Ndërlidhjet

Strukturat paralele në objektet shtetërore


Konstituimi i pushtetit komunal në mjediset serbe paraqet paligjshmëri të dyfishtë; e para, këto komuna janë rezultat i zgjedhjeve të paligjshme; e dyta, konstituimi mbahet në objektet shtetërore të Kosovës.


E para komunë serbe e dalë nga zgjedhjet ilegale të 11 majit, u formua (të premten) në Mitrovicë dhe atë në objektet e institucioneve publike të Kosovës. Ngjashëm pritet që në ditët në vijim të krijohen edhe pushtetet tjera paralele në mjediset e banuara me serbë.

Kjo, sipas juristëve, paraqet shkelje të dyfishtë të ligjit në Kosovë. Njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, thotë se shfrytëzimi i objekteve shtetërore për veprime ilegale paraqet okupim.

“Procesi i formimit të këtyre organeve është një përpjekje për një agresion kushtetues; ngjashëm edhe marrja e objekteve është okupim ilegal. Së shpejti, Qeveria e Kosovës do të marrë një qëndrim konkret dhe do t’ua përcjellë autoriteteve ndërkombëtare, që të ndalohet puna e organeve lokale serbe në këto objekte shtetërore të Kosovës”, tha Bajrami.

Në një situatë normale dhe në rrethana ku sundon ligji, strukturave të tilla paralele do t’u ndalohej hyrja në objektet publike të institucioneve të Kosovës. Por, e gjetur përballë situatës së ndjeshme politike, Qeveria e Kosovës pranon se nuk mund të reagojë vetë për të zgjidhur këtë situatë.

Arsim Bajrami pohon se tërë procesi që nga mbajtja e zgjedhjeve të 11 majit, është ilegal dhe paraqet një ndërhyrje direkte në sistemin ligjor dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Por, shtrirja e kontrollit të pushtetit qendror në veri duket ende e largët dhe qeveria do kërkojë ndihmën ndërkombëtare për ta vënë situatën nën kontroll.

“Ajo pjesë është pjesë unike e territorit të Kosovës. Për shkak të sensivitetit të komplet procesit, qeveria ka bërë përpjekje që me mjete politike dhe të mos provokojë akte të dhunës, të mos ushqejë forcat radikale në veri, por tani kur pikërisht këto forca po mundohen të krijojnë realitet faktik, duke krijuar organe serbe në Kosovë”.

“Qeveria e Kosovës do të jetë shumë e vendosur dhe do të kërkojë që në objektet shtetërore të ndalohet puna e çfarëdo organi që nuk e njeh Kushtetuta e Kosovës”, tha ministri Bajrami.

Në anën tjetër, Arben Gashi, studiues i qeverisjes lokale, thotë se shfrytëzimi i objekteve publike është një agresion direkt ndaj autonomisë dhe pavarësisë së institucioneve të Kosovës.

“Ky është një agresion që organizohet nga institucionet e Serbisë, i cili mund të ketë pasoja juridike dhe mund të ketë edhe pasoja faktike, si dhe mund të shkaktojë ngritje të tensioneve ndëretnike dhe problematika tjera, të cilat mund të vijnë si rezultat i këtij agresioni institucional, që po e bëjnë institucionet e Serbisë ndaj autoriteteve të Kosovës”, tha Gashi.

Zgjedhjet lokale serbe të 11 majit që u mbajtën në Kosovë, janë shpallur të paligjshme dhe administrata e UNMIK-ut ka thënë se nuk do t’i njohë organet që janë rezultat i këtyre zgjedhjeve. Sidoqoftë, serbët kanë sfiduar autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë duke forcuar strukturat paralele serbe, të vendosura në vendbanimet me shumicë serbe.


XS
SM
MD
LG