Ndërlidhjet

EURO 2008 zgjon interesim në Kosovë


Euro 2008
Euro 2008

Edhe në Kosovë tashmë ka filluar të ndjehet atmosfera sportive, të cilën e ka ngjallur fillimi i Kampionatit Evropian të Futbollit “Euro 2008”. Disa qytetarë të Prishtinës thonë se do t’i ndjekin të gjitha ndeshjet e këtij kampionati, si dhe shprehin mendimin për mundësitë e pasimit të favoritëve të tyre në këtë kampionat.


Kampionati Evropian i Futbollit, i cili po mbahet në Austri dhe Zvicër, ka zgjuar interesimin e futboll-dashësve edhe në Kosovë. Projektorët e mëdhenj tashmë janë vendosur në një numër të madh lokalesh, për t’i tërhequr adhuruesit e futbollit që t’i shikojnë ndeshjet, si dhe të krijohet atmosferë për tifozeri.

Disa qytetarë të Prishtinës thonë se do t’i ndjekin të gjitha ndeshjet e këtij kampionati, qoftë pranë ekraneve televizive në shtëpi, qoftë në lokale apo bastore sportive. Naim Bujupi thotë se takimet e kombëtareve evropiane është duke i pritur me shumë interesim.

“E përcjell me shumë gëzim. Edhe te njerëzit përreth, te shoqëria, ekziston një atmosferë sikurse në vendet tjera të botës, edhe pse ne nuk marrim pjesë me ekipin tonë, që të luajmë edhe ne atje. Favoriti im është Gjermania dhe shpresoj që do të fitojë, për shkak se ka lojtarë të rinj dhe ambiciozë. Për ta përjetuar gëzimin, atmosferën më të mirë, do t’i përcjell ndeshjet në ndonjë lokal ku ka atmosferë. Kam vërejtur që kanë filluar t’i vendosin projektorët”, shprehet Bujupi.

Edhe Ardian Shala thotë se ndeshjet e kampionatit do t’i ndjekë me interesim për të shikuar lojën e favoritëve të tij.

“Do të dalë ta përcjell në ndonjë lokal, më interesant. Zakonisht në lokale, në kafiteri po organizohen me projektorë të ndryshëm dhe atmosfera është më e mirë. Besoj se italianët do të kalojnë; çdoherë bëjnë lojëra të forta dhe në ato vendimtaret kanë ditur të nxirren nga situatat”, thotë Shala.

Valon Dobratishi thekson se ndeshjet në mes kombëtareve të vendeve evropiane kanë zgjuar interesimin edhe në bastoret sportive në Kosovë.

“Mendoj se Italia është favorite, sepse ka një kapacitet të lojtarëve. Edhe pse Zvicra nuk është shumë larg, për shkak se është vendase dhe e ka një përparësi të publikut”, thotë Dobratishi.

Ngjashëm pohon edhe Agim Sahiti.

“Kjo atmosferë është shumë e mirë këtu në Prishtinë. Rinia jonë e presin me gjithë gëzim ‘Euro 2008’. Unë gjithmonë takimet i përcjell jashtë, në qendër të Prishtinës. Atmosfera është më e mirë. Unë jam për Anglinë, por pasi që Anglia nuk është plasuar, favorite mendoj se janë Gjermania dhe Italia, por ma merr mendja se Italia do të fitojë”, thotë Sahiti.

XS
SM
MD
LG