Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-u merr vendim për komunat serbe?


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

UNMIK-u sinjalizon se shumë shpejt do të marrë vendim për zgjatjen e mandatit përfaqësuesve të komunave serbe, në të cilat qenë bojkotuar zgjedhjet e 17 nëntorit.




Shefi i UNMIK-ut pritet që shumë shpejt të marrë vendimin për t’u zgjatur për të tretën herë me radhë mandatin kryetarëve të komunave të banuara me shumicë serbe.

“Ai nuk ka marrë ende vendimin final. PSSP-ja po shqyrton këtë çështje dhe ai do ta marrë vendimin shumë shpejt. Këtë mund t’ju them”, pohon zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Pas zgjedhjeve të nëntorit, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka zgjatur për gjashtë muaj mandatin e krerëve komunalë të zgjedhur më parë në Novobërdë, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, deri më 18 qershor.

Duket se shefi i UNMIK-ut do të vazhdojë përsëri këtë mandat. Por, përfaqësuesit e serbëve mendojnë se ky nuk do të ishte vendim i mirë, sepse do të komplikonte situatën edhe ashtu të paqartë.

Kreu i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, vlerëson se serbët gjenden në një pat-pozicion, sepse do të kenë dy lloj përfaqësuesish.

“Emërimi i tillë i njëanshëm i përfaqësuesve serbë, kur në anën tjetër kemi të zgjedhurit legjitimë, paraqet dualizëm, dhe një proces i tillë më së shumti do t’i dëmtojë vetë serbët dhe procesin e zgjidhjes së problemeve në Kosovë. Një qëndrim i tillë nuk sjell zgjidhje, por komplikon më shumë situatën edhe ashtu të komplikuar”, thotë Veliq.

Por, derisa UNMIK-u vendos për qeveritë lokale serbe, të cilat do të jenë legjitime për këtë mision dhe Qeverinë e Kosovës, serbët tashmë kanë filluar konstituimin e komunave të dala nga zgjedhjet serbe të 11 majit. UNMIK-u i ka shpallur këto zgjedhje ilegale.

Në veri të Mitrovicës tashmë është zgjedhur kryetari, ndërkohë që gjatë kësaj jave pritet formimi i komunave edhe në mjediset tjera të banuara me shumicë serbe.

Për të zgjidhur këtë situatë, UNMIK-u ka përmendur më herët dy opsione - të shpallë zgjedhje të reja, ose t’u shtyjë sërish mandatin kryetarëve të komunave. Kjo e fundit duket se do të ngadhënjejë.

“Kjo është një situatë delikate dhe PSSP-ja dëshiron që të marrë vendimin final, në mënyrën më të duhur”, tha Rusell Geekie.

Megjithatë, sipas Veliqit, sërish mbetet problemi i ligjshmërisë dhe legjitimitetit. Sipas tij, qeveritë që i emëron Rueckeri janë legale, por nuk kanë përkrahjen e banorëve, ndërkaq, të zgjedhurit serbë kanë përkrahjen e banorëve serbë, por për UNMIK-un janë ilegalë.

Kështu që Veliq propozon që të gjendet një zgjidhje kalimtare, përmes bisedimeve me përfaqësuesit serbë.

“Duhet që zoti Ruecker të ulet me përfaqësuesit legjitimë të serbëve të Kosovës dhe përfaqësues të Serbisë, që të gjejnë një zgjidhje kalimtare, e cila do të sillte në një vend edhe përfaqësuesit legalë, edhe ata legjitimë, dhe në këtë mënyrë të zgjidhet problemi”, tha Veliq.

Por, administrata e Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar se zgjedhjet lokale serbe kanë qenë në kundërshtim me Rezolutën 1244, në bazë të së cilës vetëm UNMIK-u mund të organizojë zgjedhje në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, Serbia kërkon që qeveritë komunale të udhëhiqen nga njerëzit që i ka zgjedhur komuniteti serb. Qeveria e Kosovës, ndërkaq, pret ndihmën ndërkombëtare për t’i zgjidhur problemet në vendbanimet me shumicë serbe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG