Ndërlidhjet

Bush nis turneun e lamtumirës në Evropë


Presidenti i SHBA-ve, George Bush me bashkëshorten Laura
Presidenti i SHBA-ve, George Bush me bashkëshorten Laura

Irani, Afganistani, Kosova, dhe Kaukazi do jenë temat që presidenti Bush do diskutojë me udhëheqësit evropianë. Turneu nuk pritet të sjellë marrëveshje kyçe, pasi presidentit amerikan i kanë mbetur vetëm tetë muaj në detyrë.


Vizita njëjavore në një numër qendrash evropiane, përfshirë dhe takimin SHBA-BE, duket të jetë turneu i fundit i këtyre përmasave për presidentin amerikan, George Bush, përpara se të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Sipas këshilltarit të tij për siguri kombëtare, Stephen Hadley, Irani ka gjasë që t'i kryesojë temat e takimeve evropiane të Bushit.

Hadley shtoi se Uashingtoni mbështet idenë për shtim të presionit ndaj Teheranit nga ana e Bashkimit Evropian, për të gjitha çështjet që janë pezull, përfshirë programet bërthamore dhe mbështetjen për organizatat terroriste.

Pavarësisht rëndësisë së çështjeve që lidhen me Iranin, Hadley theksoi se nuk duhej pritur ndonjë zgjidhje e mosmarrëveshjeve rreth Teheranit, gjatë turneut diplomatik që filloi të hënën.

"Nuk mendoj se do të shihni lajme dramatike gjatë këtij turneu. Ajo çfarë do të shihni, janë përpjekjet për të çuar përpara strategjinë aktuale në një mori çështjesh, duke parë drejt forumeve ku merren vendimet përfundimtare", tha Hadley para mediave.

Ted Galen Carpenter duket se është dakord me vlerësimin e Hadley-it, por nisur nga një tjetër këndvështrim.

Carpenter, nga Instituti Kato në Uashington, pret pak përparim lidhur me Iranin, ndryshimet klimatike, si dhe shqetësimet që lidhen me zhvillimet në Ballkan dhe në Kaukaz.

Dallimet në qëndrime për këto çështje mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, apo dallimet mes Uashingtonit dhe lojtarëve të tjerë ndërkombëtarë, janë arsyet kryesore që nuk pritet ndonjë sukses i ndjeshëm gjatë turneut diplomatik të presidentit amerikan.

Sipas Carpenterit, Uashingtoni dhe Brukseli kanë një qëndrim thuajse të njehsuar për sanksione më të ashpra ndaj Iranit. Por, Kina dhe Rusia janë dyshuese ndaj sanksioneve shtesë. Megjithatë edhe për Iranin ka dallime mes të dyja anëve të Atlantikut.

"Një nga pikat që evropianët duan t'ua bëjnë të qartë Shteteve të Bashkuara është se sanksionet e fuqishme nuk janë parathënie e veprimeve ushtarake. Dhe, nga ana evropiane e Atlantikut ka ende dyshime se adminsitrata Bush ende flirton me idenë e sulmeve ushtarake nëse sanksionet nuk japin rezultate", thotë Carpenter, nga Instituti amerikan CATO.

Serbia e Gjeorgjia, si dhe problemet që lidhen me këto vende, janë të tjera çështje që vazhdojnë të shqetësojnë Evropën.

Carpenter thotë se është ende herët të thuhet se kush do të ketë më shumë pushtet në Serbi, nacionalistët apo grupimi me orientim pak më perëndimor, për të përcaktuar qëndrimin ndaj Kosovës.

Ai shton se Kosova vazhdon të mbetet një çështje emocionale për të gjithë serbët dhe se perëndimi nuk i bëri llogaritë si duhet lidhur me shkallën e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai shton se ka ende qeveri që i druhen precedentit të krijuar nga pavarësia e Kosovës.

Vendet perëndimore, megjithatë, kanë përsëritur vazhdimisht se Kosova është rast unik, andaj dhe zgjidhja nuk krijon precedent.

Turneu i presidentit Bush zhvillohet vetëm tetë muaj para largimit të tij nga detyra, ndaj shumë prej udhëheqësve evropianë bisedojnë me të duke e pasur mendjen tek ai që do ta zëvendësojë Bushin në Shtëpinë e Bardhë.
XS
SM
MD
LG