Ndërlidhjet

"Si të ndalet jeta paralele e serbëve në Kosovë?"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Jeta paralele e serbëve në Kosovë vetëm sa po fillon. Analisti Dushan Janjiq thotë se ekzistenca e institucioneve serbe do të tolerohet duke i injoruar ato. Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës duket se do t’i vë më shumë në siklet institucionet e Kosovës: me kompetenca, por pa fuqi reale. Si do të çmontohet kjo jetë paralele dhe kur do të ndodhë? UNMIK-u ka thënë se nuk do të bëjë ndonjë veprim që implikon përdorimin e forcës. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës thonë se pas 15 qershorit do të koordinohen me praninë ndërkombëtare. Ndërsa, për çdo mosbindje ndaj ligjit, përgjigje kanë dhunën e shtetit. "Të gjitha veprimet do t'i bëjmë në përputhje me ligjin", thotë Hajredin Kuçi, duke shpallur edhe një herë të pavlefshme organizimet serbe. Ai, megjithatë, nuk mund të flasë konkretisht se çfarë është parashikuar për të pamundësuar jetën paralele serbe. As Presidenca e Kosovës nuk ka mundur të japë ndonjë përgjigje për këtë... Analisti Dushan Janjiq thotë se pas 15 qershorit, Prishtina nuk mund të ndërhyjë për të shuar strukturat dhe organizimet e ndryshme paralele serbe në Kosovë. "Mund dikush t'ia vejë vetës këtë synim, por nuk është real”…

INFOPRESS
Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, e ka cilësuar si "pikëllues" paralajmërimin e serbëve për themelimin e kuvendit paralel në Kosovë. Në një intervistë për radion "Kontakt Plus" nga Mitrovica, Feith ka thënë se do të ishte gjë pikëlluese që në Kosove të formohet edhe një strukturë e institucioneve paralele dhe ka shtuar se, "shteti i Kosovës duhet të ketë pushtet në tërë territorin e tij". "Mandatin të cilin e kam marrë është të vendoset një shoqëri multietnike në Kosovë - të punojmë për ndërtimin e të ardhmes së Kosovës, për mbrojtjen e pakicave dhe të fillohet procesi i pajtimit të bashkësive. Ky është plani im dhe do te ishte pikëlluese që në Kosovë të formohet edhe një strukturë e institucioneve paralele", është shprehur Feith...

EPOKA E RE

’Ban Ki Mun po studion opsionet rreth rolit të UNMIK-ut në Kosovë’. Ishte kjo një përgjigje që ka dhënë zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara, Michele Montas, në pyetjen se si do të reagojë apo vendosë Sekretari i Përgjithshëm rreth statusit të UNMIK-ut, tani kur po afrohet 15 qershori dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Zëdhënësja Montas ka theksuar se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, këtë çështje e ka biseduar edhe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Javier Solana. Ajo ka thënë së Ban, përveçse po e studion situatën, po bisedon dhe ka biseduar me disa nga liderët relevantë dhe në këtë kuadër edhe me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. "Sekretari i Përgjithshëm po i studion opsionet dhe është angazhuar aktivisht në këtë çështje. Kjo është e tëra që mund t'ju them tani", ka thënë Montas...

KOHA DITORE
Deklarimi i shefit të Qeverisë se Kosovës, Hashim Thaçi, se Republika e Kosovës do të hyjë në familjen e kombeve të Bashkimit Evropian në vitin 2010 është interpretuar si një synim ambicioz nga analistë dhe politikanë vendës. Disa nga ta kanë thënë se kjo do të mund të ndodhte vetëm nëse ndodh ndonjë çudi në BE, disa të tjerë se do te ishte arritje shumë e madhe po të fitohej statusi i kandidatit në këtë vit, e disa të tjerë besojnë se kjo do të mund të ndodhte vetëm nëse BE-ja ndryshon politikën e saj ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. "Qeveria jonë e ka miratuar planin sipas të cilit për tërë procesin e integrimeve nevojiten tri vite. Ne mendojmë që deri në vitin 2010 do të plotësohen të gjitha kushtet për futjen e Kosovës në BE. Kosova tani de fakto e ndien veten si pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian", i ka thënë kryeministri Thaçi gazetës ruse 'Vremja novostaj". Ndërkohë, mendim krejt të kundërt shprehin analistë dhe politikanë që kanë qenë të përfshirë në këtë proces. "Integrimi i Republikës së Kosovës në BE mund të ndodhë në vitin 2010 vetëm nëse ndodh ndonjë çudi. E këto nuk ndodhin shpesh në BE", ka thënë shefi i Grupit për Zhvillim dhe Strategji dhe ish-shef i Agjencisë për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Shenoll Muharremi...

