Ndërlidhjet

Hooper: Pas 15 qershorit – konfuzion dhe pasiguri


James Hooper
James Hooper

"Pas datës 15, kosovarët do të përballen me një situatë konfuzioni dhe pasigurie mbi të ardhmen, situatë e krijuar nga ndërkombëtarët", thotë për Radion Evropa e Lirë, James Hooper, ish-diplomat amerikan.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Hooper, çfarë sfidash shihni ju përballë Kosovës, tani që Kushtetuta e saj pritet të hyjë në fuqi më 15 qershor?

JAMES HOOPER
Mendoj se gjëja më e rëndësishme, të cilën e vërejta gjatë vizitës sime të fundit në Kosovë, para disa ditësh, është se qartësisht kishte ende entuziazëm në atmosferë dhe është tejkaluar një barrierë e madhe psikologjike me shpalljen e pavarësisë në Prishtinë dhe pas njohjes nga një numër i madh shtetesh ndërkombëtare.

Një gjë e këtillë mendoj se ka ndihmuar në qartësimin e gjërave dhe u ka dhënë kosovarëve një vetëbesim mbi të ardhmen e tyre. Por, tani pas datës 15, ata do të përballen me një situatë konfuzioni dhe pasigurie mbi të ardhmen, situatë e krijuar nga ndërkombëtarët.

UNMIK-u nuk ka qenë i gatshëm të tërhiqet tërësisht dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, po përpiqet të vendosë çfarë të bëjë mbi rolin e ardhshëm të këtij institucioni.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian po planifikon të zbarkojë dhe ka ende paqartësi se cili do të jetë raporti midis komponentëve të ndryshëm ndërkombëtarë. E gjithë kjo mendoj se do t'i ngjasojë një lëmshi dhe do të ketë konfuzione.

Kjo natyrisht do t'i lë kosovarët dhe Qeverinë në Kosovë përballë shumë paqartësive mbi çështjen e përgjegjësive dhe çështjeve të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa kanë tërhequr vërejtjen se një kombinim midis Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian mund të prodhojë krizë, veçanërisht nëse misionet e tyre veprojnë në baza etnike. A do të pajtoheshit?

JAMES HOOPER
Në fakt, unë mendoj se i gjithë ky konfuzion dhe këto paqartësi që kanë krijuar ndërkombëtarët, mund të jenë një rast i mirë për kosovarët. Po përballeni me një situatë ku sinqerisht ndërkombëtarët nuk dinë se çfarë të bëjnë, edhe ata vetë janë në konfuzion, të pasigurt dhe natyrisht nën presion nga Rusia dhe Serbia në njërën anë dhe nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera në anën tjetër, kështu që as ata nuk dinë çfarë të bëjnë.

Nëse në një situatë të këtillë, populli i Kosovës dhe udhëheqësit e saj, veçanërisht presidenti dhe kryeministri, e kuptojnë se duhet të prodhojnë nisma të arsyeshme, ata mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të ecur përpara dhe të fitojnë gjithnjë e më shumë përgjegjësi, natyrisht duke u konsultuar me ndërkombëtarët, por jo vetëm duke kërkuar leje prej tyre për çdo gjë, por duke ndërmarrë veprime vetë.

Kjo, pra, do të thotë të ndërmerren nisma kuptimplote, pa kërkuar leje nga ndërkombëtarët, duke përdorur maturinë që autoritetet kanë, të organizohen, të rrinë së bashku, të përfshijnë edhe opozitën aty ku është e përshtatshme dhe aty ku opozita është e gatshme të jetë konstruktive, për ta çuar Kosovën përpara dhe për të zgjeruar mundësitë për të qeverisur me vendin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
E thatë se keni vizituar Kosovën para disa ditësh. Keni qenë edhe në veri?

JAMES HOOPER
Po. Është shumë e qartë se Serbia synon ta mbajë veriun dhe është njëkohësisht shumë e qartë se ndërkombëtarët nuk do të bëjnë gjë për ta sfiduar këtë. Dhe, mendoj se ky është një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballen kosovarët - paqartësia se si duhet trajtuar kjo çështje.

Deri më tash, me cilindo që jam takuar, absolutisht me secilin që jam takuar, përfshirë edhe njerëzit këtu në Washington, me ndërkombëtarët që kanë të bëjnë me Kosovën, që të gjithë kanë përgëzuar maturinë dhe përgjegjësinë që kanë treguar kosovarët, pavarësisht nga provokimet serioze që kanë ardhur fillimisht nga kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica në Beograd.

Kosovarët e kanë ruajtur dinjitetin e tyre, vetëpërmbajtjen dhe përgjegjësinë, duke ua shtrirë dorën madje serbëve në veri dhe enklavat tjera, për të vendosur mirëkuptimin. Sinqerisht, unë mendoj se serbët janë të shokuar. Ata kanë menduar se provokimet e tyre do të nxisin incidente dhe incidentet do t’i nxisnin ndërkombëtarët të thonë se do t'ia japin veriun Serbisë.

