Ndërlidhjet

Thaçi: Sulmet s'mund t’i cenojnë vlerat demokratike në Kosovë


Kryeministri Hashim Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë për media, tha se sulmet nuk mund ta ndalin Kosovën në rrugën e saj si shtet i pavarur, në ndërtimin e rendit kushtetues.

Thaçi u ka thënë gazetarëve se nuk dëshiron të paragjykojë asgjë për adresën e sulmit të mbrëmshëm në shtëpinë e tij, si dhe për motivet, duke ua lënë këtë çështje në përgjegjësi organeve kompetente që ta zbardhin.

Askush nuk do të ketë fuqi të cenojë pavarësinë, rendin demokratik, sundimin e ligjit, lirinë dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë për media, përmes së cilës ai u është drejtuar qytetarëve, pas sulmit të mbrëmshëm nga persona të panjohur në shtëpinë e tij.

“Mbrëmë është sulmuar familja ime. Si çdo prind dhe bashkëshort, jam i lumtur që familja ime është shëndosh dhe e sigurt”, ka thënë Thaçi.

Ai tha se gjatë ditës ka marrë shumë mesazhe solidariteti prej institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Kryeministri kosovar tha se aktet e tilla nuk do ta ndalin as atë si kryeministër dhe as Qeverinë dhe Kosovën në rrugën për një rend kushtetues e demokratik.

“Dëshiroj që përmes këtij komunikimi me ju, t’ju siguroj se askush nuk do të ketë fuqi të cenojë pavarësinë, rendin demokratik, sundimin e ligjit, lirinë dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, kërkoj prej të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të qetë të japin kontributin e tyre për fuqizimin e shtetit tonë të ri – ta ruajmë unitetin qytetar dhe politik. Vetëm të bashkuar mund të kemi sukses”, tha Thaçi.

Kryeministri kosovar i ka ftuar të gjitha forcat politike që bashkërisht të fokusohen në prioritetet shtetformuese të Kosovës. Ai rikujtoi se vendi, brenda pak ditësh, do të bëhet edhe me kushtetutë.

“Vlerat themelore të këtij akti më të lartë juridik janë liria, siguria dhe prona e qytetarëve”,
u shpreh Thaçi.

“Askush nuk do të mund t’i cenojë dhe kërcënojë këto vlera. Askush dhe as ky sulm nuk do të mund të ndalë punën tonë që Kosova të bëhet një shtet krenar brenda bashkësisë evropiane dhe NATO- s. Që ta bëjmë këtë realitet, na duhet punë edhe më e madhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo bart me vete edhe rreziqe. Por, ju siguroj se do të vazhdoj këtë betejë kundër së keqes, edhe me më shumë vendosmëri, për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve”,
tha kryeministri kosovar.

Ndryshe, sipas njoftimeve nga Shërbimi Policor i Kosovës dhe kabineti i kryeministrit, mbrëmë pas orës 23:00, shtëpia e kryeministrit Hashim Thaçi është sulmuar nga persona të panjohur. Në momentin e sulmit, kryeministri Thaçi nuk ndodhej në shtëpi, kurse gruaja dhe djali i tij, të cilët ndodheshin në shtëpi, nuk kanë pësuar lëndime.

Policia ka konfirmuar se gjatë shkëmbimit të zjarrit ndërmjet sulmuesve dhe sigurimit të kryeministrit, të paktën një person nga të dyshuarit për sulm, është plagosur.

Kryeministri Thaçi tha se nuk dëshiron të paragjykojë asgjë se kush mund të qëndrojë pas këtij akti, duke ua lënë këtë çështje në duar organeve përgjegjëse që ta zbardhin.

Sulmi ndaj shtëpisë së kryeministrit është dënuar nga udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, partitë politike, si dhe nga përfaqësues ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG