Ndërlidhjet

Newsweek: “Ballkanizimi i Evropës”


Denis McShane

Më 15 qershor hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, ndërsa NATO-ja po i lejon serbët që veriun e Kosovës ta kthejnë në një zonë pa ligj për aktivitete kriminale.

Në mars, në veri të qytetit të Mitrovicës, banditët serbë, të nxitur dhe të armatosur nga Beogradi, e nisën një sulm në shkallë të gjerë kundër NATO-s dhe forcave të Kombeve të Bashkuara, duke vrarë një ushtar ndërkombëtar dhe plagosur 83 të tjerë.

Gjatë zgjedhjeve në Maqedoni, në fillim të këtij muaji, policia hapi zjarr dhe vrau një aktivist politik, i cili ishte zemëruar për mbushjen e hapur të kutive të votimit dhe për manipulimet e tjera të qarta zgjedhore.

Gjë e çuditshme ishte se partia në pushtet nuk kishte nevojë t'i kurdisë zgjedhjet, pasi i kishte votat e nevojshme për të fituar.

Përgjigjja e Perëndimit ishte pothuajse e vakët. Sot, duket se Brukseli, NATO-ja dhe Kombet e Bashkuara po i mbyllin sytë, duke treguar mosgatishmëri ose lidership për t'i zgjidhur problemet në Ballkan, që përfshijnë ringjalljen e nacionalizmit serb, që më tepër e preferon historinë e tij ballkanike, sesa të ardhmen evropiane.

Në vitin '99, NATO-ja intervenoi në mënyrë masive në Kosovë dhe dy vjet më vonë në Maqedoni për t'i ndalur armiqësitë antishqiptare të nacionalistëve maqedonas.

Në vitin 2001, zyrtarët e lartë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, Xhorxh Robertson, Kris Paten dhe Havier Solana shkuan në Maqedoni dhe e detyruan shumicën sllave që popullatën pakicë shqiptare ta trajtojnë me respekt.

Por, tash, NATO-ja dhe të tjerët e kanë lënë Kosovën që të zbresë nga lista e tyre e prioriteteve. Trupat franceze dështuan të ndalin sulmin e serbëve në muajin mars në ndërtesën e gjyqit në Mitrovicë dhe pritën për shumë ditë, derisa mesazhi politik nëse duhej të përdorej forca për t'i ndalur serbët, shkonte para dhe prapa ndërmjet Nju Jorkut dhe Parisit.

Liderët e Bashkimit Evropian po ashtu e kanë zbutur presionin ndaj serbëve. Aktualisht, Brukseli është tërhequr nga kërkesat e tij që serbët ta dorëzojnë kasapin e Srebrenicës, Ratko Mlladiqin, në Hagë, si parakusht për bisedime për anëtarësim.

Por, ajo që është edhe më e keqe qëndron në faktin se përderisa shumica e vendeve të BE-së e kanë pranuar Kosovën, Spanja dhe Greqia janë radhitur me kundërshtimin e rusëve dhe serbëve.

Duke e dëmtuar rëndë perspektivën e arritjes së paqes shumë të pritur në rajon, Spanja tash po i ndihmon nacionalistët serbë duke ndërmarrë fushatë diplomatike në Amerikën Latine, për t'ua ndërruar mendjen liderëve të rajonit, që të mos e njohin shtetin e Kosovës.

Nga ana e vet, Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se do t'i hapin dyert e NATO-s për fqinjin e Kosovës, Maqedoninë. Por, në fund të presidencës së Xhorxh Bushit, Shtetet e Bashkuara kanë pak mundësi të këmbëngulin, kështu që Greqia mbetet në vetëbesim se mund të mos e përfillë Uashingtonin dhe kështu t'i shkatërrojë shpresat e Maqedonisë për praninë në NATO, për shkak të kontestit joreal për emër.

Në këtë vakuum, në skenë doli Rusia, e cila gjithnjë e sheh Ballkanin si oborr të vetin dhe është përzier në mënyrë të pafund në rajon. Për shumë sllavë në Ballkan, Rusia mbetet e popullarizuar si çlirimtare e Ballkanit nga pushteti otoman në shekullin e 19-të.

Sot, Moska po synon ta shtrijë autoritetin e vet në këtë rajon, në përpjekje për t'i treguar Uashingtonit dhe Brukselit se është kthyer si lojtar i fortë në politikën e jashtme.

Vendet e Bashkimit Evropian, si Qiproja, Greqia dhe Spanja, haptas e kundërshtojnë qëndrimin e pjesës tjetër të BE-së, për njohjen e Kosovës. Në vend që të bashkohen, anëtarët e BE-së dhe të NATO-s po grinden mes vete, duke i vënë interesat e tyre kombëtare në rend të parë, e jo politikën e përbashkët evropiane.

Ky trend e rrit shqetësimin se në vend që të shohim evropianizimin e Ballkanit, ne jemi dëshmitarë të një ballkanizimi të ngadalshëm të Evropës.
XS
SM
MD
LG