Megjithatë, sinqerisht, do të jetë shumë e vështirë, sepse s'ka strategji të cilën unë e shoh, nga ana e ndërkombëtarëve, për t'i zbatuar kushtet e marrëveshjes së Ahtisaarit, të cilat është dashur të përmbushen nga Serbia. Dhe, do të jetë shumë e vështirë për Prishtinën për të vendosur autoritetin e saj në veri.

Nuk e di si do ta bëjnë këtë; Serbia do të bëjë çmos për ta ndalur këtë dhe as ndërkombëtarët nuk do t'i ndihmojnë kosovarët për ta bërë një gjë të këtillë. Ky është një dështim shumë i madh i ndërkombëtarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, a shihni rrezikun e ndarjes?

JAMES HOOPER
Të jem i sinqertë, mendoj se ndërkombëtarët e kanë pranuar ndarjen 'de-facto' më 1999, pas përfundimit të luftës. Atëherë, ata nuk bënë asgjë për të penguar Beogradin që të rivendosë autoritetin në veri. Tani, ndërkombëtarët nuk kanë plan si ta zgjidhin situatën dhe e gjithë kjo e vë Qeverinë në Kosovë në një situatë të palakmueshme.

E di se disa njerëz në Kosovë, disa politikanë kanë bërë thirrje që mos t’i lejohet qarkullimi Sllobodan Samarxhiqit dhe të tjerëve në jug të lumit Ibër, ndërkohë që zyrtarët qeveritarë të Kosovës nuk mund të vizitojnë as Leposaviqin apo cilëndo pjesë të veriut.

Kjo është shumë e vështirë për t'u gëlltitur dhe mendoj se për Qeverinë e Kosovës nuk do të ishte pamaturi, nëse në bashkëpunim me ndërkombëtarët, për të marrë masa parandalimi për zyrtarët serbë që të vizitojnë Kosovën, sinqerisht vetëm për të krijuar probleme.

Kjo gjë duhet të marrë fund dhe kosovarët paqësisht mund ta parandalojnë një gjë të këtillë, për secilin rast veç e veç.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, njohja ndërkombëtare e Kosovës është gjithashtu temë debatesh. Disa thonë se cilësia është e rëndësishme, të tjerët ndërkaq pohojnë se sasia nuk mund të injorohet. Ju çfarë mendoni?

JAMES HOOPER
Kosova ka nevojë si për cilësinë, ashtu edhe për sasinë e vendeve që e njohin shtetësinë e saj. Vendet kyçe në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë njohur, por numrat kanë rëndësi.

Serbia dhe Rusia po bëjnë përpjekje të zvogëlojnë numrin e vendeve që kanë njohur pavarësinë, jo vetëm të parandalojnë njohjen e mëtutjeshme, por të zvogëlojnë edhe numrin aktual dhe kjo mund të ketë ndikim shumë negativ.

Unë e ftoj Qeverinë e Kosovës, presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi, për të cilët kam respekt, që të krijojnë një grup punues kombëtar, i cili do të përbëhej nga të gjitha partitë politike dhe njerëz që nuk u takojnë fare ndonjë partie; njerëz të cilët kanë kontakte serioze me ndërkombëtarët në Amerikën Latine, Afrikë, në Lindjen e Mesme, në Azi…kudo në botë, njerëz, të cilët mund të udhëtojnë dhe të jetojnë me valixhe për disa javë, për t'u takuar me qeveritë në kryeqytetet e ndryshme.

Dhe, kur shihet si e nevojshme, në rastet kur ka gatishmëri për njohjen e pavarësisë, atëherë ndoshta kryeministri Thaçi duhet ta vizitojë atë vend të caktuar, atëherë kur ai vend e merr vendimin për të njohur Kosovën. Ky duhet të jetë përqendrim primar i Qeverisë kosovare.

Duhet të ketë së paku 60, 70 apo edhe 80 vende që e njohin Kosovën; sa më i madh numri, aq më mirë, dhe kjo do të pengonte edhe përpjekjet e Moskës dhe Beogradit për të zhvlerësuar pavarësinë. Me një gjë të këtillë do të mbyllej edhe kapitulli i legjitimitetit të Kosovës.

Por, nëse dinamika e njohjes vazhdon të jetë graduale dhe këtë javë nga 42 numri hyn në 43 dhe pastaj pas dy javësh ky numër prapë shtohet për një, atëherë nuk është shenjë e mirë. Ky numër është dashur të jetë shumë më i madh se 40, prandaj mendoj se numrat kanë rëndësi.

Për ta arritur këtë, duhet të ketë një mision në nivel shtetëror, në të cilin të gjithë do të jenë të përfshirë. Nëse është dikush nga opozita që mund të bëjë diçka, jepjani biletën dhe kërkojini të udhëtojë.

Ky mision duhet të tejkalojë përkatësinë partiake, duhet të jetë në nivel shtetëror, në të cilin pra përfshihet më e mira e kosovarëve. Dhe, cilido që arrin diçka, duhet të ketë merita. Njerëz të tillë që mund të bëjnë diçka, ka mjaft, dhe ata mendoj se do të jenë të mirëpritur nga populli në Kosovë.
XS
SM
MD
LG