ZËRI
Askush nga UNMIK-u të shtunën nuk është nxituar të bëjë deklarata lidhur me incidentin që kishte ndodhur në shtëpinë e kryeministrit Hashim Thaçi në Prishtinë. As të dielën nuk ka pasur deklaratë prej tyre për këtë çështje, por zëdhënësi Aleksandër Ivanko e thotë qartë që UNMIK-u dënon këtë incident dhe shpreh shqetësim për këtë rast që ka ndodhur ndaj kryeministrit Thaçi dhe familjes së tij. "Është e vërtetë se nuk kemi reaguar dhe as bërë komente mbi këtë rast, për shkak se PSSP-ja ka kërkuar dhe është në pritje të zbardhjes së plotë te këtij rasti", ka deklaruar Ivanko. Pavarësisht prej asaj se rezultatet e para të hetimeve e klasifikojnë këtë rast si "incident për vjedhje", megjithatë, zëdhënësi Ivanko ka thënë dje se incidenti në familjen e kryeministrit ka qenë tepër shqetësues edhe për krerët e UNMIK-ut, të cilët shpresojnë shumë se autoritetet e hetuesisë shumë shpejt do ta zbardhin këtë rast...

LAJM
Funksionimi i shtetit të Kosovës në përputhje me Kushtetutën e Republikës do të sfidohet nga realiteti në terren edhe pas 15 qershorit. Me gjithë dëshirën dhe gatishmërinë e institucioneve vendore dhe misionit të BE-së, EULEX, që pas kësaj date të dihet "kush është kush" në Kosovë, këto të fundit nuk do ta kenë të lehtë të marrin në duart e tyre përgjegjësitë që u takojnë. I ashtuquajturi proces i rikonfigurimit të UNMIK-ut dhe konstituimi i organeve ilegale lokale serbe në disa komuna, do ta shndërrojnë Kosovën në një arenë përplasjesh dhe paqartësish institucionale edhe pas 15 qershorit, kur formalisht hyn në fuqi Kushtetuta. Data 16 qershor do ta gjejë Kosovën me katër palë institucione qeverisëse: dy misione ndërkombëtare (UNMIK dhe EULEX), institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e lira dhe strukturat paralele serbe. Megjithatë, përfaqësuesit politikë në Kosovë janë optimistë se gradualisht do të qartësohet rendi institucional dhe politik në vend. Qëndrimi i bartësve të institucioneve vendore konsiston në gatishmërinë e plotë të tyre që të marrin plotësisht kompetencat që u takojnë me Kushtetutë...

KOSOVA SOT
Tregu global është duke u përballur me një rritje të vazhdueshme të çmimeve të artikujve ushqimorë, ndërsa, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, kjo rritje më së shumti prek shtresat e varfra. Sipas studimeve të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, shkalla e rritjes së ekonomisë së vendit është 3.5%, ndërsa rreth 15% e qytetareve jetojnë në varfëri ekstreme, kurse më shumë së dyfishi i qytetarëve të Kosovës konsiderohen si të varfër. Në bazë të shifrave për zhvillimin ekonomik të Kosovës shohim se çdo rritje e çmimeve prek direkt pjesën më të madhe të qytetarëve. Raporti i fundit i UNDP-së tregon se vëmendja e qytetarëve të Kosovës është e përqendruar te perspektiva e zhvillimit ekonomik të vendit. Qeveria është duke ndërmarrë disa hapa për të zbutur krizën sociale, mirëpo, sipas Bedri Hamzajt, zëvendësministër i Ekonomisë dhe i Financave, hapat që do të merren nuk do të kenë përmirësim të shpejtë të gjendjes. "Disa masa të ndërmarra tani do të japin efekte afatshkurta, kurse disa të tjera në një kohë pak më të gjatë", tha ai...

BOTA SOT
Një prej dilemave që është shtruar menjëherë pas lajmit për sulmin në shtëpinë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, është edhe ajo se përse Shërbimi Policor i Kosovës nuk ka bërë sigurimin e shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi... I pyetur se përse Shërbimi Policor i Kosovës nuk ka bërë sigurimin e shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi, Veton Elshani, zëdhënës i SHPK-së, i ka deklaruar gazetës "Bota sot" se Shërbimit Policor të Kosovës asnjëherë nuk i është bërë ndonjë kërkesë për mbrojtjen e afërt të kryeministrit apo edhe të shtëpisë së tij. Por, megjithëse SHPK-ja nuk ka qenë në sigurim te shtëpia e kryeministrit, kryeministri Thaçi është nën përcjellje të SHPK-së gjatë vizitave që i bën. "Kërkesë për sigurimin e shtëpisë së tij nuk kemi pasur asnjëherë nga kryeministri", ka thënë zëdhënësi Elshani, duke shtuar se SHPK-ja vepron sipas kërkesave...
XS
SM
MD
LG