Ndërlidhjet

Sulmohet shtëpia e kryeministrit Thaçi


Kryeministri Hashim Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi

SHPK ka njoftuar se mbrëmë pas orës 23:00, është sulmuar shtëpia e kryeministrit Hashim Thaçi. Me këtë rast, thuhet se rojet e armatosura të Thaçit shkëmbyen zjarr me sulmuesit, duke plagosur të paktën njërin prej tyre.

Rojet kanë vërejtur një njeri se si po përpiqej të hyjë në shtëpinë dykatëshe nga ballkoni i sipërm. Kryeministri Thaçi nuk ka qenë në shtëpi në kohën e sulmit, por aty ndodheshin e shoqja dhe i biri, por të cilët nuk kanë pësuar lëndime.

Shtëpia e kryeministrit Hashim Thaçi është sulmuar mbrëmë pas orës 23:00, ka njoftuar kabineti i tij, çka është konfirmuar edhe nga policia e Kosovës. Sulmi ka kaluar pa pasoja për kryeministrin dhe familjen e tij.

Në momentin e sulmit, ka njoftuar policia, kryeministri Thaçi nuk ndodhej në shtëpi, kurse gruaja dhe djali i tij nuk kanë pësuar lëndime. Ndërkohë që, sipas policisë, gjatë shkëmbimit të zjarrit me një person të dyshuar që po përpiqej të hynte brenda nga kati i dytë i shtëpisë së kryeministrit, thuhet se njëri nga të dyshuarit mund të jetë i plagosur.

Zëdhënësi i SHPK-së, Arbër Beka, thotë se policia ka intervenuar në momentin e parë të marrjes së njoftimeve nga ana e sigurimit të kryeministrit dhe se policia po qëndron ende për të siguruar shtëpinë e kryeministrit në lagjen Arbëria të Prishtinës.

“Pas reagimeve të para policore, pasi ka shkuar policia në vendin e ngjarjes, janë njoftuar nga ana e sigurimit të shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi, se ata kanë vërejtur së paku një person që ka tentuar të hynte brenda përmes tarracës së katit të dytë të shtëpisë së kryeministrit. Pas paralajmërimit nga ana e sigurimit, ka pasur edhe shkëmbim me armë zjarri”.


“Pas shkëmbimit me armë zjarri, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Njësitet policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes, dyshojnë se së paku një nga të dyshuarit është plagosur si pasojë e shkëmbimit me armë zjarri”, tha Beka.

Në orët e mëngjesit, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thirrur një konferencë urgjente për media. Ai e ka cilësuar këtë si një akt kriminal dhe kumtoi urdhëresën e qeverisë që të ngritët shkalla e sigurisë për shumë nga zyrtarët e qeverisë.

“Fakti që dikush ka bërë përpjekje ta lëndojë kryeministrin dhe familjen e kryeministrit, për çfarëdo motivi, nuk është vetëm veprim kriminal, që kalon çfarëdo kufiri të urrejtjes, qoftë edhe padurimin apo urrejtjen politike. Si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar ngritjen e masave të sigurisë për shumë nga zyrtarët e qeverisë dhe bartësit e institucioneve tjera, si dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Kjo ngjarje është shumë serioze dhe dëshmon se ende ka të atillë që nuk e duan shtetin tonë të ri, ndërtimin e një shoqërie të hapur, të lirë, moderne, demokratike, në të cilën sundon rendi dhe ligji”, u shpreh Kuçi.

Hajredin Kuçi tha se kërcënimet dhe aktet e tilla të sulmeve nuk do ta ndalin politikat e kryeministrit dhe qeverisë. Ai tha se nuk mund të flitet tash për ndonjë adresë të caktuar që ka mund të ndërmarrë këtë sulm.

“Nuk i adresojmë asnjë personi. Ne jemi shumë të përgjegjshëm. Organet e policisë do ta thonë fjalën e vet. Cilido që mendon se përmes këtij rasti apo rasteve të tjera të destabilizojë vendin, ne kërkojmë që qytetarët t’u besojnë institucioneve të drejtësisë. Dikujt mund t’i pengojë ndërtimi i shtetit të ri, suksesi i këtij ndërtimi të shtetit të ri, rendi dhe ligji në Kosovë, perspektiva evropiane dhe natyrisht puna e kryeministrit direkt”, tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi e ka cilësuar këtë si sulm të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit dhe familjes së tij. Raste të tilla të sulmeve ndaj udhëheqësve të institucioneve të Kosovës kanë ndodhur edhe në të kaluarën, kur ishte sulmuar shtëpia e ish-presidentit Ibrahim Rugova, por rasti nuk është zbardhur ende.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG