mbarë botërore "njeriut që mohon Holokaustin, ku humbën jetën 6 milionë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Ahmadinejadi gjithashtu vazhdimisht thotë se Izraeli duhet të fshihet nga harta, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po ashtu dyshojnë se Irani po provon të zhvillojë programe të armëve bërthamore.

Në fjalimin e tij para Komitetit Amerikano-Izraelit, Obama tha se nuk ka iluzione rreth Iranit, por shtoi se izolimi i Amerikës në Lindjen e Mesme ndikon në "reduktimin e fuqisë së saj dhe rrezikon sigurinë e Izraelit".

"Si president, asnjëherë nuk do të bëj kompromis kur është fjala për sigurinë e Izraelit", tha i nominuari demokrat për president të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG